Pas auditimit të procedurës së prokurimit publik…

740
Fenomenet negative të hasura gjatë auditimit të prokurimeve publike janë nga më të ndryshmet. Njeri prej tyre është përdorimi fondeve publike për shërbimin e “Mirëmbajtjes së sistemeve të llojeve të ndryshme të IT”, dhe shërbimi për “Mirëmbajtjen e aparaturave, pajisjeve të ndryshme mjekësore etj”, pjesë e teknologjisë së avancuar. Kur shprehesh për shërbim mirëmbajtje sistemesh ose pajisje të teknologjisë së avancuar çdo gjë duket në rregull, por kur sheh si veprohet praktikisht problemi ndryshon.

Ku gabohet: Së pari. Në vet dhënien e shërbimit të “mirëmbajtjes …”.
Gjatë blerjes së shërbimit të “Mirëmbajtjes të sistemit X…”, ose “Mirëmbajtjes së pajisjeve të ndryshme”, midis palëve, shitës që është subjekti privat dhe blerës që është Institucioni shtetëror, lidhen kontratat përkatëse. Në kontratë janë përcaktuar qartë termat e referencës për shërbimin e mirëmbajtjes të “Sistemit X” ose/dhe për “Pajisjen” e blerë ku ndër të tjera është përcaktuar dhe “Trajnimi i stafit përdorues dhe teknik” të institucionit blerës. Qëllimi i vendosjes së nenit të mësipërm në kontratë është që Institucioni të ketë performancë maksimale në përdorimin e “Sistemit X” ose/dhe “Pajisjes …” me shpenzime minimale. Nëse ky kushtëzim nuk do të ishte parashikuar, do të ishte gabim nga Institucioni, i cili brenda një kohe shumë të shkurtër do të shoqërohej me efekte negative financiare. Përgjithësisht institucionet nuk e zbatojnë këtë kusht (edhe kur e kanë parashikuar në kontratë), por nxitojnë që këtë shërbim ta transferojnë në subjektet privatë. Duhet theksuar se çdo institucion ka një bërthamë IT të organizuar në nivel “Sektori”deri në “Drejtori”. Drejtuesit e institucioneve me arsyetimin se …. sistemi X, ose pajisja Z është shumë moderne, ose është tepër i ndërlikuar, shmangin gjithmonë stafet e veta të IT dhe/ose teknikëve. Edhe sikur ky shërbim për mirëmbajtjen e “sistemit/pajisjes” të jetë i komplikuar etj, është detyrë e stafit menaxhues të Institucionit që të trajnojë punonjësit e vet, qoftë dhe duke rekrutuar/stimuluar punonjës shtesë. Kosto shtesë për trajnim/rekrutim të punonjësve të IT është minimale, e pallogaritshme ndaj shërbimit të “mirëmbajtjes …”, së dhënë subjekteve privatë. Numri i specialistëve të operatorëve ekonomikë privatë që kryejnë shërbimin e mirëmbajtjes të pajisjeve mjekësore, është ndjeshëm më i ulët se sa i specialistëve që kanë Institucionet shtetërore shëndetësore, me shkollim universitar brenda vendit dhe me specializim për mirëmbajtje pajisjesh mjekësore rreth një muaj jashtë vendit.

Së dyti. Çmimi i vendosur për kryerjen e shërbimit është shumë i lartë.
Në vendosjen e çmimit të shërbimit institucionet nuk mbështeten në librezën/manualet teknikë të sistemeve/pajisjeve, në të cilat parashikohen koha e shërbimeve të ndryshme për mirëmbajtje rutinë, periodike deri në kohën e punës për pjesë të veçanta e mbi këtë bazë të bëjnë llogaritjet për fondin e nevojshëm për mirëmbajtjen e shërbimit. Janë evidentuar pagesa të larta për kontrata shërbimi mirëmbajtjeje deri dy vjet për “Sistemin X …”, ose për grup “Pajisjesh”, në zbatimin e të cilave për periudhë mbi 18 muaj sipas procesverbaleve përkatës të mirëmbajtjes së shërbimit, nuk është konstatuar asnjë defekt. Ministria e Shëndetësisë, duke parë perspektivën, e cila imponon shtimin/plotësimin e Spitaleve publikë me pajisjeve mjekësore moderne, por në veçanti koston shtesë në shërbimin e “Mirëmbajtjes …”, të shikojë mundësinë e organizimit të një njësie qendrore të specializuar për mirëmbajtjen e të gjitha pajisjet mjekësore të sistemit të shëndetësisë, me qëllim, jo vetëm sigurimin cilësor të shërbimit të mirëmbajtjes, por dhe uljen e kostos së tyre. Për të dy rastet vlen të theksohet, se janë shërbime që përsëriten çdo vit për miliona euro. Janë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë që menaxhuesit e institucioneve shtetërorë ia falin subjekteve privatë. Sepse nuk i kanë të vetat. Sepse duan t’í bëjnë të vetat.

Auditues
Fatmir Zilja
Sigal