Përparim HALILI/Nacionalizmi qytetar shqiptar “mallkohet”, shovinizmi serbo-grek mbështetet!

562
Sigal

Siç dihet, ne jemi i vetmi shtet në botë, që kemi si kufij, trojet tona me emra… shtetesh të tjerë! Këtë grabitje trojesh, na e kanë bërë fqinjët dhe të “fortët e botës” në aleancë me ta, qysh 100 vjet më parë. Gjatë 100 vjetëve, fqinjët dhe të tjerë të huaj, na kanë pushtuar, copëtuar, plaçkitur, na kanë masakruar e na kanë përzënë me gjenocid e përndjekje masive nga trojet tona, na kanë kërcënuar për të mbyllur gojën, na kanë shpërfillur duke mos pranuar as të na dëgjojnë zërin për të drejtat tona kombëtare. Në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, ne “festuam” me këtë histori të hidhur, por me një reagim të qartë e të fortë kombëtar. Duke mos besuar asnjë grimcë “tam-tamet e vonuara e bajate nacionaliste” hiprokrite të kryeministrit pro serbo-grek Sali Berisha, të bëra për efekt elektoral, po ndalemi në qëndrimin e shqiptarëve në prag dhe pas 100 vjetorit të pavarësisë. Çfarë u shfaq dhe po vitalizohet e fuqizohet tek shqiptarët e këtj shekulli? Shqiptarët manifestuan një zgjim, kanë nisur një lëvizje mbarëkombëtare, një veprim unik për zgjidhjen e Çështjes Kombëtare. Shqiptarët po reflektojnë një qëndrim të ri: Kërkojnë të drejtën kombëtare, duke shpërfillur qarqet politike zyrtare shqiptare konformiste e të shitura tek të huajt, të pozicionuara të tilla për shkak të pazareve të bëra “në hotele e rezidenca ndërkombëtare”, për të mbajtur të “ngrirë” e të fshehur rishikimin dhe korrigjimin fizik të “njollave” historike të “kasaphanës” ndaj trojeve shqiptare. Ndërsa shtetet e kombet e tjerë, më vendosmërisht fqinjët tanë Greqia ish-Jugosllavia (Serbia, Maqedonia, Mali i Zi) kanë aplikuar hapur ultranacionalizmin e tyre në shkallën më të lartë, deri në shkelje traktatesh e kufijsh ndërshtetëror, duke manifestuar e realizuar ekspansion, uzurpim territoresh me spastrime etnike, agresivitet dhe armiqësi deri diplomatike, ekonomike e ushtarake ndaj nesh. Siç e dimë, deri në 40 -vjetëshin e parë të 100 vjetëve të fundit, fqinjët dhe fuqitë e mëdha të kohës kanë piketuar e kanë përdorur vetëm territoret shqiptare, si “shesh” politikash e luftërash për interesat e tyre te veçanta e të përbashkëta. Nga këto skema e ndërhyrje të të huajve në trojet dhe zhvillimet shqiptare të kohës, ne shqiptarët kemi humbur territore, pasuri të shumta, potenciale njerëzore e për më tepër, qëllimisht na krijuan imazhin e një kombi të “paaftë për vetëvendosje kombëtare”. Duke shfrytëzuar këtë “tezë” që e krijuan dhe e servirën qëllimisht vet, ndërkombëtarët në këto 100 vjet treguan dhe po vazhdojnë të tregojnë ende sot shpërfillje, mosrespekt, përçmim e madje tallje ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar dhe përdorur Shqipërinë e shqiptarët si “lëndë të parë speciale” për eksperimente e pazare të politikës së tyre rajonale. Madje e zhvlerësojnë Shqipërinë edhe teorikisht si komb e si faktor kombëtar përcaktues, paçka së ka qenë, është dhe do të mbetet faktor kryesor, tepër i përfillshëm që kushtëzon situatën në rajon e më gjerë. Ky “pozicion shqiptar” dihet që shqetëson, acaron e nxit fqinjët, “dadot” e tyre ndërkombëtarë dhe shërbëtorët zyrtarë brenda Shqipërisë, të cilët aplikojnë anti-shqiptarizmin. Këtë gjë, kanë 100 vite që e bëjnë. E kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë ende, sepse në Shqipëri ka munguar shteti pro-shqiptar, madje prej atij që vetëquhej shtet është shitur ideali kombëtar si “plaçkë tregu” tek të huajt për përfitime e sundime personale e klanore. Për rrjedhojë, në Shqipëri