Patriotizëm apo sharlatanizëm?

531

Vangjush Saro

Hezitimi i shfaqur në Luksemburg – në lidhje me (mos)hapjen e negociatave – edhe njëherë flet për një situatë jo të mirë në Evropë, por dukshëm problematike për Shqipërinë. Duke u përpjekur të kuptojmë se çfarë po ndodh me vetë BE-në, mirë është të shohim edhe brenda vetes, në çdo hapësirë ku jetojnë shqiptarët. Mendoj se ne jemi ende te legjenda. Këtë e kuptoj si njëlloj rendjeje në ëndërr; si prapambetje; si mendjelehtësi; tërheqje kohë e pa kohë, vend e pa vend, nga njëlloj folkolizmi; ndjesi shumë larg realitetit dhe prakticitetit të jetës së sotme; sjellje disi të vjetruara. E përsëris, duke iu kërkuar ndjesë lexuesve të nderuar: jemi ende te legjenda. Një fjalë e urtë popullore na kujton: “Vetëm budallai është gjithmonë i kënaqur nga vetja.” Në vazhdën e një euforie tejkombëtare, sikur njëlloj ngushëllimi për problemet e vështira që po kalon vendi, disa medie, rrjete, grupe a individë sharlatanë, në trojet shqipfolëse dhe më gjerë, kanë marrë revan dhe, me sa shihet, nuk do të ndalen derisa ta përfundojnë misionin e tyre gjoja shqiptar, që në fakt i sjell vetëm dëme Shqipërisë dhe krijon një klimë të papajtueshme me interesat e saj reale. I shohim këta sharlatanë duke këputur broçkulla e duke luajtur rolin e patriotit të madh: në politikë, në sport, në histori, në gjuhësi (përveçse në etimologji) e kështu më tej; gjithnjë të palodhur, ndonjëherë edhe histerikë.

