Pertefe Leka/ Hoxhë Daut  Boriçi, mishërimi historik i tolerancës fetare

707
Sigal

Fjala “e madhe” në Shkodër është mjaft e përdorur  jo vetëm për kuptimin e parë të saj, por edhe për disa emërtime, si objekte, rrugë, lagje..  (Arra  Madhe,  lagje ku ishte Selia e At’ Fishtës, Rusi Madh, lagje tregtare, Kafja Madhe në qendër të qytetit, Malësia e Madhe etj.) për të evidentuar diçka jo vetëm me përmasa  fizike, por edhe shpirtërore .

Si duket cilësori “e Madhe”  është një reflektim  i përmasave të shpirtit,  zemërgjerësisë,  tolerancës së vetë shkodranit, në vazhdimësi të një trashëgimie  te vyer, në kryeqendrën e kulturës shqiptare… Këtë mirëkuptim të ngjizur tek fjala e  “Madhe” e kanë treguar shkodranët edhe në ndërtimin e Kishës së Madhe  apo të kulteve të tjera duke qenë në krah të njeri tjetrit. Po cila është ecuria e këtij ndërtimi solid,150- vjeçar…  Ishte 7 prilli i vitit 1858, dita e ceremonisë zyrtare  për ngulitjen e piketave të një konstruksioni  me përmasa (75.5m gjatësi, 40m gjerësi, 23.3m lartësi) ku zbatohej  projekti i një inxhinieri austriak. Në këtë ceremoni morën pjesë shumë personalitete të klerit katolik, shumë nga populli i thjeshtë, ku në mes tyre kishte edhe myslimanë.

Vlen për t’u përmendur se Ai që mbajti fjalën e rastit në këtë eveniment ishte një mysliman, Daut  Boriçi. Një intelektual i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare, me një kontribut të lartë në zhvillimin e arsimit kombëtar ,në fushën e gjuhësisë dhe në jetën politike (Kryetar i Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, i internuar nga qeveria turke për këtë aktivitet). Në atë kohë, Daut Boriçi, ishte Drejtor i Arsimit dhe fjalën e mbajti në emër të  parisë së qytetit…

Ky ishte modeli më i bukur për Shkodrën, ku një mysliman, bile edhe Hoxhë, kryeson fjalimet e rastit,në hedhjen e themeleve te kishës katolike. Tani për nga madhësia ,kjo nuk ishte thjeshtë një Kishë, por një Katedrale, e cila bëri jehonë që në themelimin e saj.Vetë Sulltani dërgoi 700 lira turke, Papa Piu  IX dërgoi 1000 skuda , Franc Jozefi (që atë ditë  martohej) dhuroi  150 Nap .flori. Përveç parave që u mblodhën nga populli bujar i qytetit dhe i rretheve, deri në Malësinë e Madhe. Është e veçantë, që ambasadori rus hodhi në themele  xhamadanin e stolisur me ar në shenjë bujarie. Në të vërtetë  ndërtimi zgjati shumë vite, por kush nuk ndihmonte atje me të gjitha mjetet që dispononin. Dashuria për të pasur shtëpinë e zotit  i bashkoi shkodranët, qytet-fshat-malësi me një vullnetarizëm të paparë. Në fund, ky konstruksion u bë i dallueshëm edhe në Ballkan.

Në këtë katedrale, punoi pa u lodhur nga viti1909, skulptori, piktori, fotografi, arkitekti, inxhinieri shkodran  me origjinë çame, Kolë Idromeno (1860-1939). Ai ishte nxënës i devotshëm i Pjeter Marubit, i cili e këshilloi të edukohej në shkollën  më të mirë të Venecias, prej së cilës erdhi në Shkodër si dhuratë për kulturën tonë. Pikturat e Kolë Idromenos ia shtuan vlerat këtij ndërtimi madhështor.

Në sfond gjendej piktura murale “Qyteti i Shkodrës  me  Rozafën në krye,  si mbrojtëse e  qytetërimit shekullor.”