ka munguar fuqia për vetëvendosje, ose edhe kur kjo tendencë është shfaqur është sulmuar e asgjësuar deri fizikisht të përfaqësuesve të kësaj fryme kombëtare, siç është rasti i shkatërrimit prej Ahmet Zogollit me porosi të serbëve të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, duke vrarë figurat kryesore të këtij Komiteti Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hysni Currin etj.. Kështu po ndodh edhe sot, kur kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, anatemon, kërcënon dhe quan “faqezinj” lëvizjet shoqërore e politike që dalin në mbrojtje të çështjes e trojeve kombëtare, duke u bërë palë me interesat serbo-greke mbi Shqipërinë.  Pse vazhdon të ndodh kjo? Sepse në Shqipëri ka munguar e po mungon ende unifikimi shqiptar. Ka munguar “institucionalizimi” i nacionalizmit, i frymës kombëtare, pra i nacionalizmit në kuptimin e mirëfilltë e të plotë në të gjithë parametrat që ka nacionalizmi veprues i një kombi e i një shteti. Edhe sot pas 100 vjetësh, Shteti Shqiptar ka frikë nga “fryma nacionaliste”, madje e ka injektuar këtë frikë e bllokazh edhe dhunshëm tek shqiptarët, duke e sanksionuar madje edhe në Kushtetutë, edhe në Kodin Penal, edhe në traktatet me fqinjët mosnjohjen dhe bllokimin e bashkimit kombëtar shqiptar. Ndërkohë të huajt fqinjët tanë serbo-grek, kanë ende në fuqi ligjet e luftës me Shqipërinë, kanë ende në veprim e zbatim politikat shoviniste për pushtim dhe aneksim trojesh të tjera shqiptare! Ndërsa Shteti Shqiptar, struket, ka frikë, lëpihet, hesht, toleron, lëshon, ligjëson falje trojesh e zonash ekonomike strategjike kombëtare në favor të tyre. Këtë frikë, këtë shërbim ndaj të huajve anti-shqiptarë e manifestoi 1 vit më parë kryeministri “nacionalist’ shqiptar Sali Berisha, i cili diktoi qeverinë dhe parlamentin shqiptar, të bënte ligj copëtimin dhe faljen e sipërfaqes detare shqiptare, për Greqinë. Këtë frikë dhe shërbim greko-serb e përcolli 4 ditë më parë publikisht kryeministri “atdhetar” Sali Berisha, pas reagimit të grekëve për deklaratën “Preveza”, duke thënë: “Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Greqisë e ndaj askujt shteti tjetër, ka ikur koha e nacionalizmave dhe ndryshimit të kufijve, unë e thashë vetëm si fakt historik të përpara 100 viteve e jo si pretendim aktual…”.Mjafton kjo deklaratë, për të konfirmuar se në Shqipëri është vet shteti dhe politika shqiptare që mohojnë, denigrojnë, sulmojnë, ndëshkojnë dhe bllokojnë frymën kombëtare, ndjenjën nacionaliste të kombit, duke iu nënshtruar skemave e interesave të atyre shteteve, që na kanë zaptuar trojet me dhunë e diplomaci të paguar, tinëzare e grabitqare. Po ndalemi brenda zhvillimeve të fundit ballkanike, sidomos me Çështjen e Kosovës dhe kufirin Shqipëri-Shqipëri në veri e jug të kufirit të shënuar zyrtar dhe së fundi, me Çamërinë e Vorio-Epirin. Zhvillimet në trojet shqiptare që janë jashtë hartës zyrtare shqiptare, dëshmojnë faktin se shqiptarët janë zgjuar më së fundi dhe duan të përparojnë në çështjen e tyre të penguar e të bllokuar kombëtare. Faktet dhe vlerësimet, flasin për veprim të hapur e të ekuilibruar, të qytetëruar të nacionalizmit shqiptar. Pavarësisht retorikës, propagandës, fanfarave e koktejeve festive, shqiptarët në Shqipërinë Veriore (Kosovë) madje dhe në Shqipërinë Lindore (Maqedoni) kanë vepruar si njësi të veçuara, në kundërpërgjigje të shkeljes së të drejtës elementare njerëzore të vetëvendosjes. Mirëpo politikat shqiptare brenda shqiptarëve, manifestojnë me nxitim qëndrimin e tyre të hapur kundër idesë së  “Shqipërisë së Madhe”, kundër bashkimit Kosovë-Shqipëri, kundër