Partizanë të interesit vetjak dhe partiak…

822
Nga Përparim SHAMETAJ 
Kryetar i Bashkisë Selenicë 
Apel publik i kryebashkiakut të Selenicës 
Mungesat e shpeshta dhe të qëllimta të këshilltarëve të forcave politike të spektrit të majtë në bashkinë Selenicë, duke mos plotësuar kuorumin për zhvillimin e mbledhjeve të këtij Këshilli, si organ vendimmarrës, si për: mos miratimin e Buxhetit të vitit 2017, si dhe të vendimeve rrjedhëse, kanë detyruar kryebashkiakun, deri të apelojë publikisht, për t’i thirrur arsyes çdo i zgjedhur, për të kryer detyrimin ligjor. 
“Të nderuar qytetarë të Bashkisë Selenicë!
Ju bëjmë me dije se; më dt. 12.04.2017 do të zhvillohej mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak; për miratimin e buxhetit të vitit 2017, për Bashkinë Selenicë. Për të disatën herë, qysh prej dhjetorit të vitit të shkuar, po mbahet peng miratimi i paketës buxhetore e cila i hap dritën jeshile zhvillimit të mëtejshëm të kësaj zone, nga individët që janë zgjedhur, prej qytetarëve për të qenë përfaqësues të interesit publik, por që me dashje janë konvertuar në partizanë të interesit vetjak dhe partiak! Bojkoti dhe prishja e mbledhjes së tretë në krye të katër muajve nga këshilltarët e partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, është një shfaqje e shëmtuar në sytë e njerëzve që i kanë votëbesuar këta persona, për ta përdorur forcën e kartonit në funksion të përfaqësimit, të zgjidhjes së problematikave që shqetësojnë përditshmërinë e tyre dhe në dobi të komunitetit, por fatkeqësisht po e keqpërdorin besimin, zgjedhjen nga zgjedhësit!

Për mendimin tonë do ta quajmë me të drejtë një teatër me shfaqje të dështuara, sa dhe të shëmtuara: me aktorë të ngelur në klasë, realisht këta individë që nuk e meritojnë aspak pushtetin e këshilltarit, votëbesimin që ua ka ngarkuar populli, por përligjin përkufizimin e ushtarëve të bindur të linjës së partisë, që në funksion të urdhrave, me regjisurën e shefave nga Tirana, hedhin poshtë interesin publik, duke pasur si prioritet atë elektoral. Unë si person dhe i zgjedhur për të qenë kryeshërbëtori i Bashkisë Selenicë, që në ditën e parë të marrjes së çelësave të Bashkisë, nuk e kam përdorur përgjegjësinë e pushtetit të ngarkuar nga vota, për interesa dhe qëllime elektorale në shërbim të flamurit partiak, por e kam hapur derën dhe zemrën ndaj çdokujt që ka denjuar të vijë dhe të shpreh problemin dhe për t’iu ofruar zgjidhje, duke mos i ndarë njerëzit në “parcela”, në të majtë dhe të djathtë, por si njerëz që kemi detyrimin njerëzor, moral dhe ligjor, t’u përgjigjemi dhe t’u shërbejmë me seriozitet e pjekuri. Kjo që po ju parashtrojmë dhe detyrohemi të publikojmë në mediat publike, etj; nuk është një retorikë boshe politike, por një aksion i njohur, i prekur e faktuar qartë në investimet e kryera dhe në ato që sapo kanë nisur, ku mund t’ju paraqesim ndërhyrjet që ka bërë Bashkia në infrastrukturën rrugore, me rehabilitimin e rrugëve dhe kanalizime në fshatin Kotë, dhe jo vetëm. Po ashtu po përmendim dhe nisjen e punimeve për qendrën e re të fshatit Brataj, të dyja këto zona të ashtuquajtura “bastione të së majtës’’, etj. Gjithashtu në paketën buxhetore të këtij viti, janë gati dhe disa projekte serioze në infrastrukturën arsimore, që përkojnë me ndërhyrjen, për rikonstruksionin e kopshteve dhe shkollave që vogëlushët dhe nxënësit të kenë kushtet më optimale të studimit.

Po ashtu kemi gati projektet për rehabilitimin e disa rrugëve në Njësitë Administrative, të cilat përfshijnë në juridiksion; kanale kulluese dhe vaditëse që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të fermerëve. Në këtë projekt buxhet, kemi parashikuar dhe akordimin e 20 bursave shkollore për studentët, si ata në pamundësi ekonomike dhe ata në kushte të veçanta shëndetësore. Po ashtu ndihmat ekonomike që shkojnë për shtresat vulnerabël, vazhdojnë të ngelen peng i bllokimit të paarsyeshëm nga ana e këtyre këshilltarëve dhe vendin e zgjidhjes në dobi të zhvillimit, e ka zënë “argument” shterpë, duke u bërë pengesë e mosmarrjes së ndihmave të këtyre njerëzve në nevojë, nga mungesa e këtyre të zgjedhurve. Nëpërmjet dëgjesave publike, të zhvilluara kudo me banorë të zonave të ndryshme të Bashkisë Selenicë, kemi hartuar projekte gjithëpërfshirëse, si dhe një shpërndarje të drejtë të investimeve. I zhveshur nga kostumi i politikanit dhe i veshur me rrobat e njeriut, së pari: kam thirrur në takime edhe kryetarët e grupeve të këshilltarëve për t’i dhënë fund kësaj loje elektorale që vështirëson pozitat e komunitetit dhe për t’i hapur rrugë miratimit të menjëhershëm të paketës buxhetore. Por vullneti’ i eprorëve, duket se nuk i lejon këta në ushtrimin e funksionit publik, në shërbim të bashkëqytetarëve të tyre. Edhe një herë ju bëjmë thirrje publike të gjithë këshilltarëve të majtë: Të shkëputen nga urdhri partiak dhe të kalojmë paketën buxhetore, sepse interesi i eprorëve tuaj dhe privilegjet tuaja personale, nuk mund të prevalojnë kurrsesi mbi interesat e njerëzve që ju kanë zgjedhur dhe besuar, në të mirën e përbashkët të 37.000 banorëve të Bashkisë Selenicë, për të cilët kemi marrë votëbesimin për t’ju përgjigjur me ndershmëri dhe konform kuadrit ligjor ç’do ditë të mandatit.

I juaji, Përparimi”- e mbyll apelin e tij kryebashkiaku, i Selenicës, duke e lënë të hapur reflektimin e këshilltarëve, që lodhen duke penguar. Së pari ata; duhet të këshillohen dhe frymëzohen minimalisht me arsyen e qytetarit…
Sigal