Përse Rama nuk gëzon mbështetjen e Perëndimit

567
Sigal

Situata politike dhe ekonomike në vendin tonë është e pranishme në çdo ambient, në çdo kohë dhe në çdo eveniment. Mund të jesh duke pirë një kafe dhe bashkëbiseduesi e përqendron bisedën tek Berisha dhe Rama. Madje, edhe në dasma, pse jo edhe në ceremoni mortore, të gjithë këta mbajnë në gojë. Nuk është çudi, por një realitet që njerëzit në këto ambiente rrinë afër së njëjtit mendim dhe kur koinçidon që kanë mes tyre kundërshtarë, të dy palët shajnë pas largimit njëri tjetrin. Në të vërtetë Berisha dhe Rama janë dy personazhet që po sundojnë politikën e ditës, megjithëse kur vjen fjala për të vjelë ndonjë të mirë si emërime, etj., afrohen edhe përfaqësuesit e partive të vogla për të përfituar diçka. Kjo nisur edhe nga thënia popullore se “të lypësh është turp, por në fund të fundit nuk del pa gjë”. Por çfarë përfaqësojnë në vetvete me veprimet dhe aktivitetin e tyre të përditshëm politik dhe social Berisha dhe Rama? Duhet pranuar që Berisha në aspektin populist dhe mediatik të ngjan sikur ka marrë rolin e Don Kishotit, se për të gjithçka është fushë me lule dhe se na ka frikë edhe vetë Gjermania se mos ia kalojmë dhe zëmë vendin e parë në drejtim të lirisë, kulturës dhe zhvillimit ekonomik! Me të njëjtat “armë” përgjigjet nga ana tjetër Rama, kur merr përsipër rolin hamletian se gjithçka është e zezë, e errët dhe pa shpresë. Pra të dy janë në llogore të ndryshme dhe larg realitetit të vendit. Berisha duhet të zbusë së tepërmi optimizmin e shtuar dhe duhet të luftojë me realitetin, nëse do të vazhdojë të qeverisë edhe pas vitit 2013. Nga ana tjetër, edhe Rama nuk mund të errësojë shpresën e shqiptarëve pasi në të kundërt “ne keq që keq jemi” mendojnë qytetarët. Rama duhet t’u tregojë shqiptarëve se sa shpejt do mbylli plagët e kriminalitetit dhe të rimëkëmbë ekonominë e vendit. Po si mund të besojnë dhe të shpresojnë shqiptarët, kur që në fillim Rama u thotë që “unë jam me shtëpi me qira”? Më tej, kur ti nuk zgjidh dot hallet e shtëpisë tënde, si mund të shpresoj unë se do të zgjidhësh të mijat? Pikërisht, këto turbulenca të tij të shprehura vazhdimisht përpara  së majtës që është forca më e madhe në vend e bëjnë atë mosbesues për politikën dhe stabilitetin e brendshëm në të ardhmen. Në aspektin e politikës së jashtme Berisha është shumë më profesionist dhe di të vërë mirë në zbatim parimin se “dora që nuk kafshohet, puthet”, ndërsa Rama dërgon telegrame dhe u thotë kancelarive që do ju mbyll bizneset sapo të vij në pushtet. E thënë në version e mësipërm popullor “dora që nuk kafshohet, pritet fare”. Pikërisht këtë kanë parasysh diplomatët e huaj që e quajnë Ramën të papërpunueshëm dhe me mungesë vizioni. Kjo edhe për faktin se Rama në PS i trajton deputetët dhe strukturat si të punësuarit e ish-Bashkisë së Tiranës dhe jo si një grup njerëzish që, me vullnet të lire, afrohen apo largohen nga partia. Madje edhe ndërkombëtarët shpesh ai kërkon t’i shohë me syrin e njëjtë si ata ish-punonjës apo punonjëse të bashkisë që mund t’i fyesh e t’i shash me çfarëdo lloj zhargoni që të vjen ndër mend. Këto dhe shumë të tjera kanë pasur parasysh perëndimorët kur kanë ngurruar t’i japin mbështetjen dhe e vunë në provë Ramën pas viteve 2000. Madje ka pasur gjatë kësaj periudhe edhe shumë lëvizje të ish-ambasadorëve të fuqishëm që kanë tentuar të luajnë rolin e moderatorit, pasi shijuan me të drejtë ngjyrat e fasadave të Tiranës dhe shpresuan tek Rama i parë i bashkisë. Por më vonë ata u tërhoqën, pasi panë një njeri të paqëndrueshëm dhe që në çdo moment mund të hapë probleme të brendshme dhe rajonale. Të gjitha këto, më mirë se kushdo tjetër i di Rama, pasi nga zyra e tij e bashkisë ambasadorët perëndimorë nisnin rrugën për lobing ndaj Ramës në administratat e tyre.  Dikur më thoshte një miku im se Rama ka ndërhyrë deri në nivelet më të larta perëndimore për t’i dhënë mbështetje dhe suport të fuqishëm politik dhe mediatik, (kuptohet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të ambasadorëve të këtyre vendeve), por shpejt ata u bindën kur kontaktonin me të se Rama e kishte më kollaj të luante me telefon dhe sms se sa të bashkëbisedonte, pikërisht me ata njerëz që i kishin ardhur në zyrë dhe po mendonin nëse duhet apo jo ta trajtojmë Ramën si shpresa  e politikës së re. Dhe ky zhgënjim nuk vonoi, pasi dalëngadalë Rama, sikurse u ngrit edhe u venit dhe 2013-ta pritet të jetë një disfatë për të, por mbi të gjitha një fatkeqësi për demokracinë dhe të majtën shqiptare. Zgjedhja e Presidentit të vendit pas fajit të rëndë të Ramës me ndryshimet kushtetuese që i ofroi Berishës në këmbim të listave të mbyllura për deputetë, u pasua me ndryshimet zinxhir në KLD, dhe së fundi në SHISH. Ndryshimi i shpejtë i kreut të SHISH-it, ishte një goditje e fortë për t’i prerë Ramës “fijet” që e informonin për problemet e ndryshme, pjesë e aktivitetit dhe punës së këtij organi.  Madje një tjetër mik i shqiptarëve para pak kohësh thoshte se Rama po bën gabime të pafalshme që, në radhë të parë dëmtojnë karrierën e tij si politikan, pastaj  edhe forcën që mban gjallë demokracinë dhe që është opozita e një vendi. Nuk ka simpati të pakufishme për Berishën, por nuk ka asnjë garanci se Rama është njeriu i përshtatshëm për ta pasuar atë në krye të qeverisë. Socialistët janë një forcë e madhe dhe se mes tyre ka me qindra mijëra kuadro dhe figura që duhet t’i japin vendin që meriton së majtës shqiptare. PS-ja mund të vijë në pushtet, por kurrsesi me Ramën Kryetar dhe kandidat për Kryeministër. Pas dhjetë muajsh janë zgjedhjet dhe socialistët do binden se njeriu që i mban në opozitë është Rama. Nëse Nano do ishte larguar nga Kryeministër në 2004 dhe në vend të tij të ishte vendosur një tjetër socialist, ashtu sikurse iu kërkua, në  2005-n PS-ja do ishte përsëri në pushtet. Nano e kuptoi, por ishte tepër vonë. Kurse Rama ka kohë të reflektojë dhe socialistët të mos mbeten në opozitë në vitin 2013-të prej tekave të tij.

Drejtor i “Telegraf”