Partizan MYFTARI/ Riciklimi me dhembë të krimbur

558
Sigal

Koha rrjedh dhe ndërrimi i pushteteve nga një derë partie në tjetrën tregon se cikli i tyre politik ka dështuar prej kohësh. Familja politike shqiptare nuk është e tillë, por një han politik me aventurierë e batakçinj që luajnë mbi vlerat dhe ëndrrat e një populli.

Politika në Shqipëri është bërë e frikshme, më shkruante dje një miku im i vjetër gazetar. Arsyeja pastaj nuk sugjeron gjera të bukura prej brumit të tyre të thartuar, por mendo se si të shpëtoj prej këtij kompozimi surreal që edhe mendja më diabolike nuk arrin të konturojë rrjedhshëm historinë e tyre të frikshme.

Tu thuash se janë qesharakë është njësoj sikur t’i përkëdhelësh dhe ledhatosh, aty ku janë, mbi një shtrat politik të lartësuar prej rrënjëve të fuqishme të krimit në çdo qelizë të mendimit apo të veprimit.

Hija apo perdja e zezë që i kanë hedhur syve të popullit nuk i shpëton nga mëkatet kriminale as ata dhe as atë pjese së shtypit, gazetarisë apo televizioneve që janë shndërruar thjesht në papagaj kafazesh ku interpretojnë, përpiqen të justifikojnë përshkallëzimin e degjenerimit të tyre me studio të bukura të vellosura, ku krimi i rrugës dhe vuajtja e popullit vazhdon të shitet si një cikël tranzicioni.

Partitë politike në Shqipëri kanë dështuar duke vrarë sistemin liberal dhe ngjallur, ushqyer prej shpirtit të tyre të degjeneruar në programe hipokritësh ku vizioni i një Kombi, i një të ardhme shikohet vetëm si fuqi e tyre personale, ekonomike e vjedhur çmendurisht.

Partitë politike janë shndërruar në banda të organizuara e të njohura juridikisht në një institucion juridik që nuk është i tillë. Pushteti është shndërruar në një organizëm të rrezikshëm qesharak ku varros vlerat sociale, humane, kapërthen gjithçka në inkriminime duke u fshehur pas shtetit i formatuar me ca ligje kushtetuese, që ose nuk kanë funksionuar, ose kalimthi shndërrohen në ura kalimi për element politik, juridik e kriminal që fshihen brenda elementit Shtet-formues si transmetues apo funksionar tranzicioni me rrobe pushteti.

Shumica e intelektualeve aktiv, brenda ose jashtë sistemit të ndërrimeve të pushtetit, nuk janë gjë tjetër, veçse disa hipokritë imoral ku kënaqin epshin e tyre egoist mbi mundësinë që kanë gjetur, apo dhenë, për të mbajtur një vend pune për familjet e tyre edhe në mënyrën më gjakësore.

Politikanët nuk janë njerëzit e ideve, por ëndërrimtarët e kolltukëve dhe frymëzuesit e kriminelëve ordinerë që vjedhin, presin, vrasin e terrorizojnë aq herë sa bandat politike mes tyre nuk gjejnë dot akordin e vjedhjeve dhe shtrijnë terren sinfoninë e krimit mbi trupin e një populli që nuk është instrumenti i Rilindjes, por daullja e çarë.

Partitë politike në Shqipëri kanë dështuar totalisht jo për shkak të origjinës së tyre prej nga vinë, por si rezultat i konceptimit ende klasor të pushtetit ku e Drejta Universale nuk është e askujt, por ata e trumbetojnë si pasuri të të gjithëve, por realisht pronësohen egërsisht rreth këtij elementi duke vendosur në mes nesh e tyre Shtetin Fantazmë i “kompletuar” me strukturat përkatëse, por krejt bosh nga Filozofia Universale e Njeriut të Lirë e Shtetit të së Drejtës dhe njëkohësisht i organizuar me institucionet e veta për t’i mbijetuar ligjeve të xhunglës.

Të zë koka! Të hapet koka dhe nuk di nga ta fillosh më parë me paaftësitë e tyre për të bërë shtet apo nga horrllëqet e tyre për tu treguar se janë burra për të bërë shtet.

Majtas e Djathtas Shqipëria e pushtuar prej shqiptareve, dhe Shteti është froni ku batakçinjtë politik kalojnë pushimet e tyre si kohë e domosdoshme për tu bërë kapitalist të sistemit dhe nesër të konkurrojnë në ekonomi tregu.

Ju kujtohet Berisha?! Mjeku i bluzës së bardhë tentoi të shëronte një sistem, por falë paaftësisë së tij veshi gjysmat e nenave shqiptare me shami të zezë. Ju kujtohet Arben Imami?! Artisti i filmave vazhdoi rolet e tij drejtpërdrejt në terren. Jo si artist, por si politikan rrëmbeu tankun dhe me grykë të tij do të jepte leksion mbi sistemin e Lirisë dhe Demokracisë. Ia rriti qëllimit, artisti. U bë ministër i mbrojtjes, por nuk jetoi asnjë ditë si artist, por si shërbëtor i sistemit të korruptuar politik. 1997 u përgjak!

