Pasojat e egocentrizmit dhe fanatizmit politik

833
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Papunësia ka buruar nga vjedhja e vazhdueshme e investimeve, taksave, buxheteve, fondeve dhe projekteve
Historia e mënyrës së qeverisjes së Shqipërisë në këto 105 vite zbulon faktin që vendi ynë, gjithnjë është mashtruar dhe sunduar nga fanatikë dhe përbindësha politikë, të cilët kanë ndikuar aq shumë në degradimin e vazhdueshëm të mjedisit natyror, shoqërorë dhe politik. Drejtuesit kryesorë të shtetit dhe të politikës shqiptare të këtyre 105 viteve, pavarësisht nga demagogjia e tyre mbi Evropën dhe për Evropën, mbi njerëzit dhe për qytetarët, gjithnjë kanë punuar çdo ditë kundër interesave të qytetarëve dhe modelit të sjelljes, të punës dhe të vlerave të shoqërive europiane. Fjala ‘fanatik’ buron nga latinishtja ‘fanaticus’ që do të thotë shenjtërisht i inspiruar. Në të vërtetë, fanatikët janë përsonazhe të rëndomtë shoqërorë e politikë, janë personazhe të rastësishme e të kapluar nga sëmundja e rëndë e egocentrizmit dhe mendësia apo bindja, se ata dhe vetëm ata zotërojnë të drejtën për të folur, të drejtën për të vendosur, të drejtën për të vepruar, të drejtën për të qeverisur. Fanatikët besojnë se dinë çdo gjë, besojnë se zotërojnë idetë më të mira, më njerëzore dhe më hyjnore. Në këtë mënyrë, çdo alternativë, argument, zgjidhje apo e vërtetë tjetër jashtë kokës dhe logjikës së sëmurë të fanatikut, nuk merrët në konsideratë, nuk provohet dhe nuk ka asnjë vlerë në hapësirën e uzurpuar e të sunduar prej tij. Sipas Bernard Verbbek, idetë dhe sjelljet fanatike, ndeshen më shumë në politikë. Sipas tij: “Diktaturat dhe luftërat pa ideologji, pa fanatizëm, pa idetë e liga, janë të pamundura”. Që do të thotë se në ato vende që sundohen me fanatizëm, individualizëm dhe me ligësi, vendi i progresit shoqëror e politik, është i zënë nga diktaturat dhe diktatorët që kembehën duke pasuar e mbajtur njëri tjetrin. Në të tilla vende, zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë dhe mjedisit, gjithnjë është spostuar dhe është zevendësuar nga zhvillimi kaotik dhe degradues. Në të tilla vende si Shqipëria, puna dhe mirëqënia e popullit gjithnjë është vrarë dhe gllabëruar nga abuzivizmi, nga korrupsioni dhe nga varfëria. Atje ku sundojnë fanatikët, demokracia ekziston vetëm si nocion apo si fjalë që përdoret për demagogji. Ndërsa të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë si ajo dërrasa që shkelët dhe shkallmohet çdo ditë nga kundrat e komitës fanatike, gjithnjë të vetëshpallur e të vetëquajtur shtet, shtetarë dhe politikanë. Nga agocentrizmi, ligësia, injoranca dhe fantizmi i sundimtarëve të këtyre 105 viteve, në vend të qeverisjes dhe prosperitetit tonë shoqëror, politik e kombëtar, gjithnjë kemi parë dhe shijuar të kundërtën, arrogancë, dekadencë, varfëri dhe degradim të gjithanshëm të politikës, të administratës, të institucioneve, të mjedisit dhe të ekonomisë individuale e kombëtare. Në vend të administrimit efektiv, gjithnjë kemi parë dhe shijuar abuzivizmin dhe hajdutërinë. Në vend të forcimit të unitetit shoqëror e kombëtar gjithnjë kemi parë dhe shijuar degradimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona shoqërore si dhe përçarjen kombëtare me anë të ligësisë, dhunës administrative dhe sundimit të vendit dhe politikës me krahizëm, me nepotizëm dhe me përsonazhe me mendësi dhe sjellje jashtë realitetit dhe nevojave tona për prosperitet shoqëror e kombëtar. Çdo banor i Shqipërisë që sot nuk e di se ku i ka djemtë dhe vajzat e veta, mund të bëjë një analize të thjeshtë historike e shoqërore për të kuptuar burimin e vërtetë të shpopullimit që po realizohet ditën për diell përmes largimit të rinisë dhe