Pertef Bregu/ Polici e Shtetit apo çetë?

51
Para disa ditësh, duke pirë kafe, një miku, me të cilin po pija kafe, pasi u ngrit nga kafeneja dhe iku një kuadër me gradë të lartë policie, më pyeti: E njeh këtë zotëri? Po, more, i thashë, është një prej eprorëve të mi. Pse më pyet?” dhe ai filloi të më tregonte se e kishte nga fshati dhe se si një ditë të bukur la kopenë me dhi dhe u vesh polic i thjeshtë, edhe pse kish vetëm arsimi tetëvjeçar. Ndërsa tani, siç e sheh, më tha, ka marrë gradë të lartë. Desha ta kundërshtoja, duke i thënë se ai ka diplomë universitare. Por ai e dinte shumë mirë se si, kur dhe ku e kish marrë edhe atë diplomë universitare dhe në vitin 2007 mori atë gradë të cilën e gëzon edhe sot, gradë më e lartë se edhe e imja që kam arsimimin e lartë profesional.

Bazuar në këtë tregim, më lindi mendimi të bëj këtë shkrim për këtë dukuri që nuk është e pakët në radhët e policisë së shtetit, dukuri që ka vijuar në këto 25 vjet e vijon ende. E shkruaj edhe për faktin tjetër, se gjatë vitit 2013, në fushatën elektorale u premtua shumë nga opozita e atëhershme se kjo dukuri nuk do të njihej më në radhët e policisë shqiptare. Po çfarë ndodhi në të vërtetë? Shumë, shumë pak ndryshime. Sistemi i gradave, pjesa më e shëmtuar e tij, nuk është prekur fare. Pavarësisht se ne të kategorisë pa miq e pa anëtarësi partish nuk na vjen mirë, por ata i kanë e do t’i gëzojnë këto privilegje, sepse kanë qenë e janë militantë partish, mercenarë votash e falsifikimesh apo prishës provash, por edhe farefis me politikanë të ndryshëm, duke mos u marrë parasysh se të cilit krah janë. Vetëm ne në polici e shohim më qartë nga të tjerët se partitë grinden në Parlament për të mashtruar popullin, por në të vërtetë shumica e politikanëve të të dy krahëve janë një e të pandarë, farefis dhe bashkëshpërdorues të pasurisë kombëtare të të gjithë krahëve, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, raste, të cilët nuk e kanë të gjatë qëndrimin në politikë. Nga kjo rrjedh edhe pasoja që shumë punonjës të aftë të policisë (me uniformë) qëndrojnë në vend, pa i futur në gara e testime, sepse nuk kanë askënd që të ndërhyjë për ata tek ministrat e drejtorët. E gjithë kjo kategori pa miq e pa përkrahje partiake konsiderohet me shprehjen: “të atyre”. 

Dikush mund ta kuptoi shprehjen “të atyre”, simpatizantë të PD apo të PS, por jo. Me shprehjen të atyre ata e dinë shumë mirë se për kë e kanë fjalën: të popullit, të atij krahu që nuk manipulohen, që i binden vetëm ligjit, ministrit apo drejtorit direkt. Prandaj me të drejtë mund të themi se policia është shndërruar në një çetë, e cila nuk duhet të preket, pavarësisht se cila forcë politike është në mazhorancë, ngaqë i lidhin fije të dukshme e të padukshme interesash përfitimi në rrugë të padrejta. Ndaj dhe ruhen gjithmonë vendet e punës dhe gradat me qëllim që t’u kthejnë shpërblimin atyre që u rrinë në mbrojtje në distancë e që i lënë në të njëjtat pozicione. Dhe vërtetë, ata bëjnë sikur punojnë, por gjithë ditën i sheh vetëm nëpër kafene, duke marrë nëpër gojë ne “zezakët”, (ata pa miq), sikundër na quajnë me zë të ulët në bisedat mes tyre. Kjo lloj çete brenda radhëve të të gjithë zinxhirit komandues të të gjithë strukturës së policisë, njësoj si dje, edhe sot, godet gjithmonë të aftët, me qëllim që të mos dalin në pah paaftësitë e tyre. Dhe këtë guxim e marrin nga mbështetjet politike që kanë në çdo radhë shkëmbimi të pushtetit. E gjithë kjo strategji është me qëllimin e thjeshtë, për t’i bindur “zezakët”: “Ne ishim e ne jemi, ne do të jemi përsëri në krye, prandaj uleni kokën, ndryshe banane do të shisni”.

 Dhe të gjithë këta që nuk lëvizin nga postet drejtuese janë shumica me prejardhje agronomë, veterinerë, mësues me pedagogjike, karrocierë, fermerë, shoferë, policë komunash me 8-vjeçare (shumica me diploma si ai që e treguam më lart), ndërsa ata që vijnë nga shkollat e ndryshme ushtarake quhen “ata të sistemit të vjetër”. Shpresuam shumë në zgjedhjet e fundit, por ja që edhe sot vlerësohen servilët, shpifësit, intrigantët, marifetçinjtë, batakçinjtë, puthadorët, prandaj dhe në shumicën e punonjësve të thjeshtë të policisë së shtetit çdo ditë qarkullon proverbi: “Që në shekuj rron e thëna: qengji urtë pinë dy nëna; por nuk dini më të renë, pi servili gjithë kopenë”. Dhe “kopeja” e politikanëve është goxha e madhe, ka atje nga të gjitha llojet e bagëtive. Çudia është se e dinë të gjithë nivelet drejtuese të policisë këtë gjendje, por heshtin. Pse heshtin? Sepse ekzistojnë lidhjet nepotike dhe korrupsioni. Po çuditërisht heshtin edhe monitoruesit ndërkombëtarë të policisë, të cilët janë ata që i vlerësojnë të aftit me vlerësimet maksimale dhe e shohin që po këta të vlerësuarit shumë të mirë prej tyre, vijojnë të qëndrojnë në pozicionet e thjeshta sikundër qenë para testimit! Pse vallë? Sepse tentakulat e korrupsionit duhet të kenë mbërritur deri tek ata. S’ka si të shpjegohet ndryshe. E themi këtë me bindje sepse, ndryshe nuk do të heshtnin edhe në rastet kur polici i testuar nuk e merr dot kursin bazë të policisë, përsëri ai rikthehet në vendin që kish, madje goxha detyrë. Nëse do të thotë dikush se këta ndërkombëtarët nuk e kanë atë të drejtë, atëherë lind pyetja: Pse vinë atëherë? Nëse është kështu, këtë gjë mund ta bëjë thjeshtë kompjuteri, dhe nuk paguanim as rrogat e tyre shumë të larta.

A mund të rregullohet diçka në polici? S’ka asgjë që mos të rregullohet, vetëm po të mos ekzistojë dëshira e drejtuesve të lartë. Po si? Ja një rrugë që propozojnë “zezakët”. Të hapet konkurrimi i gjerë për tërë sistemin e gradave të rolit bazë drejtues, ku secili të marrë atë që i takon. Por komisioni të përbëhet vetëm nga ndërkombëtarët, dhe rezultatet të jenë transparentë qysh në momentin e mbarimit të tij, ndryshe do të fshihen ose do të manipulohen rezultatet, sikundër ndodhi edhe në këta dy vitet e fundit. E theksojmë që të jenë ndërkombëtarë, pasi tek drejtuesit vendorë as që mund të besohet se mund të ketë drejtësi e paanësi. Ky konkurrim të mos jetë empirik, por sa më i thellë në dije profesionale dhe kulturë të përgjithshme dhe atëherë do të shihet se kush e ka diplomën të blerë e kush e ka me djersë.