 Po ashtu piktura Zoja e Shkodrës e ndjekur me dy engjëj të cilët, artisti i madh, i kishte paraqitur me kostume kombëtare qytetare shkodrane. Për fat të keq kjo godinë madhështore, goditjen e parë të qëllimuar, e mori në kohën e rrethimit të Shkodrës me 1913. Në atë ndërtesë ishin strehuar më shumë se një mijë vetë. Gjatë kohës së bombardimit, zjarri arriti deri te kumbonarja  dhe u dëmtua më shumë se gjysma e ndërtimit. E gjithë kjo luftë e ashpër vinte nga një armik i jashtëm që kishte qellim, pushtimin e qytetit  të lakmuar prej tyre. Pas rehabilitimit të Kishës, asgjë nuk e cenoi mirëkuptimin fetar në Shkodër, përkundrazi u bë edhe më i fortë. Një gjest bujar dhe fisnik vjen nga i Madhi Atë Fishta, i cili fill pas daljes nga rrethimi i  Shkodrës, kur u kremtua Festa Kombëtare, me 28 Nëntor 1913, lidhi përjetësisht  kandilat e dritave nga Kisha Françeskane me Xhaminë e Fushës Çelë, në shenjë solidariteti ndërfetar dhe kombëtar…

Pas shumë vitesh, një goditje tjetër, po i ofrohej. Viti famëkeq i 1967, erdhi si një termet rrafshues.

Idetë e komunistëve duheshin zbatuar. Përbindëshi i diktaturës, pasi zhduku njerëzit e dijes e të kulturës duhet të mos linte as gjurmën më të vogël edhe në arkitekturë,edhe  kur ajo kishte vlera historike,morale e shpirtërore.

Shteti monist kishte aktivizuar inxhinierët e qytetit për të tjetërsuar godinat e kulteve. Për Kishën e Madhe ishte caktuar inxh.Bujar Golemi (i emëruar në atë kohë si inxh. Ndërtimi dhe jo Inxh. shkatërrimi)

  Inxhinieri, në atë kohë ishte në moshë të re, me një reputacion të mirë në shoqëri dhe në rrethet intelektuale. Ishte djali i mësuesit të nderuar shkodran, Qamil Golemi.

Krahas punës si inxhinier, Bujari, merresh me basketboll dhe ishte një ndër  trajnerët e dalluar të ekipit “Vllaznia”.

Njihej si djalë punëtor, organizator i ekuilibruar, por si natyrë siç e thoshin shoqëria e tij ishte fjalë pak e punë shumë. Ishte martuar me Lili Zajmin, mësuese matematike, motra  e një të arratisuri politik në Amerikë. Kjo e bënte që të ishte i tërhequr nga tavolinat e kafeneve, paçka se Ai vetë e kishte rikonstruktuar dhe modernizuar “Kafen e Madhe” në qendër të qytetit sipas investimit të kohës.

Aktiviteti i tij shtrihej punë- sport- familje, vlen për t’u theksuar se, edhe në familje luante një rol  kryesor në harmonizimin e marrëdhënieve vëllazërore.

 Ngarkesa që mori përsipër nga urdhri qeveritar duhej plotësuar. Përpara inxhinierit dilnin dilema të mëdha:Të shkatërronte vlerat e konstruksionit në formë e në përmbajtje  e të flinte rehat, siç bëri inxhinieri tjetër që e prishi deri në themel Xhaminë e Parrucës,  ndërtim i vitit 1939, apo të mendonte ta tjetërsonte në një objekt tjetër shumë  të përdorur. Të realizonte këtë të dytën, duhet ta justifikonte deri në detaj çdo modifikim që do të bënte, sepse ndryshe, asaj politike, nuk  i gjendej karari, ishte politikë “hyp se të vrava, zbrit se të vrava”. Pra, duhej bërë një plan dhe duhej gjetur një gjuhë që të mos vriste keq në qeveri, po edhe në popull, duke ditur se çfarë lidhje kishin njerëzit me këtë tempull.

