Përmbytjet e shkaktuara nga fiktiviteti, injoranca dhe abuzivizmi

696
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Shqipëria, si asnjë vend tjetër i rajonit të Ballkanit, duket se është futur në një spirale të rrezikshme të shpërdorimit të investimeve, të projekteve dhe të donacioneve në bujqësi dhe në mjedis, në mënyrë të veçantë në kullim, në ujitje dhe në administrimin e mbetjeve urbane. E gjithë skema e shpërdorimit të investimeve, punimeve dhe projekteve në bujqësi dhe në mjedis është realizuar përmes konspiracionit dhe menjanimit të vazhdueshëm të ekspertizës shkencore, të debatit publik, të oponencës profesionale dhe të projekteve alternative të paraqitura nga profesionistët më të mirë të katedrave të universiteteve dhe të figurave kombëtare që kanë punuar në vite e dekada në veprat hidrike dhe mjedisore. Në vitet 2012 dhe 2013, pas batërdisë katër vjeçare 2009-2013 me investimet, pati një mal me deklarata mbi qëndrimin që do të mbahej kundër dosjeve fiktive. Në atë kohë që zgjati shumë pak, të tilla deklarata patën ngjallur shumë shpresë për ndërhyrje ligjore dhe politike kundër injorancës administrative, kundër korrupsionit, kundër dosjeve fiktive, kundër nepotizmit, kundër mungesës së intelektit dhe menaxhmentit në institucione, kundër vjedhjes së investimeve dhe projekteve në bujqësi, në mjedis dhe në infrastrukturë. Për fatin e keq të shqiptarëve që besuan, e gjithë kjo rezultoi të ishte hipokrizia më e madhe e radhës nga e cila buruan edhe përmbytjet e tjera, si dhe të tjera vjedhje të investimeve dhe projekteve, bashkë me degradimin e mëtejshëm të elitës dhe menaxhmentit në bujqësi dhe në mjedis. Dihet fakti që mbi 99% e tokës bujqësore dhe 100 e zonave të banuara të Shqipërisë, ndodhen mbi nivelin e detit, që do të thotë se të gjitha përmbytjet dhe dëmët e shkaktuara janë për arsye njerëzore që lidhën me mosveprimin dhe moszbatimin e ligjeve me një qëllim të vetëm, shpërdorimin dhe përvetësimin e vlerave të larta monetare. Shqipëria është një vend i vogël ku njerëzit e njohin mirë njëri tjetrin. Nuk duhet shumë kohë as zgjuarësi për të kuptuar se si njerëzit dhe klanet më të pasura të vendit, janë ata që kanë menaxhuar investimet dhe projektet në bujqësi dhe në mjedis. Në mënyrë të veçantë, ata që kanë administruar projektet në kullim dhe në ujitje, ku përpos dosjeve fiktive të këtyre 27 viteve, nuk ka ngelur asgjë tjetër. Përballë këtyre shpërdorimeve dhe mungesës së plotë të intelektit dhe profesionalizmit në menaxhim, gjithnjë qëndron një popull i vjedhur dhe i varfëruar deri në palcë, i mashtruar dhe i dhunuar deri në në ekstremin e fatkeqësisë së ushqyer prej tij. Përballë abuzivizmit të gjatë qëndron një popull i kredhur në një mizerie të thellë ekonomike e që kërkon të largohet nga vendi i tij, (në eksod) sepse nuk ka më shpresë tek demagogjia dhe sofistika demagogjike e politikës së denegjeruar deri në perversitet dhe në mungesë të thellë të ndjeshmmërisë njerëzore dhe kombëtare. Përmbytjet që njoftuan për atë që do të vinte më pas, kanë ndodhur në vitet 2010-2011, e që për shkak të mungesës së theksuar të vizionit politik e shoqëror, nuk shërbyen për asgjë, sepse asnjëherë nuk u bë analizë politike as tekniko-shkencore mbi shkaqet dhe zgjidhjen e qëndrueshme të problemit. Përkundrazi, edhe pas këtyre përmbytjeve u hartuan të tjera projekte për kullimin dhe ujitjen, është fjala për programe dhe projekte pa ekspertizë shkencore dhe pa transparencë ligjore, publike as profesionale. Nga këto projekte dhe investime, nuk u punësua askush, për pasojë në terren nuk ka mbetur asgjë. Madje edhe digat, argjinaturat dhe kanalet e ndërtuara që