Përditshmëri alarmuese…dhe një popull i sëmurë

554
IZET S. ÇULLI 
Instituti i statistikave jep shifra shqetësuese të vdekjeve në rritje nga sëmundjet e zemrës dhe ato tumorale e jo vetëm ato, do të shtoja. Kjo nuk është aspak e vështirë të konstatohet në praktikë. Mua më jepet rasti të shkoj në poliklinika e spitale, sidomos këtu në Tiranë dhe gjithherë këto i gjej kapicë me të sëmurë. Kur hyn në reanimacionin e spitalit nr.1,dërrmohesh së tepërmi. Me gjithë punën vetëmohuese të mjekëve dhe të personelit tjetër të atjeshëm, vë re se njaty, këta të fundit mezi kalojnë nga një anë në tjetrën, ngase nuk ka vendkalim të lirë për ta. Ato janë të zëna plotpërplot nga shtretërit me të sëmurë. Skena të tilla të padëshirueshme i kam parë pa e tepruar, një herë moti gjatë zboreve ushtarake, kur fjetoret e kallkanosura të tyre mbusheshin citë gjatë epidemive të gripit. Po kështu vërejta këto ditë tek Onkologjiku,ku mjekët e përkushtuar mezi merrnin frymë për të përballuar numrin e madh të atyre që kërkonin të vizitoheshin apo të operoheshin. Diçka kësisoj ngjet edhe në specialitete të tjera. Mos t’i kthejmë këto institucione në vendgrumbullime për të sëmurët e sidomos tani në këtë vapësirë të padurueshme. Pse jemi para një gjendje të tillë? A ka ndonjë studim, depistim, politika afatgjata të efektshme e si të thuash “profilaksi” për t’i dalë të keqes përpara? Ndoshta, por… Dikush mund të thotë se është shtuar popullsia e vendit tonë. Unë mendoj se kjo shifër ka ngelur në vend, se ndoshta po aq janë larguar si emigrantë, pra mbi 1 milion njerëz. Po ashtu janë shumëfishuar ekzaminimet mjekësore dhe ne ndoshta tani kujdesemi më shumë për shëndetësimin tonë. Kjo është disi e kushtëzuar dhe jo tek të gjithë vlerësohet sa duhet. Shërbimi privat thith një pjesë të madhe të të sëmurëve. Kjo nuk duhet të na gëzojë se jo çdo pacient mund të kërkojë ndihmën e këtij shërbimi të përhapur në çdo hap që hedhim e në çdo pallat që shohim. Një fjalë e urtë baske thotë:”Mali nuk ka nevojë për mal, por njeriu ka nevojë për njeri.”

Më lart e preka pak rritjen e numrit të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Edhe kjo varet, sepse çmimet shpesh janë të kripura. Dhe tjetra, a mos teprohet me dhënien pafre të tyre nga mjekët, jo vetëm për “të qenë brenda”. Kjo ndodh edhe nga “këshilla” e pronarëve të tyre për të dhënë sa më shumë ekzaminime, edhe kur diagnoza është më se e qartë. Po ka raste që jo gjithnjë doktorët janë të sigurt, krahëngrohtë, për atë që bëjnë jo vetëm se mjekësia nuk hyn në shkencat katërçipërisht ekzakte apo matematike. Theksoj që ka edhe një rrethanë tjetër, trysnia e ushtruar ndaj mjekëve, kur disa avokatë duan të gjejnë gjilpërën në kashtë, për të kapur “mat” ata,të cilët për asnjë cast, përveç të tjerave, nuk e braktisën misionin e tyre të madh as në vitin tonë të marrëzishëm 1997, ku u konfuzionuam të gjithë veçan të sëmurët.

Po ushqyeshmëria që përflitet andej –këndej me mish të hormonizuar, me fruta –perime të rritura me sforcim( që vetë fermerët deklaruan disa ditë më parë në një emision gjurmues televiziv, se ato vërtet i prodhonin dhe i shisnin, por për vetë e familjen assesi nuk i konsumonin!). Nuk po flasim për vajin e palmës, orizin e plastifikuar “artistikisht”, as për lëndët plastike që përfundojnë në det e liqene për peshqit, as për rrezatimin e mjedisit ku jetojmë nga lloj-soj aparaturash rrezatim kërcënuese. Pale pastaj të bëjmë fjalë për streset dhe depresionet mendore të cilat luajnë rol edhe në shfaqjen e sëmundjeve trupore. Më parë duhet të mbledhim mendtë e kokës se këtu është fjala për shëndetin, pa të cilin bien në zero vlerat, pasuria, vetë jeta. I kamur pra nuk mund të jesh pa shëndet. Poeti Robert Bërns ka shkruar:”Ka një mijë sëmundje dhe vetëm një shëndet.”
Sigal