elitës në azil. Kjo hemoragji kombëtare, gjithnjë ka patur dhe ka për bazë arrogancën, varfërinë dhe papunësinë. Papunësia në Shqipëri nuk buron nga mungesa e profesionistëve dhe e njerëzve të arsimuar. Përkundrazi, papunësia ka buruar nga vjedhja e vazhdueshme e investimeve, taksave, buxheteve, fondeve, projekteve. Kjo vjedhje është realizuar dhe po realizohet përmes dëbimit dhe menjanimit të vazhdueshëm të elitës dhe njerëzve të mirëarsimuar të Shqipërisë. Menjanimi i elitës dhe profesionistëve nga administrata shtetërore dhe politike ka shkaktuar mjerimin e kapaciteteve administrative, nga ku është krijuar një situatë turpëruese dhe e padurueshme në shërbimet publike. Mesa kam kuptuar, sundimtarët fanatikë e mediokër as nuk e shohin, as nuk e ndjejnë dhe as nuk e konsiderojnë dhimbjen e familjeve shqiptare që, pasi kanë investuar për rreth 20 vite në arsimimin e mirë të djemve dhe vajzave të tyre e që janë të detyuruar t’i nisin për në kampet e azilit. Çdo ditë shoh me dhjetëra e qindra ish-studentë e specialistë shumë të mirë që largohen nga vendi të fyer e me shpresë të vrarë. Nga të gjithë bashkëkohësit e mi dëgjon të thuhet shprehja: “Kështu nuk mund të jetohet!”. Në një ditë të Tetorit 2017, këtë fjali përdori edhe djali im i vetëm që sapo kishte përfunduar universitetin, ai është një profesionist shumë i mirë në punën e tij. Djali im përmes kurseve dhe shkollës amerikane që pati përfunduar zotëronte 4 gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht). U ndie i fyer, i menjanuar dhe pa asnjë shpresë punësimi. Kishte jetuar në Evropë, kishte parë shumë, për pasojë nuk e gëlltiti demagogjinë mbi të ashtuquajturat ‘reformë’. Për pasojë edhe iku si të gjithë ata specialistë dhe intelektualë të tjerë të shumtë që janë shpallur të padëshirueshëm në vendin e tyre, vetëm sepse kanë formim të lartë shkencor e qytetar dhe karakter të fortë e të qëndrueshëm. Të tillë njerëz janë larguar dhe vazhdojnë që të largohen vetëm, se nuk bëhen dot të ligj, as servilë, as gojëkyçur, as krimba e duartrokitës për fanatikët e papunësisë, nepotizmit dhe injorancës së thellë politike dhe administrative. Në mënyrë të veçantë, në qeverisjen e periudhës 2009-2018 në Shqipëri nuk mund të gjendet asgjë më tepër se abuzivizëm, ligësi, varfëri, shkatërrim vlerash dhe vetëdiskreditim të thellë. Fanatizmi dhe egocentrizmi shtetëror dhe politik i këtyre viteve, para së gjithash i ka kontribuar rrënimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të administratës dhe të institucioneve tona shtetërore e politike. Kjo situatë çoroditëse, ka shkaktuar edhe orientim tepër të gabuar dhe humbje të mëdha e të njëpasnjëshme edhe në tregjet ekonomike, në tregjet e punës, në projektet dhe në investimet afatgjata që varën nga gjeopolitika. Qeverisja e gjatë pa drejtësi e me karatere sadiste e konjukturale, është padrejtësia, dëmi dhe mallkimi më i madh ndaj një vendi si Shqipëria. Në këtë këndvështrim, qeverisjet egocentrike dhe fanatike të këtyre viteve, mendoj se nuk kanë prodhuar asgjë më shumë se varfëri, fyerje, ligësi, stres, shpopullim dhe degradim të gjithanshëm të shoqërisë, të natyrës dhe të mendimit njerëzor. Gjithnjë ka një rrugëdalje të drejtë e të njohur për të shpetuar nga të tilla qeverisje. Nga të tilla realitete shpëtohet vetëm përmes shfronësimit të burimit të arrogancës dhe të fanatizmit politik. Në të tilla raste, E. Kani sygjeronte: “Prishje të kontratës së popullit me qeverisjen”, ose “Shfronësimin e Krimit”, duke shmangur me çdo mjet premisat e një rrebelimi kriminal të deshiruar vetëm nga diktatorët dhe sundimtarët që e përdorin zjarrin dhe tymin e rrebelimit për të shpëtuar nga llogaridhënia dhe përgjegjësia e krimeve të kryera.
Sigal