në vitet 1950-1960, për shkak të mungeses së gjatë e mirëmbajtjes dhe kujdesit ndaj tyre, u përkeqësuan edhe më shumë. Pavarësisht nga konspiracioni i lartë dhe nga pashpirtësia e politikanëve dhe shtetarëve tonë, në këtë Shqipërinë tonë “të vogël” nuk ka njeri në Myzeqe as në Vlorë që nuk e dinë, që vetëm për një argjinaturë me gjatësi rreth 2-3 km në Vjosë, në vitin bujqësor 2016-2017 janë shpenzuar 10 milionë dollarë nga të cilat nuk ka mbetur asgjë. Pavarësisht se edhe kjo i faturohet reshjeve, dihet nga të gjithë që problem është, ose cilësia e dobët e punimeve, ose projekti i gabuar ose abuzivizmi dhe fiktiviteti. Pavarësisht nga shkaku, lekët e shpenzuara nuk shërbyen për asgjë dhe jam i sigurtë që, në kushtet e një politike klanore, abuziviste, fragmentare dhe nepotike, nuk ka për të patur kurrë analizë as përgjegjësi. Të tilla situate dhe ngjarje absurde, i shohim tek urat që shemben pa mbushur vitin dhe klanet abuziviste që kanë bërë supërvizionin dhe kanë kopsitur dosjet fiktive dhe ia faturojnë klimës, reshjeve, duke kërkuar katastrofë natyrore aty ku realisht nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Kjo me kujton edhe problemin aq shumë të njohur të tharjes së palmave në autostradë për të cilën nuk mbeti njeri pa folur e pa e justifikuar këtë dëm me temperaturën e ulët, në një kohë që tharja është shkaktuar tërësisht nga gabimet fatale në mbjellje dhe në shërbimet pasmbjelljes. Temperatura në sutostradë as në pjesën e ulët të Tiranës, kurrë nuk ka zbritur nën nivelet -9oC deri në – 10oC. Në atë pak informacion që unë kam për vitet 2013-2017, me rezulton që në këto 5 vite, shoqëria dhe shteti ynë ka investuar rreth 100 milionë dollarë të tjera për ujitjen, kullimin dhe masat kundër përmbytjeve. Pavarësisht nga demagogjia, puna e fragmentarizuar e me cilësi shumë të dobët, ka bërë që edhe impakti i këtyre investimeve të jetë i papërfillshëm. Taksapaguesit shqiptarë dhe donatorët e shumtë evropianë, amerikanë etj, përveç investimeve të abuzuara e me impakt të papërfillshëm, kanë investuar shumë edhe në mbajtjen e një administrate të fryrë me militantë dhe burokratë e me kapacitete të mjerueshme intelektuale e profesionale, madje edhe pa asnjë specialistë të mirfilltë të fushës së kullimit, ujitjes, sistemimeve, përmbytjeve etj. Nga kjo administratë injorante, nepotike dhe e korruptuar, në këto 27 vite nuk ka mbetur asgjë më shumë se grumbujt e dosjeve dhe shkresave që dëshmojnë për shkakun e vërtetë të përmbytjeve dhe të varfërisë së zonave rurale të Shqipërisë. Është koha që ish ministrat dhe pushtetarët e këtyre dekadave dhe viteve të qëndrojnë kokëulur për katastrofën e shakaktuar nga abuzimi, nga injoranca, nga paaftësia dhe nga paftyrësia dhe korrupsioni aktiv apo pasiv i tyre. Ekziston mundësia që fondet për ujitjen dhe për kullimin e tokave bujqësore të 3-fishohen, sepse toka dhe bujqësia, brenda një kohë të shkurtër e rikthejnë investimin e bërë. Ka ardhur koha që administrimi i mirë i fondeve, projekteve, si dhe kontrolli dhe llogaridhënia për investimet dhe sherbimet në bujqësi, në mjedis dhe kudo tjetër në ekonomi, duhet të organizohen e të bëhët mbi një sistem ligjesh dhe institucionesh me përgjegjësi të përcaktuara, njëlloj siq është vepruar dhe po veprohet në vendet e Ballkanit dhe të gjith Evropës. Politikat tona bujqësore dhe mjedisore duhet të jenë integrale dhe në përputhje me objektivat dhe prirjet e zhvillimit dhe të konkurueshmërisë së tregjeve rajonale dhe europiane. Jashtë këtij modeli, jashtë këtij realiteti dhe konteksti, çdo gjë që bëjmë përkthehet në kohësi, në investime dhe në energji të shkuara kot së koti. 
Sigal