Partizan Myftari/Visari (Zhiti) i dy pushteteve

535
Sigal

Nuk më mjafton vetëm mua të them se Visar Zhiti është një poet i mirë.

Kam pasur rastin ta njoh edhe si poet, edhe si njeri… Midis strukturës poetike, vegimit, afshit, imazhit gjer tek njeriu që është një hapësirë ajri monumentale e gdhendur në fjalë nga ai. Një përjetim brenda vetes dhe jashtë tij.

Një herë duke pirë kafe së bashku në Romë, kur ai për vite punoi në personelin e ambasadës shqiptare, më thotë: “Më mungon fuqia për të qenë i lirë!”… e ndërkohë ai më sillte në kujtesë vuajtjet e tij që pjesërisht i kishte hedhur në poezi tek libri i tij “Kujtesa e Ajrit”. Flisnim shpesh edhe për letërsinë. “Grindeshim” edhe për idetë tona mbi rrugëtimet e domosdoshme të ndryshimit, por mbi të gjitha mbi domosdoshmërinë e lirisë, të fjalës dhe rrënimit të saj.

Visari u takonte dy pushteteve.

I pari e burgosi për lirinë e mendimit të tij poetik. Njerëzit e pushtetit të rreptë nuk të falnin, kontrollonin e ushtronin presionin me mënyrat më të ndryshme.

Ata nuk kishin merak lirinë e Visarit, por lirinë e tyre dalldisur prej ajrit poetik të Visarit. Pushteti i ka pasur frikë poetët e vërtetë, por Visari nuk hynte tek të ledhatuarit e pushtetit që nuk i kanë munguar asnjë sistemi.Ai, ishte i lirë poetikisht, dje, por në burg.

Sot ai është Ministër, por nuk është i lirë. Dje pushteti e burgosi në Spaç, sot e burgosën atje ku përgatiteshin dosjet e fshehta kundër tij. Visari përsëri nuk është i lirë.

Visari burgosur midis dy pushteteve për t’i “vrarë” poezinë. Edhe dje, pushteti, kërcënueshëm i vëzhgonte fjalën. Edhe sot, pushteti idhnak, me personalitetin e poetit kërkon të shpëtojë diçka nga ajo që ka mbetur prej rrënimit të kësaj katrahure demokratike.

Ka një poezi të bukur Visar Zhiti për Sekretarët e Partisë së Punës, për redaktorët, për instruktorët dhe ata e thirrën mes vetes për të heshtur, “NEVERIA” tek Kujtesa e Ajrit , botuar më 1993. Plot 20 vjet më parë me një pasthënie të Ismail Kadaresë. Sot miku im ulur në zyrat e tyre.

Por Visari nuk është si ata!

Poezia e tij është më e madhe se konceptimi primitiv i pushtetit. Shërbimi i përkohshëm që po u bën sekretarëve të vjetër e të rinj nuk ka lidhje aspak me Lirinë e tij Poetike. As me pushtetin e përkohshëm, që e thirrën për ndihmë.

Poetin e “vrasin” edhe kështu!

Sot i japin një zyrë duke i marr borxh lirinë e tij! Gjithkush e ndjen vet fillimin dhe mbarimin e Lirisë së tij.