PDM mbështet grevën e urisë, qeveria duhet të dëgjojë të përndjekurit politikë

645
Kryetari i PDM, Ilir Vata

Partia e të Drejtave të Mohuara si parti e të përndjekurve politikë, mbështet grevën e urisë të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, nisur me 12 Tetor, ditën kur Lirak Bejka u nda nga jeta për shkak të vetëflijimit në grevën e urisë 2012. Kërkesat e të përndjekurve janë ekonomike, integruese dhe që kanë në thelb dekomunistizimin e vendit si një proces për të kuruar të shkuarën dhe ndërtuar të ardhmen, nëpërmjet ndriçimit të çdo skute të regjimit komunist. PDM dënon me forcë veprimin e një dite më parë të Policisë së Shtetit të cilët në mënyrë të papërgjegjshme dhe në shkelje flagrante me kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare për të drejtën e ushtrimit të grevës së urisë, iu hoqën me forcë çadrën e të burgosurve që e donin si mbulojë në natën e ftohtë që lanë pas. Greva e të përndjekurve është njoftuar që me 23 shtator kur të përndjekurit bënë një grevë urie paralajmëruese 24-orëshe dhe njoftuan publikisht nisjen e grevës së urisë me 12 Tetor pa afat, një grevë e titulluar “Ballafaqim me qeverinë”, jo kundër qeverisë. PDM i bën apel qeverisë, Kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, ashtu siç e përgëzon për mbajtjen e premtimit kryesorë dhënien e dëmshpërblimit, por i kujton se paketa integruese nuk është është dëmshpërblimi, por statusi i të përndjekurve, pensionet, pensionet e minierës, strehimi, punësimi, gjetja e varreve të humbura, muzeu kombëtarë, dekomunistizimi i vendit, hetim të krimeve të komunizmit, rishikim të ligjit të dosjeve të spiunëve të sigurimit të shtetit, heqja e dekoratave eksponentëve të diktaturës, dhe në këtë dimension greva është e drejtë e ligjshme dhe dikush duhet t’i dëgjojë. PDM u kërkon të burgosurve në të gjithë vendin të solidarizohen me grevën e të përndjekurve dhe të burgosurve politikë për të drejta të ligjshme dhe për një proces kurimi me të shkuarën, për transparencë, dëlirësi me regjimin që lamë pas dhe ndërtuar demokracinë e pritur, demokracinë evropiane. Po ashtu, PDM iu bënë thirrje aktorëve të tjerë politikë, deputetëve të kuvendit, zyrtarëve të lartë të institucioneve të shtetit, institucioneve përgjegjëse që të trajtojnë çështjen e të përndjekurve që ta shikojnë grevën si një sakrificë për të drejtat e mohuara dhe që duhen mbështetur, inkurajuar për të realizuar ato çfarë iu takojnë me ligj dhe jo si një grevë që duhet ndëshkuar, tipar që u përket regjimeve dhe jo vendeve demokratike.
Sigal