Pellazgët, gjeneza që flet në shekuj

839
Sigal

Një fillesë, që rrallë popuj e kanë dhe është më e lashtë se vetë lashtësia e fqinjëve tanë kufitarë. 100 vjet pavarësi e përgjysmuar

Kam kërkuar përherë të zbres në gjenezë të vetvetes dhe popullit tim. Padyshim ndihmuar nga historianët tanë më të mirë dhe, tashmë, edhe nga të shquar të huaj që i kam ndjekur “këmba këmbës” emër për emër, për t’i “kapur” e zbuluar plotësisht. Natyrisht nuk pretendoj se unë bëj histori apo arkeologji, megjithëse letërsia, duhet thënë, është ajo që më ka nxitur në këtë rrugë. Dhe pikërisht Homeri. Homeri me atë vargun brilant: “Perënditë pellazge”dhe ndërkohë të tmerrshëm për ata që historikisht na kanë parë keq, dhe ende po vazhdojnë të na kërcënojnë, në jug, duke na blerë gjer dhe shtetarët e paskrupullt. Sikur të mos mjaftonte rrëmbimi me forcë i Çamërisë dhe Janinës blerë me tradhti dhe flori (ka prova) me 1913, sikur të mos mjaftonte popullsia shqiptare nën Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, marrë forcërisht më 1913 nga e pabesa Konferencë e Ambasadorëve në Londër, sikur të mos mjaftonte Vermoshi, Shën Naumi, Shqipërisë tonë e cunguar mizorisht. Dhe kemi qenë tjetër para ardhjes së Turqisë, tjetër, para pushtimit të Romës. Natyrisht jemi si të tjerët, por me individualitet dhe shpirt tjetër, tjetër me gjuhë, zakone bujari e mikpritje. Shumë gjermanë që, përballojnë mirë krizën, thonë se diversiteti duhet të bashkojë e përparojë BE. Edhe Toni Bler kur flet për të ardhmen e kombeve në BE deklaron se: “vet popujt nuk duan shpërbërjen kombëtare”, por kufijtë do të zhduken. Gjuhë do mësohen, por gjuha e nënës do mbetet. Dhe duhet të mbetet. Në këto kontekste vjen kërkesa për marrje dhe dhënie nga qeveria jonë e detit! Ka fluturuar në Athinë, qeveritari i Berishës, Panariti, lexoj në shtypin on -line, bëj “konsultën” që mund të jetë shitja, pra, riposhtërimi. S’di pse me kujtohen gjermanet e sotëm, të majtë e të djathtë që nuk duan t’i japin Greqisë dhe vendeve në krize, borxhe parash. Pra, lekë borxh dhe jo territore. Ne na kanë marrë troje; historikisht na kanë spostuar, vrarë e masakruar dhe duam të rijapim sërish territor! Natyrisht antikombëtari, më zbutëse nuk ka! Sepse bëhet për të na shtyrë kufijtë edhe më tej, (ka gaz dhe naftë për 500 vjet, thonë ata që dinë se ç’thonë) nga ç’na kanë shtyrë prej mijëra vjetësh, duke na kërkuar sot, pikërisht sot, pjesë deti, në jug (sikur të mos mjaftonte marrja me gjenocid e Çamërisë tonë martire). Natyrisht duhet rezistenca dhe ajo ka filluar mirë! Këto dhe të tjera janë një arsye e dobishme, mendoj, të përcjellë herë pas here të vërteta të pathëna në Shqipëri, por që i kam marrë edhe me mirëkuptim dhe lutje të paguar, në të paharrueshmin lehtësisht,Vatikan, bibliotekat e Romës, Parisit, Xhenovës dhe Nuoro në Sardenjë! Një detyrim atdhetar, por dhe detyrim profesional si, publicist i thjeshtë i shtypit, ideja më ka përgjegjësuar ndjeshëm, këto vite pune jashtë Shqipërisë të kontribuoj, sa të mundem, për gjithçka të humbur, – të rigjetur; për gjithçka të mohuar, – për ta ripohuar; për gjithçka të kërcënuar, – për ta çliruar! Sepse jo rastësisht jemi të prerë përmes, dhe jo rastësisht vetëpengohemi, të ribashkohemi. Gjerë në gjenezë ka shkuar pengesa, kur ende mohojmë prejardhjen pellazgjike që një shqipfolës me grada dhe përgjithësisht cilësor në të tjera çështje pak kohë më parë pretendonte, në një shkrim, për mosekzistencën e pellazgëve (Prof. Dhimitri Pilika, me librin magjik “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, është kulmi ynë në këtë gjenezë, që shqipfolësi i ri me grada e quajti paturpësisht arkaik. Dhe, më tej sulmi në një ditë zie të intelektualizmit shqiptar, (ishte vdekja tragjike e Ardian Klosit) duke sulmuar mbrojtësit e pellazgëve, i quajti “njerëz më gjak të trash pellazgjik”. Mundet dhe të mos jetë shqiptar në gjenezë shqipfolësi me grada ndaj dhe ka alergji gjenezën pellazgjike, kombin. Ne jemi ndryshe! Plotësisht ndryshe,si dita kur krahasohet me natën. Kërkojmë gjenezën, sepse duhet ta kemi. Shkencërisht të vërtetuar. E kërkojmë edhe për 28 Nëntorin. Edhe për 29 Nëntorin e kërkojmë. E bëjmë për të qenë dinjitozë në Europën e Bashkuar, dhe natyrisht me vëllazërim e bashkëpunim të ndërsjellë e modern me fqinjët. Pavarësisht nga e kaluara, që mund të ndreqet! Aspak s’kërkojmë të jemi grekë, sllavë a italianë. Por kombin tonë e duam sepse kemi fillesë. Një fillesë që rrallë popuj e kanë dhe personalisht kam shumë fakte, për gjenezën tonë që, natyrshëm, më del se është më e lashtë në këto troje ballkanike, më e lashtë se lashtësia e fqinjëve tanë kufitarë. Dhe pse, sipas shkencës, njeriu e ka fillimin në Afrikë dhe Eva me Adamin, mes sherrit të ri shkencoro-mistik, duhet të jenë lëkurëzinj…