Tullumbace shqiptare ngjyra-ngjyra në një qiell gri. Kemi parë në fillim një të tillë tullumbace (dron) të hedhur nga një i ashtuquajtur patriot në një ndeshje sportive dhe që u pasua me lloj-lloj lavde e pastaj sharje, histeri pse jo, nga të gjitha palët, nga sharlatanët e disa vendeve ballkanike. Më vonë, herë pas here, janë parë të tjera tullumbace me ngjyra të bukura, janë recituar hartime patriotike e thirrje patetike nga më të çuditshmet; a thua, propagandë e trashëguar nga kohërat, ndjesi legjende apo njëlloj hashashi për të harruar problemet e mëdha të të sotmes, qiellin gri. E tillë ishte edhe euforia e paparë në lidhje me ndeshjen e futbollit midis Zvicrës dhe Serbisë, pas fitores së skuadrës zvicerane dhe pasi që dy nga futbollistët e kësaj kombëtareje, kosovarë, bënë shenjën e shqiponjës, një simbol që herë-herë shkon, por më së shumti e humbet vlerën dhe seriozitetin kur puna merr për vodevil… Kështu, bie fjala, edhe kreu i futbollit shqiptar, Duka i përjetshëm, që siç dihej dhe siç u tha përsëri, ishte sjellë si harbut me ata futbollistët e shqiponjës, në ato ditë “trimërie” shqiptare, u zgjua papritur ndryshe; dhe tha se askush nuk kishte të drejtë të ndëshkonte futbollistët për këto gjeste… Kurse vetë Duka mund t’i ndëshkojë ata, me indiferencë ose duke iu kërkuar shuma të paimagjinueshme parash e, megjithatë, prapë të na shfaqet si engjëll apo si patriot i madh(!) Thelbi i kësaj historie, i këtyre episodeve, për shumëkënd mund të jetë një goditje nga naiviteti; kurse për disa më të mençur, si ky më lart – si edhe për ca komunistë që e “ndjejnë” sot shtypjen dhe persekutimin (komunist) më shumë se ata që u shtypën dhe u persekutuan – këto nuk janë gjë tjetër, përveçse rastet më të mira për t’u shtirur… E dinë shumë mirë këtë lojë-legjendë ata që janë në opozitë dhe ata që drejtojnë. Mund të shtojmë këtu, nëse nuk lëndohet kush, edhe muhabetet e Kryeministrit shqiptar në rrjet; dhe legjenda vazhdon. (Xhorxh Oruell: “Nëse kështu, thotë shoku Napolon, atëherë kështu duhet të jetë…) Për fat të keq, një trajtim alla legjendë i bënë kësaj ngjarjeje e këtyre gjesteve një sërë media, por sidomos vetë njerëzit, posaçërisht në rrjetet sociale. Dhe nga “lufta”, menjëherë në “festë”. Në Shkodër, për shembull, ashtu u bë; madje “festa” spontane u realizua me makina (me fishkëllima dhe flamuj) që vinin rrotull në qendrën e qytetit me brohori e sokëllima, sikur (më në fund) të ishte fituar trofe prej ndonjë ekipi nga Shqipëria. Oops! Me sa dimë, kur bëhet ndonjë manifestim apo festë e këtij lloji, më e pakta, merret… lejë në polici a në bashki. Por “festuesit”, në delir, nuk pyesin as për ligje dhe as për shtet, mjaft që të shprehin njëlloj dufi apo të manifestojnë me zhurmë patriotizmin fals dhe euforik. (F.Kafka: “Njerëzimi bëhet masë e përhime, pa trajtë dhe anonime, kur heq dorë nga ligji…”) Por ka edhe më. Në një nga qytetet historike të Kosovës, makina dhe njerëz u panë të vijnë përqark për të përshëndetur një tjetër eveniment, që këtë herë s’ka të bëjë fare me Shqipërinë; atje festuan këso për të përshëndetur fitoren e Erdoganit në Turqi (!) Kush do ta besonte? Në ç’vend mund të merrej kështu, hua, lavdia e dikujt tjetër? Epo, nëse ka turma apo individë të marrosur, nëse ndonjë apo disa sharlatanë kërkojnë të tjetërsojnë kahen e Shqipërisë, ligjet e këtij vendi, a nuk duhet të ketë një përgjigje nga autoritetet shqiptare, përkatësisht kosovare, ato qendrore apo ato vendore? Ç’mund të thoshim më tej? Thjesht duhet të dalim nga legjenda dhe t’i shikojmë gjërat në kohë. Pra, do të ishte më mirë sikur energjitë dhe ndjeshmëritë, brenda dhe jashtë kufijve administrativë, të përqendroheshin më shumë te problemet tona të hapura. Këto probleme, ç’është e drejta, disa medie e kolegë i afrojnë mirë te lexuesi; por pjesa e sharlartanëve (politikanë, analistë, medie, rrjetexhinj, etj.) hesht ose i deformon. Mund të fillojmë nga (pa) ndëshkueshmëria e krimeve dhe e abuzimeve, prej ditës së parë të gjendjes tranzicionale emërtuar demokraci, e deri më sot. Mund të kujtojmë se si kultura jonë katandis te… nderja e librave në Bibliotekën Kombëtare, për t’u tharë, sikur nderen lëveret. (E. Amiçiz: “Një shtëpi pa bibliotekë, është një shtëpi pa sedër.”) Të qëndrojmë te sjellja halabake e pushtetarëve me ata që nuk kanë punë e mjete jetese, fundja as parti, çka vjen si mashtrim i radhës, duke gënjyer haptazi për aq e kaq vende pune. Të ulemi mirë te çështja e raportit të qytetarëve me liderët politikë në vend (në të dy vendet) bëhet nyje gordiane, sepse ata të fundit nuk janë më asesi të besueshëm për njerëzit, anipse me forcën e pushtetit dhe të parasë, qëndrojnë “kokëlart” në dekada, madje duke u tallur me shqiptarët. Të shikojmë se e tillë, groteske, është vetë legjenda e re e madhështisë dhe e gjithë tullumbaceve në vijim, si ajo e kryeministrit të Kosovës, i cili, çuditërisht, paguhet më shumë nga të gjithë kolegët e tij – që tek e fundit i kanë më mbroth punët në vendet e tyre – e ndërkohë, pas gafës në jubilaren për Lidhjen e Prizrenit, tani i bën karshillëk një poeti e intelektuali të njohur, sikur një mësues i kohës së shkuar nxënësit të vet të pabindur. (J. V. Gëte: “Tepër e zorshme të fshehësh të metat e mbretërve.”) Po e përmbledh. Në vend që të merren mirë dhe në vazhdimësi me këto probleme dhe pamje të tjera për të ardhur keq, të dukshme e të padukshme, një sërë medie e intelektualë, megalomanë të rrjeteve sociale dhe, përgjithësisht, pjesa më delirante dhe sharlatane e shqiptarëve, kudo që gjenden, festojnë, shkruajnë e flasin si në legjendë, fryjnë e lëshojnë në qiellin gri (gjithnjë e më gri) tullumbace me ngjyra të bukura… Me problemet e vërteta të vendit, nuk merret askush, sepse kjo mjegull e ky folklorizëm i fshehin mirë gjërat e padëshirueshme. Dhe… hajde të bëjmë festa përditë! Këtë duhet të kuptojmë. Ikjen nga legjenda dhe ardhjen në realitet.