Përpjekjet e organizuara dhe bashkërenduara janë më efikase se ato individuale, zoti Çelmeta

572
Sigal

Përgjigje shkrimit të zotit Xheladin Çelmeta në gazetën “Telegraf”

E lexova artikullin e zotit Xheladin Çelmeta rrugës së Qafë- Kërrabës, duke shkuar për në Elbasan, ku Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Dega Elbasan, kishte konferencën e vet zgjedhore. Për dijeninë tënde dhe të atyre ushtarakëve në rezervë, të cilët nuk e dinë, Shoqata jonë ka më shumë se dy muaj që po vazhdon procesin zgjedhor, duke filluar nga degët në rrethe dhe në 11 njësitë bashkiake të Tiranës e deri të Asambleja Kombëtare. Nga shkrimi i yt, konstatoj, me kënaqësi, se ushtarakët përfundimisht kanë filluar ta kuptojnë se luftën duhet ta bëjnë jo midis tyre, por për interesa të përbashkëta, pavarësisht kujt shoqate i përkasin. Ndërsa SHKURSH ka bërë opozitë ndaj qeverisë dhe qeverisjes për problemet që lidhen veçanërisht me interesat e ushtarakëve, dikush tjetër, nga padija apo vetëdija, është marrë me opozitën ndaj kësaj Shoqate dhe jo opozitën ndaj qeverisë, për problemet e ushtarakëve. Megjithatë nuk dua të merrem me këtë problem, pasi nuk jam marrë deri më sot dhe nuk dua që forcat dhe energjitë tona të adresohen kundër kolegëve tanë, por kundër përgjegjësve reale të problemeve tona, politikës në tërësi dhe një pjese politikanësh, të djathtë e të majtë, në veçanti. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të SHKURSH, të muajit prill, vendosëm të mos sulmojmë asnjë koleg tonin, pavarësisht kujt shoqate i përkiste, por, përkundrazi, të gjenim pika të përbashkëta bashkëpunimi, të bashkuar në një shoqatë ose jo, në interes të ushtarakëve. Por e keni vënë re se ky pakt nuk ka gjetur zbatim te kolegët tanë, të cilët vendosën dikur të ndaheshin dhe sot kërkojnë të bashkohemi, por “në një formë të re”. E thashë edhe më lartë se nuk dua këtu të merrem me këtë, pasi është normale që kush ka përçarë, duhet të ndjejë përgjegjësinë dhe ta mbyllë atë plagë që ka hapur. Dhe nuk po vazhdoj në këtë linjë se nuk i gjendet fundi. Edhe CIOR e EUROMIL janë dy shoqata ndërkombëtare, me specifikat e tyre, por askush nuk shqetësohet për “bashkimin” e tyre dhe asnjëra prej tyre nuk sulmon tjetrën. Të njoh dhe e di që bën pjesë në atë grup që lufton për të drejtat e ushtarakëve, për më tepër se bën pjesë, si dhe unë, në grupin më të prekur nga cungimi ligjor i viteve të fundit, atë të ushtarakëve në pension të parakohshëm apo, ndryshe, në rezervë. Nga kjo marr shkas, që jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë ata ushtarakë që janë relativisht “jashtë” shoqatave të ushtarakëve të sqaroj edhe disa elementë, të cilat i trajtonit në artikullin tuaj. Jam plotësisht dakord që shoqatat e ushtarakëve nuk mund të kthehen në parti politike, as edhe nuk mund të bëjnë marrëveshje politike, pasi politika është dhe do të jetë, gjithmonë e më shumë në të ardhmen, alternative, me rotacion, dhe interesat, sidomos ato ekonomike, të ushtarakëve nuk mund të jenë vetëm me njërin krah dhe më tjetrin të fshihen, pasi kjo më kujton atë skeçin, i cili thotë “eja partizanët e çil, eja ballistët e mbyll”, pra çil e mbyll. Shoqatat janë gjithmonë opozitare të qeverisë për interesa të anëtarësisë së tyre dhe gjithmonë bashkëpunuese, po për interesat e anëtarësisë së tyre, i kushtëzuar ky qëndrim nga shkalla e zbatimit dhe respektimit të të drejtave të ushtarakëve nga qeveritë përkatëse. Shoqatat mund të bëjnë vetëm marrëveshje institucionale dhe asnjëherë politike, pasi kalohet nga interesi i përgjithshëm në atë personal. Gjithashtu, zoti Çelmeta, përsëri jo vetëm për ju, por për të gjithë ata ushtarakë që nuk e dinë, sepse nuk bëjnë pjesë në shoqata, puna për përpunimin dhe ndryshimin e statusit të ushtarakut ka filluar menjëherë pas miratimit të aktit normativ, pasi, jo vetëm akti, por edhe ligjet para tij janë në kundërshtim me statusin e ushtarakut, i cili është ligj themelor për ushtarakët dhe duhet të miratohet me 3/5 e votave. Për këtë, ne si Shoqatë, kemi marrë menjëherë informacion në rrugë informale, pasi mendohej të kalonte pa u diskutuar me grupet e interesit, dhe i kemi dërguar vërejtjet tona ish- Shefit të SHP të FA, zotit Maksim Malaj dhe më vonë, duke menduar se