Inxh.Bujari,pas shumë projekteve dhe netëve pa gjumë , e bëri vetë punën e Orakullit. Nuk donte që të përsëritej sindromi i Kalasë së Shkodrës “Puno ditën dhe rrëno natën”, por ta zëvendësonte me “Mendo natën dhe puno ditën”, pra vendosi ta ruante ndërtesën pa e prekur fare dhe ta tjetërsonte në një qendër sportive.

Mendonte se, do të bëhej i besuar, pasi vetë ishte sportist (sa për dijeni, ai ishte sportisti dhe trajneri  i Vllaznisë që i solli Shqipërisë fitoren e parë, jashtë shtetit, në edicionin e Kupës së Europës në basketboll për meshkuj, kur luajti  me skuadrën turke  “Gallata Saraj”, në Stamboll.)

 E dyta, ai nuk i përkiste fesë katolike, që  qeveritarët antife,  të mendonin të kundërtën.

 E treta,qyteti i Shkodrës nuk kishte një qendër sportive të lojërave me dorë të mbuluar, kështu kjo përshtatje do të plotësonte një boshllëk për të cilën, kishin  nevojë

qytetarët. Në fillim u ndesh me kundërshtime, por ishte i gatshëm për çdo përgjigje sepse e kishte mirëmenduar planin që do të zbatonte. Tavanin me dërrasa e ruajti, atë, e kishte punuar me aq mjeshtëri inxhinieri Kolë Idromeno. Gjithashtu, ruajti Altarin dhe Kupolen së bashku me  dy kollonat  dhe kornizat duke i justifikuar se i duheshin për të vendosur ndriçimin e sallës ku nuk do të dukeshin instalimet, ndërsa kollonat me gurë të latuar i veshi me dërrasa për t’i maskuar.

Po kështu veproi edhe  me pikturat murale,ato me motive fetare  i  leu me gëlqere , që një ditë me një gërvishtje të lehtë mund të dalloheshin si me parë. Pikturat e kalasë e të qytetit, nuk i preku fare, ato e ruajtën deri tani  dorën e ndritur të piktorit K.Idromeno.

Qelën, vendin, ku rrinin priftërinjtë e la të paprekur, duke e justifikuar se nevojitej si hotel për sportistët .

Deri në 80-85% të punimeve kishte ruajtur  edhe kompanjelin, duke e justifikuar te zyrtarët që të përdorej si Belvedere nga ku mund të shijoheshin nga lartësia, pamjet e qytetit. Këtë nuk mundi ta realizonte sepse kur erdhi një ekip nga Tirana për të parë punimet, i thanë se nga jashtë Kisha nuk ka ndryshuar fare,  prandaj kompanjeli duhet të hiqej. E pati të vështirë ta bënte këtë sepse edhe për kompanjelin kishte punuar 5 vjet arkitekti Kolë Idromeno, për ta ngritur në lartësi me shkallë spirale të menduara  mjeshtërisht prej tij. Si përfundim përshtatja e Kishës në Pallat Sporti u prit mirë si nga paria e qytetit ashtu edhe nga Tirana. Pallati filloi të funksionojë duke e rritur më shumë popullaritetin në frekuentim. Edhe pse ajo u transformua në një objekt tjetër, emrin “Kisha e Madhe” nuk e humbi kurrë. Gratë katolike, të cilat kishin mundur të merrnin e të ruanin pjesë të hedhura gjatë punimeve, nuk mungonin t’i bënin ritet fetare, duke pasur përballë faltoren e tyre dhe e uronin inxhi.Golemin “Uratën tonë more djalë që na e le në këmbë derën e Zotit.

Viti 1990 erdhi si ogur i mirë për të gjithë shqiptarët, lajmëroi lirinë shpirtërore.

