Përparim Halili: Libri :”Haradinaj dhe Haga” u “burgos” në vitin 2006 me urdhër të Carla Del Ponte, por u lirua nga OKB

616
Sigal

Promovimi i librit filloi me poezinë e Xhevahir Spahiut “Vjeshta e gjyqeve” e shkruar në vitin 1989, por që ishte një profeci, e cila doli fatkeqësisht e vërtetë

Libri :”Haradinaj dhe Haga” u “burgos” në vitin 2006 me urdhër të Carla Del Ponte, por u lirua nga OKB
Flet Mehmet Gëzhilli, drejtor i Shtëpisë Botuese “ARGETA LMG”

Përparim HALILI

Ju keni përgatitur e hedhur qarkullim, librin “Haradinaj dhe Haga”, cili ishte motivi?

Ka një fakt që më nxiti: 12 vite më parë, në kohën që u arrestua, zoti Haradinaj bëri një qëndrim të vendosur, të qartë, të pastër e heroik, mbasi ishte vërtet i pastër dhe hero i gjallë i një lufte të drejtë për lirinë e një populli e të një vendi të aneksuar prej Serbisë dhe të persekutuar në të drejtat e tyre kombëtare, ndaj edhe përballë prangave të Hagës, ai mbrojti luftën e UÇK. Nisur prej vitalitetit dhe burrërisë së Ramuish Haradinajt përballë gjyqit botëror, u emocionova si shqiptar dhe u obligova botues dhe vendosa të mbledh në një libër, gjithë qëndrimet e politikës, të shtetarëve, të analistëve, të mediave, të intelektualëve dhe të personaliteteve të artit, letërsisë e kulturës, duke përgatitur përmbledhjen “Haradinaj dhe Haga”.

– Sipas hulumtimeve që keni bërë, çfarë qëndrimi ka mbajtur 12 vite më parë Tirana zyrtare, shtypi, politika dhe opinioni botëror, për gjyqin e Hagës ndaj Haradinajt?

Ne e mblodhëm materialin në një kohë shumë rekord. E përgatitëm dhe e çuam në Prishtinë, ku libri u bë gati po në kohë rekord. Librin e shtypëm, në një shtypshkronjë në Prizren. Pas një farë kohe, që unë prisja dita-ditës daljen e librit në qarkullim, më vjen një shkresë zyrtare nga avokati(shtetas anglez) i Ramush Haradinajt, i cili më njofton, se libri nuk do të dalë në qarkullim për arsye se.. “është kërkesë nga Haga”.

– Ku përfundoi libri? Ku u bllokua?

Libri është kyçur dhe është bllokuar pikërisht në magazinat e një shtypshkronje në Prizren, me urdhër të Hagës, konkretisht të Carla Del Pontes, asokohe prokurore. Pasi kaluan 2-3 vite edhe nga “burgosja” e librit, dikush më telefonoi në gjuhën shqip nga Kombet e Bashkuara, dhe më tha:
– A keni botuar një libër për zotin Haradinaj dhe gjyqin e Hagës për të?
. – Po, i thashë! Por unë personalisht, deri në këtë moment nuk e kam prekur librin me dorë, mbasi libri është kyçur, gjë në një kohë demokracie nuk ka ndodhur kurrë, mbasi mund të burgosen njerëzit, por jo të burgosen edhe librat.
Pas dy vjetësh, kur Haradinaj ishte prapë në Hagë në procese gjyqësore, dikush dha lejen për të “liruar” librin dhe u bë një promovim dinjitoz në Teatrin e Prishtinës, me media, postera, ekrane publikë e diskutime të elitës intelektuale. sa për saktësim, promovimi i librit “Haradinaj dhe Haga”, filloi me poezinë e Xhevahir Spahiut “Vjeshta e gjyqeve”. Më pas foli Kryetari i Kuvendit të Kosovës në atë kohë, pastaj Fatmir Limaj, shoku dhe bashkëluftëtari Ramush Haradinajt. Unë si botues dhe përgatitës i librit, bëra vetëm një prononcim në media. Që prej këtij promovimi, libri është në liri të plotë! Duhet të saktësoj, se librin e përgatita në bashkëpunim me shtëpinë botuese kosovare ‘Fokus’ dhe me zotin Rashit Selmanin.

– Libri për Hardinaj dhe gjyqin e Hagës ndaj tij është aktual sot, po për rastin arrestimit në Francë, a do të kemi një libër “Franca dhe Haradinaj?

Prej vitit 2006, kur ka dalë libri që mban në dorë dhe deri tani, unë kam grumbulluar gjithçka që është shkruar për heroin e gjallë Ramush Haradinaj, për 3 vëllezërit e tij dhe për krejt familjen “Haradinaj”, por edhe familjen e “Jashari”. Kur botuam librin, lista me akuzat kundër Haradinajt ishte me mbi 300 akuza, të paraqitura nga Carla Del Ponte. Në librin që do të bëjmë tani “Franca dhe Haradinaj”, do të publikojmë këtë listë, që tëshë një falsitet Serbo-Hagë, mbasi në të dy gjyqet që u bënë për Haradinajn, ai doli i pafajshëm!

– Me këtë libër, çfarë doni t’i tregoni Francës dhe botës?

Do t’i them Francës dhe botës këtë gjë: “Mos u lodhni më të bëheni pjesë e lojës së Serbisë për të mohuar e baltosur luftën e UÇK dhe luftëtarët e lirisë së Kosovës, mbasi e keni prangosur e burgosur 3 herë Ramush Haradinajn dhe ai ka dalë triumfator në të drejtën e tij, si pasqyrë drejtësie e luftës së UÇK! Deri sot, kam botuar 25 vepra të klasikëve që nga Hygoi, Balzak, Volter e shumë personalitete të tjerë. E kam adhurim Francën edhe për faktin që unë jam nga Korça dhe Korça vazhdon të quhet “Parisi i Vogël”. Por ama, Franca duhet të ndjejë përgjegjësinë e madhe në këtë situatë. E arrestoi Sllovenia Haradinajn, ku është Sllovenia sot?! E arrestoi Franca, çfarë do t’i mbetet Francës së demokracisë e kulturës, duke bërë këto lojëra të serbit?!

– Kur do dalë ky libër?

Do përpiqem, që ndoshta ta nxjerr në Ditën e Çlirimit së Kosovës dhe ndoshta, Haradinaj nuk do ta kemi në Kosovë, por këtu në Tiranë, madje edhe promovimin do ta bëjmë në Tiranë! Po përmend një detaj: Në kohën që unë vajta t’i çoja librin zotit Haradinaj, ai ruhej nga njerëz të KFOR-it, me dy makina, një para e tjetra mbrapa, me qëllim që ai të mos takonte askënd. Sa mësoi që unë botuesi dhe autori i librit të tij, kisha shkuar ta takoja, Haradinaj shprehu dëshirën të më takonte dhe u takuam! I thashë: “Mos harro, Tiranën e ke me vete. E ke pasur dhe gjithnjë do të kesh mbështetje!”. Takimin tjetër e bëmë në muajin qershor 2016, në stendën e Panairit të Librit në Tiranë. Ai erdhi në panair.