ndarjes së FYROM-it mbi baza etnike etj. Zhvillimet progresive të problemeve shqiptare, si kthesa e realitetit pro shqiptar në Kosovë, fryma aktive nacionaliste e “Aleancës Kuq e Zi” në Shqipëri dhe e “Vetëvendosjes” në Kosovë, veprimet pro çështjes kombëtare shqiptare në Maqedoni, zgjimi në Çamëri etj, përbëjnë argumentin e qartë se shqiptarët janë zgjuar dhe kërkojnë zgjidhje të çështjes kombëtare, në lidhje me trojet natyralë të tyre, me synim bashkimin kombëtar në “NJË SHQIPËRI”, kjo në mbështetje të së drejtës për vetëvendosje. Por këtë frymë kombëtare, këtë lëvizje nacionaliste nuk e lejojnë të “mëdhenjtë”, nuk e pranojnë grabitqarët fqinjë të trojeve shqiptare. Përballë këtyre qëndrimeve kundërshtuese shtetërore e ndërshtetërore, janë vetëvendosur shqiptarët, duke e nisur shekullin e dytë të shtetit të tyre, me përpjekjen serioze e të drejtë për të bashkuar trojet dhe shqiptarët nën një truall e nën një komb. Por përballë kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare, vihen si pengesë e arbitër “fuqitë e mëdha” që inskenojnë, imponojnë e diktojnë. Ndërsa me Shqipërinë veprohet kështu, në rastin e ngjarjeve në Ballkan, diferencimi ka qenë i dukshëm përsa i përket të drejtës së gjithë-secilit komb e shtet, në disfavor të së drejtës së shqiptarëve. Historia tregon se serbët, grekët, malazezët e sllavo-maqedonët janë lejuar të pushtojnë e të përvetësojnë troje shqiptarësh edhe duke ç’populluar këto troje me përzënie masive shqiptarësh me gjenocid. P.sh, serbët deri në vitin 1878 kur kishin vetëm 34 mijë kilometër katrorë sipërfaqe, synonin të merrnin Durrësin dhe Shkodrën. Ndërsa grekët, kur ende nuk kishin marrë Thesalinë, Thrakinë, Maqedoninë Jug-Perëndimore dhe Çamërinë, synonin e luftonin si pushtues, që të gllabëronin edhe krejt jugun shqiptar (Vorio-Epirin, siç e quajnë) por dhe territore të Azisë së Vogël. Ndërsa shqiptarët, megjithëse ishin disa herë më të mëdhenj së Serbia e Greqia si sipërfaqe trualli sulmoheshin, ankoheshin dhe kërkonin me lutje nga “Fuqitë e Mëdha” të kohës, të mbronin pjesën truallit që këto fuqi u kishin lënë pas copëtimit prej “pazarit” anti-shqiptar të Londrës në 1913-ën. Po, a na e kanë fajin vetëm grabitqarët dhe mbështetësit e tyre? Jo, nuk na e kanë fajin dhe “mëkatin” vetëm grabitqarët dhe të huajt mbështetës të tyre! Është fakt absurd, që në qëndrimin e institucioneve zyrtare të politikës e të intelektualizmit shqiptar, ndihet frymë pasiviteti, inferioriteti, konformizmi, lëshimi, shitjesh dhe dhurimi interesash e trojesh kombëtare, jargavitje deri në mercenarizëm të pështirë përballë të huajve të “fortë”, përballë të “mëdhenjve”, madje kryejnë dhe shërbime anti-kombëtare në favor të shteteve që na kanë plaçkitur, copëtuar e zaptuar troje, të cilët edhe përgjatë 100 viteve pas 1913-ës, vazhdojnë luftën për të na grabitur dhe trojet e mbetura nga copëtimet e tyre. Këtë terren të lirë e aktiv anti-shqiptar, këto shtete dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë e kanë gjetur tek sjellja e shtetit shqiptar, i cili ua ushqen këto interesa shoviniste me shitje trojesh, me monopole, kontrolle e privatizime të qëllimshme të ekonomisë kombëtare shqiptare. këtë hapësirë anti-shqiptare, këto vende dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtarë, e gjejnë të plotë tek qëndrimi i shtetit shqiptar, i cili i akuzon, denigron, përçmon, kërcënon, arreston dhe ndëshkon shqiptarët që mbrojnë interesat kombëtare dhe dekoron e pret me “tapet të kuq” e “dekorata nderi” ata që kërkojnë ta zhdukin Shqipërinë dhe shqiptarët si  troje, si komb, si gjuhë, si histori!