Të gjithë besimtarët pa dallim feje, me një solidaritet vëllazëror u nisën drejtë rindërtimit të kishave dhe xhamive, fillimisht ato që ishin në këmbë. Myslimanë dhe katolikë e patën më të lehtë të sillnin në gjendjen e mëparshme Kishën e Madhe dhe Xhaminë e Plumbit. Kështu Kisha e Madhe u rehabilitua shumë shpejt, sepse inxhi.Golemi ua kishte lënë gati çdo gjë. Mendimi i inxhinierit mori vlera reale sa edhe vlerat e Katedrales. Po të kishin punuar edhe të tjerët si punoi dhe mendoi inxhinieri në fjalë, shumë konstruksione do të ishin ruajtur. Kisha e Madhe  u bë shpejt simbol i paqes i solidaritetit, i dashurisë njerëzore. Ishte 7 Marsi i vitit 1991, kur  u hap Katedralja nga At’ Aleks Baliqi  dhe Mesha e parë u celebrua nga Don Zef Simoni në prezencë të Nënë Terezës dhe të mijëra besimtarëve. Por nuk vonoi 25 prilli i vitit 1993, kur Gjon Pali i Dytë vizitoi Shqipërinë, vizita e parë e një Pape në vendin tonë. Hirësia e tij e bekoi tokën shqiptare të nëpërkëmbur prej regjimit komunist. Ishte një pritje e rrallë me një solemnitet hyjnor.

Është po kjo Kishë që priti të mbijetuarin e terrorit komunist, Kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi, i cili u varros po aty me 28 Janar 1997 për t’u përjetësuar në kohëra,vepra e tij. Katedralja priti edhe shumë personalitete nga Vatikani, të cilët nuk kaluan pa e përshëndetur Inxhinier Bujarin, Inxhinieri u gjend i befasuar përballë tyre, ai nuk e kishte menduar se dikush, ndonëse nga larg, kishte akumuluar aq shumë respekt për të,  për  t’ia shprehur një ditë, konsideratën e tyre  të lartë për  inxhinierin. Ata u shprehen  me admirim: “Ju e ruajtët autenticitetin e Kishës që ne  nuk mund ta ribënim  kurrë  në formën e parë,atë konstruksion 150- vjeçar, sado  që  të mundoheshim.

Takimi me përfaqësuesit e Vatikanit i ngjalli shumë emocione inxhinierit, por falënderimet dhe mirënjohja që ata i shprehen Atij  për veprën e mirëmenduar, i ofroi miqësi. Mos të harrojmë se kemi të bëjmë me një personalitet që në zjarrin e luftës së klasave tregoi maturi dhe kurajo për të qenë më afër popullit të tij, duke u bërë simbol i shpirtit të gjerë e tolerant të shqiptarit.

Qytetarët e Shkodrës e vlerësuan dhe e respektuan në tërësi kontributin e Inxhi. Bujar Golemit, duke e zgjedhur Deputet të Partisë Demokratike, në legjislaturën e parë të Parlamentit të ri shqiptar. Sa për dijeni, ata që e votuan me shumë, ishin të zonës elektorale, ku predominonte elementi katolik, duke mënjanuar rivalin e tij socialist që i përkiste fesë katolike. Edhe pse kanë kaluar vite, dikush duhet të kujtohet për ta paraqitur këtë vlerë njerëzore sepse është shembull i mirë për brezat, sidomos sot që krijohen konflikte që nuk janë të pranueshme  për Shkodrën, si model i tolerancës, e as për mbarë Shqipërinë. Sot më shumë se kurrë duhet të ushqehemi me dashuri, respekt dhe mirënjohje për njëri -tjetrin, pa dallime në diferencat politike, fetare e njerëzore për ta konsoliduar me zotësinë tonë të ardhmen. Mirënjohje dhe admirim për të gjithë ata që kontribuojnë me vlera pozitive për vëllazërimin  dhe  progresin e shoqërisë shqiptare.