Përparim Halili/ Një mesazh, nga Julinda Çulli: “Ke harruar mësuesen time…!”

770
Sigal

Në gjithë aktivitetin tim si gazetar, shkrimi që më ka “sjell’ më shumë reagime, ka qenë shkrimi i botuar pak ditë më parë në gazetën “Telegraf”, me titull: “Shkolla dhe mësuesit e paharruar të Memaliajt”. Përveç historisë afro 65-vjeçare të shkollës së këtij qyteti, në atë shkrim kisha publikuar edhe një listë me emra mësuesish, të cilët kanë mbetur vërtetë të paharruar e të nderuar, në kujtesën e banorëve dhe ish-nxënësve të Memaliajt. Nuk e dija që pas botimit të këtij shkrimi, do të më takonin shumë njerëz në rrugë e do të më vinin afro 100 mesazhe prej banorësh aktualë të qytetit e prej ish-nxënës të shkollës “Sali Nivica” të Memaliajt, deri nga Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Suedia, Kandaja, SHBA, Australia e vende të tjera, ku ata jetojnë e punojnë. Në çdo mesash, pasi më përshëndetnin për shkrimin për ish-mësuesit e Memaliajt, më “kritikonin” duke më kujtuar, se kisha harruar pa përmendur disa mësues të tjerë, shumë të nderuar, madje shumica e tyre, më shkruanin e më thoshin: “Ke harruar mësuesen time…,tonën…”

Në fakt, kisha “harruar” të përmendja disa ish-mësuese të shkollës fillore, zonja të nderuara e mësuese të mira si Andromaqi Gjika (të cilën e kujtoj me shumë respekt dhe e përshëndes personalisht), Naxhie Lako, Xhuljeta Zherdi, Shpresa Cukalla, Thevroni Mustaqi, Manushaqe Kuçi, Margarita Ceka, Arzo Koçi, Hyrie Çina, Sofie Bifsha, Zhaneta Hila, Kano Gjikuria, Figali Joti e Fotika Zoto. Këto ish-mësuese, disa prej të cilave nuk jetojnë më, kanë qenë dhe mbeten “ikona” dhe “model” të “mësueses së dashur e pasionante”, të viteve shkollës fillore për ish-fëmijët e minatorëve dhe për prindërit e tyre në Memaliaj. Ishin vitet, kur mësuesja e fillores ishte pjesë e familjes, ishte “mësuese e rreptë” dhe “nënë e mirë”.

Mesazhi parë, qysh ditën e botimit të shkrimit, më erdhi nga Greqia, prej Julinda Cullit, vajzës së mjekut e poetit tepelenas Izet Çulli dhe të njërës prej mësueseve të paharruara të Memaliajt, të urtës, të mirës dhe pasionantes mësimdhënëse, Proletare Çulli. Në mesazhin e saj, Julinda Çulli më thoshte se kishte lexuar shkrimin e botuar në gazetën “Telegraf”, se i ishte krijuar gjendje emocionale, sikur nëpërmjet gazetës “Telegraf” i kishte shkuar pranë fëmijëria, qyteti Memaliaj, lagja, shkolla dhe shokët e afërt të klasës të shkollës fillore Lindita Lluka, Etlvea Skëndi, Alma Malo, Taulant Muzha etj.. Në mesashin e saj, Julinda më shkruante: “Edhe pse tashmë jam nënë vetë dhe kam djalin, Aristotelin, në prag të shkuarjes në universitet në Athinë, sinqerisht ai shkrim më ka bërë të kujtoj me mall e të lotojë si fëmijë, për ato vite të bukura që nuk kthehen më, për atë qytet që vlonte nga puna dhe harmonia prej të cilit jam shumë larg, për atë lagje “të shenjtë”, ku kalova fëmijërinë, për atë shkollë ku hapa “Abetaren” për herë të parë, për ata mësues që më mësuan me devocion e dashuri prej nëne. Por, më shkruante Julinda, në atë shkrim, ke harruar diçka që më brengosi. Ke harruar pa përmendur, mësuesen time të dashur të shkollës fillore, të paharruarën Thevroni Mustaqi. Siç më shkruante Julinda, në nderim e mirënjohje të mësueses së saj Thevroni, kishte shkuar ta takonte atë në Tripoli, në Peleponez të Greqisë, ku ka shkuar prej vitesh me familjarët e saj. Julinda më tregonte, se mësuese Thevronia, ishte përlotur kur mësoi, se ajo që kishte përballë ishte Julinda, ish-vajza e vockël dhe e ndrojtur, ish nxënësja e saj e talentuar, tashmë e bërë nënë. Më pa, buzëqeshi, pastaj më përqafoi e nuk më lëshonte, duke më përkëdhelur flokët e supet, tregon Julinda. Kështu bënte mësuese Thevronia edhe kur ishim nxënës. Në fund, Julinda e mbyll mesazhin e saj, kështu: “Të lutem, mos harro të shkruash diçka për mësuesen time Thevroni Mustaqi…, sepse kam parasysh një përcaktim filozofiko-shpirtëror e kuptimplotë, të Edmondo de Amiçis, i cili lidhur me vendin e mësuesit në kujtesën e ish-nxënësit, thotë kështu: “Shqiptoje me nderim emrin “mësues”, i cili mbas emrit të prindërve, është më i ëmbli emër”!