Ka shume, për të shkruar, ka shumë! Edhe për Akademinë dhe shkencën tonë gjithashtu, ka shumë pasi përpjekjet dhe arritjet s’mjaftojnë! Nuk mjafton që jemi të patundshëm si Ilirë. Unë po filloj me të huajt për pellazgët! Nuk besoj të jenë publikuar këto faqe të shkëlqyera, asnjanëse dhe kuptimplota për ata që duan të kuptojnë. Janë tre autorë të shquar që kanë bërë në dy volume këtë libër. Pellazgët janë aty, me titull të plotë. Ja shkrimi e që do vazhdojë me të tjerë e të tjerë:

Populli misterioz i pellazgëve:

Monumentet më të vjetra të lëna në tokën helenike, ose më mirë të themi, mbi Greqinë e sotme, në zinxhirin e ishujve që formojnë Arkipelagun, mbi të famshmin ishull të Kretës, në Qipro, dhe mbi brigjet e Egjeut në Anatoli, na bëjnë të kuptojmë se në këto zona ballkanike, kanë banuar popuj primitiv, vendbanimet e të cilëve shkojnë përtej historisë së sotme të këtyre brigjeve. Ndërsa perandori si ajo e Egjiptit dhe Asirisë kishin zhvillim prej shumë shekujsh; popullsitë që banonin Elladën – ose për të përdorur emërtimin e Glotz (1) Egeide, – nuk kishin dalë akoma nga një status civilizues, që ishte pak i përparuar. Të rralla thënie gjejmë në dokumentet e shkruara dhe të gjetura në Egjipt, ose në legjendat mitologjike dhe në monumentet e zbuluara, falë gjetjeve me fat. Pra të tillë janë elementët që disponohen për të studiuar këtë periudhë të errët të protohistorisë njerëzore.

Më përpara faktit historik që pruri luftën e Trojës – dhe përfundimisht stabilizimin e Dorëve në Peloponez – shohim një seri të gjatë luftërash dhe lëvizje emigrimesh në teatrin e gjirit të detit Egje. Emigracioni i madh i arianëve, ardhur prej Lindjes, ndahet në tre grupe: i pari përgjatë Ellespontit dhe Maqedonisë, ngulitet në rajonet malore të Trakëve dhe të vet Maqedonisë së sotme; grupi i dytë përqendrohet në zonën fushore të Frigias dhe i treti grup zapton brigjet e Azisë së Vogël, duke kolonizuar ishujt e Egjeut dhe një pjesë të Greqisë (së sotme) qendrore. Kjo e fundit është raca pellazgjike që Grekët vet i kanë konsideruar si të lashtë, të cilëve monumentet u japin respektin e origjinës.

