Pertefe LEKA/ Një Zonjë Fisnike nga Çamëria, Lejla Dino, i drejtohet Presidentit amerikan, Woodrow Wilson, për çështjen shqiptar

721
Sigal

Na vjen mirë kur dëgjojmë të huajt që vlerësojnë gruan shqiptare, sigurisht ata

që e kanë vizituar vendin tonë ose kanë lexuar rreth lashtësisë Iliro-shqiptare. Studiuesit e çështjes shqiptare kanë shkruar shumë për vashën shqiptare pavarësisht se ajo nuk ishte pjesë aktive e drejtpërdrejtë në jetën shoqërore. Roli i saj në familje, që lindi dhe edukoi  trimat dhe trimëreshat, është evidentuar prej studiuesve, duke përjetësuar veprimin e grave krah burrave në ngjarjet e mëdha historike. Nuk besoj të ketë në botë si në Shqipëri, obeliskë natyralë që kanë të gdhendur vetëmohimin e gruas shqiptare. Nuk është e tepërt të përsëritet se kalatë më të rëndësishme të Shqipërisë në veri e në jug, mbajnë emrat e grave të virtytshme shqiptare. Të përsërisësh bëmat e gruas shqiptare ndër shekuj, si luftëtare dhe të forta në karakter, është krenari. Ato kanë qenë aktive në momente vendimtare për atdheun e tyre, kanë mbijetuar me armë në dorë ose kanë vdekur me nder, si Argjiroja, gratë e Sopotit, apo suljotet në vallen e vdekjes.  Ajo që është evidentuar për gratë shqiptare, pavarësisht nga statusi i tyre në jetën shoqërore, ishte se ato e kishin shpresuar  të ardhmen e vendit,  pa armiq dhe armiqësi. Në rrethana të rëndësishme historike për mbrojtjen e bashkësisë kombëtare, atyre u ka lindur nevoja e natyrshme e grupimeve për të arritur në një mendim e mbrojtje të përbashkët. Kjo ka qenë shtytja që Lejla Dino, në rrethana shumë deçisive për fatet e popullit tone,

krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919.

Më ka tërhequr shumë fakti i kësaj gruaje çame, Lejla Rasih Dino, e cila në emër

të grave shqiptare, u drejtohet në mënyrë diplomatike autoriteteve të larta botërore

për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijve të 1913. Lejla Dino (Ileri) 1893-1966, vinte nga një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare, ku i kishte të  projektuara kërkesat për ardhmërinë e kombit shqiptar. Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, ajo iu drejtua Konferencës së Paqes në Paris, për problemet madhore të kombit tonë. Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kuraje i drejtohet në kohën e duhur,

Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, për çështjen shqiptare. Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame, por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi. Ajo si Kryetare e Grave Shqiptare jashtë vendit, shfrytëzoi ardhjen e familjes Presidenciale, Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte hera e parë që një President Amerikan vinte në Europë. Ajo trokiti tek simboli  i Paqes, Woodrow Wilson, i cili u vlerësua me çmimin Nobel për Paqen. Ajo i drejtohet  kësaj figure më në zë të politikës botërore, për mbrojtjen e çështjes shqiptare në përgjithësi, e të Kosovës e Çamërisë në veçanti. Lejla në këtë rast, shfrytëzoi njohjen e saj me Edith (Galt) Willson, gruan e presidentit, Woodrow Willson, ku nëpërmjet një letre, i shtron kërkesat legjitime të popullit shqiptar të mohuara prej grabitqareve.

Bija e Çamërisë në atë letër, ndër të tjera shkruante: “Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria që nënat Shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhembshurve të tyre të rrokulliste nën zgjedhën e shtypësve të huaj, kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do t’na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur. Në këto çaste, shtetet fqinjë të Shqipërisë duan të aneksojnë vende të tokës sonë të dashur ose që të marrin prej nesh independencën tonë politike. Por jemi të sigurt se Lavdia e

ndjenjave të larta dhe njerëzore të shoqit tuaj dhe me ndihmën tuaj këto gjëra nuk do të bëhen dot dhe se do të kemi për së afërmi independencën tonë me anën e së cilës do të marrin fund vuajtjet tona….”. Sëmundja që i ndodhi Presidentit Wilson, kur ishte në Europe, ishte e papritur. Edith, gruaja e përkushtuar ndaj këtij njeriu të madh e çoj me tutje kujdesin ndaj të shoqit deri në detyrat presidenciale, sa mund të quhej se ishte një presidente grua në hije. Edhe pse presidenti ishte i sëmurë ajo nuk mundi ta ndalonte vrullin e tij shpirtëror e fizik që ai të vazhdonte rrugën e tij  për krijimin e një organizate politike ndërkombëtare, e cila do të garantonte ruajtjen e Paqes në Botë. Ashtu, në gjendje të rëndë shëndetësore, i ndaluar nga mjekët që të vepronte në terren, me një vullnet të paepur, për te realizuar Paqen dhe detyrën presidenciale, mbijetoi deri në fund të mandatit me ndihmën e pakursyer edhe të shoqes së tij, Edith. Kështu fundi i jetës i erdhi shpejt, por ai mbeti simbol i Paqes botërore dhe për ne Shqiptarët shpëtimtar i  moscopëtimit të mëtejshëm të trojeve tona nga grabitqarët.