mund të pretendonte se nuk i kishte mbi tavolinë, ia dërguam edhe zotit Xhemal Gjunkshi. Asnjeri prej tyre nuk na ktheu përgjigje, por di që ato vërejtje janë diskutuar, pasi më tepër se këdo tjetër preknin ushtarakët në rezervë dhe ata që janë ende në detyrë, por do të dalin në rezervë në të ardhmen. Për këtë kemi mjaft informacion dhe mund të vish e të njihesh me të, por duke qenë këtu, po ta them me shumë dashamirësi dhe mjaft shoqërisht, se e mira është të jesh anëtar i një shoqate, të kesh triskën e anëtarësisë dhe të paguash kuotizacionin, pasi do të kesh jo vetëm informacionin e nevojshëm, por do u japësh një kuptim dhe një mbështetje më të madhe edhe përpjekjeve të tua për çështjet e ushtarakëve. Përveç kësaj, anëtarësimi në shoqatë, bën që edhe kur shkon në konvaleshencë të mos të të lënë jashtë, pasi dokumenti ynë i anëtarësisë është i njohur dhe, deri më sot, kur je i pajisur me të, askush nuk të ndalon të hysh edhe në konvaleshencën ushtarake. E dimë se e mira është që ushtarakët në rezervë të kenë një dokument dhe, deri para më shumë se një viti, ishim gati ta realizonim këtë gjë, por statusi i ushtarakut nuk e përcaktonte, dhe dikush u kujtua ta anulonte. Për të ngushëlluar veten time, ty dhe koleget e tjerë, deri më sot, as ushtarakët aktivë nuk e kanë një dokument të tillë. Ata kanë vetëm fletë hyrjet e reparteve përkatëse, ndërkohë që ushtarakët aktivë, të cilët shkojnë edhe në luftë, duket të kenë mjaft elemente të tjera dalluese për t’u identifikuar, në rast se bien në krye të detyrës. Nuk ka nevojë të më citosh mua, sepse prej vitesh, ministrave të ndryshëm të Mbrojtjes u kemi kërkuar të zbatojnë gjithçka përcaktohet në statusin e ushtarakut, por problemi ekonomik, pensionet, janë primare dhe mos zgjidhja plotësisht e tij i zbeh gjithë problemet e tjera. Shqetësimi ynë më i madh sot duhet të jetë për ata qindra oficerë në rezervë, pension të parakohshëm, të cilëve pensioni u është ulur në masën e pensionit minimal dhe janë shpallur debitorë dhe jo bashkime formale, duke shkelur më të dy këmbët vendimin nr. 33 të Gjykatës Kushtetuese. Sikur në protestat për Aktin Normativ të kishin dalë më shumë oficerë dhe nëse dikush edhe dy anëtarë që kishte në proteste u telefonoi të largoheshin nga protesta, gjendja nuk do të ishte kjo e sotmja. Veprimi i përbashkët është domosdoshmëri, çdo gjë tjetër po të jetë e domosdoshme, vjen natyrshëm. Asnjë lloj bashkimi nuk bëhet me dhunë, le të shkruajmë sa të duam ne të dy apo të tjerë si ne. Duke e përfunduar, theksoj se, realisht, statusi i ri, nëse do të miratohej ashtu siç ishte, do të bënte jo një hap, por disa hapa  mbrapa. Ai kërkohet të miratohet si një ligj i vetëm së bashku me ligjin për karrierën ushtarake dhe ligjin për disiplinën, duke e kthyer nga një ligj organik, themelor, në një ligj të zakonshëm, ashtu si dy bashkudhëtarët e tij. Ne jemi në ndjekje të procesit të tij dhe do të përpiqemi ta bllokojmë në grupet parlamentare, në komisionet përkatëse dhe në parlament, në rast se do të jetë retrogradë. Prandaj, eja i dashur Xheladin, bëhu pjesë e shoqatave, aty ku mendon se të përshtatet, megjithëse je në rezervë dhe do japësh më shumë për ushtarakët. Ne nuk jemi xhelozë se ku anëtarësohesh, por anëtarësimi është domosdoshmëri, se ndryshe, nuk dua të të ofendoj, por merr ose rolin e profesorit ose të të paditurit. Lufta dhe përpjekjet e përbashkëta, të organizuara dhe bashkërenduara janë më efikase se ato individuale. Asnjë shoqatë nuk mund të mbijetojë pa anëtarësi dhe pa kuotizacion. Detyra jonë është vullnetare në interesin e përbashkët të komunitetit ushtarak, prandaj bashkëngjituni realisht në këtë punë vullnetare. Sidoqoftë, të përgëzoj, pasi personalisht mendoj se, është një artikull, i cili fillon t’i shikojë dhe trajtojë problemet e ushtarakëve ashtu siç duhet. Ushtarakët nuk duhet të shikojnë bindjet apo përkatësitë politike të secilit, por, pavarësisht tyre, aty ku ndodhen, me ato bindje që kanë në mjedisin e veprimit të tyre, të kenë gjithmonë në qendër të vëmendjes problemet që lidhen me tërësinë e komunitetit ushtarak dhe jo të luftës don-kishoteske brenda llojit. Karriera jonë ushtarake ka marrë fund, ndërsa në shoqatë jemi të barabartë, pavarësisht gradave të dikurshme.