Curtius, (2) i ridallon, jo pa arsye, si paraardhësit e grekëve orientalë, (pra grekët jo vetëm janë të vonë, por si thotë edhe shkencëtari aktual spanjoll, F.Villar, “vijnë nga lindja dhe gjuha e tyre është vërtet indoeuropiane, por e prejardhur nga iranishtja”-shpjegimi im, L. Shmilli). Ne i japim popujve detarë të Azisë se Vogël, të paktën atyre që përbëjnë racën frigio-pellazgjike, emrin e grekëve lindorë.

Kur tributë helenike të Akejve, Dorëve, Jonëve dhe Eolëve, lanë Fokidën, për t’u nisur të pabarabartë, në tokën (e sotme) greke, duhej patjetër të përzinin Pellazgët ose t’i robëronin. Pellazgët, padyshim fqinjët e ardhshëm të Helenëve, duken në këtë periudhë, “shumë më të zhvilluar nga pushtuesit”. Monumentet egjiptiane të dinastisë së XVIII, e kanë përmendur tashmë, nën mbretërimin e Setit dhe Ramset II (dinastia e XIX) që marrin pjesë në ekspeditat që Ititët dhe Libikët e Afrikës organizuan kundër Egjiptit. Por, ky shembull na çon në një epokë pararendëse.(Ramset II mbretëroi nga viti 1298 deri në vitin1232, para Krishtit), Epokë që Evans (3) i e klasifikon si Mikena (shihet qartë rrënja shqipe e sotme “mik” – shënimi im, L.Shmilli ) paraardhëse, ndërsa gërmimet spostonin kohën edhe më në lashtësi, në epoka ku dëshmitë e paqarta dhënë prej tokës dhe argjilës janë më të shumta se sa faktet e deklaruara e konkrete (periudha neolitike).

Civilizimi pellazgjiko-grek, përhapet në të gjithë popujt e Gjirit të Egjeut, duke u sjellë midis tyre në relacione të vazhdueshme, në sajë të një aktivizimi edhe kundërveprues (për mbijetesë) në aktivitetin industrial – jo në kuptimin modern, me mjete – duket si e përgjithshme gjithë jeta në antikitetin e botës greke, si tregojnë zbulimet në Santorino dhe Hisarlik, në Mikenë dhe në Spartë.

Përpara shekullit XV para Krishtit, – afërsisht vitit 2000, sipas Foque; ishulli i Therës, i gjendur në jug të Nio dhe në perëndim të Nanfio në grupin Cikladik, u përfshi në një erozion vullkanik, ku pjesa qendrore u fundos në det duke lënë një bordurë harkore duke lënë të sotmin Santorini, Therazinë dhe Apronizin (me i vogli). Gërmimet e bëra në Therazi dhe në Santorini, me 1866-1867 kanë rinxjerrë në dritë gërmadhat e shtëpive të banimit, përpara fundosjes. Në qendër të mbetjeve të shtëpive ndërtuar shumë të mëdha, janë gjetur objekte dhe sende përdorimi në jetën e përditshme,(copëra mbetjesh, mjete pijesh etj.,) dhe veçanërisht vazo me stil primitiv ku forma imiton gjoksin e vajzës. Objekte me stil të njëjtë, rigjetur mbi mbulesën e tyre, tregon se disa kohë më vonë mbas fundosjes së parë, një tjetër popullsi është vendosur në ishull, pas popullsisë së parë. Ky popull që banonte në ishull, e që pësoi pushtimin fenikas, në shekullin e XV, para Krishtit jetonte me peshk dhe punonte tokën. Është ndofta e mundur të rinjihen kolonët e ardhur vonë në Thera, nga një pikturë egjiptiane prej varrit të Tutmozit III dhe Rekhmara ku janë pasqyruar ndërsa i sjellin dhurata Faraonit; të ashtuquajturit vendas ishullorë janë pikturuar në vazo me sqep të ngritur që të kujtojnë për vet formën e tyre, ato të Santorinit.

Ky është shkrimi në libër. Kuptohet diçka dhe duhet të respektohet gjithçka. Sepse me siguri ata pellazgë jemi ne. Unë këtë e besoj plotësisht dhe serish do risjellë fakte! Për 100- vjetorin e gjysmë Pavarësisë dhe detin në jug që duan të na e marrin!

Për “Telegraf”, nga Italia