Në atë kohë kur Berisha drejtonte sistemin me Partinë e tij ‘Demon – artike’ lulëzuan listat e zeza (ato në fakt ishin bërë që në vitin 1996 nga Shish) për të eliminuar poetë (Xhevahir Spahiun, shërbimi i Berishës tentoi eliminin e tij, por arriti gjer në thyerje krahu) gazetarë, intelektualë e kundërshtarë që nuk mendonin si banda e Berishës.

A u ndëshkua Berisha, ose gjykua si kryefajtor i krimeve të 1997? Jo. Ai jo vetëm mbolli urrejtje, vrasje dhe prapë i thurnin himne mbi gjakun e njerëzve të thjeshtë.

Të dyja palët e inkriminuara, kush me shumë e kush më pak, i vunë një kapak varri krimeve të 1997-ës dhe u rreshtuan në skalionet e tyre të grabitjeve për t’u virgjëruar në sy të botës si, tolerant, europianë, ku respektohet institucioni dhe njeriu. Janë të paimagjinueshëm. Kanë ndërthurur sistemin partiak në mënyrë të tillë që të gjithë politikanët të hanë nga një kockë dhe të vegjlit, kategoria e servilëve, të lëpijnë pa frikë. Politikanë mercenarë që nuk e njohin frikën e ligjit sepse buxheti i tyre peshon më shumë se çdo lloj ligji.

Ju kujtohet se në sa skandale janë përfshirë politikanët e zyrtarët tanë të të gjitha niveleve?! Kur institucioni i dorëheqjes në Shqipëri thuajse nuk ekziston banditët politikanë nuk i japin kohë drejtësisë të veprojë, por i bëjnë vizitë Xhelalit në dhomat e izolimit për t’i dhenë kurajën e fundit dhe për të trembur drejtësinë për atë që mund të gjykoj nesër. Xhelal ziu!

Ndoshta mund të dali edhe i pafajshëm (dhe ashtu uroj) në vend që të tërhiqet i qetë, i ndrojtur, pranë familjes së tij, për “keqkuptimet” e nisura, bën thirrje për festë tek pallati i sportit. Lajmërohej se për këtë “fitore” do të merrte pjesë vet Lulëzim Basha. Dhe partitë politike, këtyre njerëzve, u japin gjithmonë kurora lavdie. Ne, edhe specialistët amerikanë i nxorëm jashtë loje kur u be ekspertiza e videove që paraqiti Dritan Prifti. Videot jashtë loje, por pasuritë dhe vilat e ngritura në mënyrë marramendëse nuk i shikojmë e bëhemi të verbër. A janë bërë publike të gjitha pasuritë e politikanëve?!

Përse nuk i tregohet popullit pasuria e tyre. Sa është?! Kush janë burimet e të ardhurave dhe mundësitë reale për ndërtimin e tyre?! Ky sistem korrupsioni me një pushtet që vepron me urdhra, dhe jo me ligje, gjithë farën e kriminalitetit e ka tek strofullat e zeza politike, që po çnderojnë Shqipërinë dhe ata fshihen gjithmonë. Gjithmonë…

Turren partitë e vogla tani dhe i kërkojnë kryeministrit të radhës kockën e pushtetit, që u takon ashtu siç kishin bërë akordet parazgjedhore. Janë mësuar. Pa kocka nuk u rrihet! Kështu beri dje Shpëtim Idrizi, Kastriot Islami, Fatmir Mediu dhe i famshmi Nard Ndoka. Parti kockash!

Këtu nuk flasim për sens pushteti, por domosdoshmërish për të pasur një kockë pushteti. Kështu sillen të gjithë, të majtë dhe të djathtë, edhe pse fisnikëria midis të majtës e të djathtës në rastin tonë nuk ka vlerë. Këtu komunisti, ballisti, zogisti, socialisti e demokrati, kur bëhet fjalë për të vjedhur, i harrojnë simbolet dhe ngjyrat partiake. Thjesht banditë që riciklohen. Po kush nuk ka turp, nuk fshihet.

Dhe kur këta dalin sheshit, kur një institucion juridik nuk e ka thënë fjalën e tij të fundit, janë më shumë se banditë. Si nuk e dha dorëheqjen ky kryetar bashkie?! Po këta u bëkan grusht rreth parisë (jo partisë) për të mbrojtur njeri-tjetrin dhe gjithë llumin e tyre. Po këta trembin e frikësojnë njeriun e ndershëm nëse nuk merr një teserë ‘pusht – teti’.

Koha e partive politike, ashtu siç funksionojnë tek ne, jo vetëm ka dështuar, por ka humbur të gjitha vlerat. Rilindja nuk po mundet të dalë dot prej nofullave të saj të krimbura, që nga Parlamenti e gjer tek një pushtetar pa emër. Shumë shpejt kompromiset për rilindjen e paardhur do të zhvishen lakuriq sepse brenda tyre nuk ishte thjesht një kompromis për rilindje morali, por ca ngjala të freskëta për fshehjen e riciklimit, ku zyrave të pista retushojnë vetveten për rilindës.

Ka ardhur koha për të braktisur partitë e padronët e tyre. Rilindja, pa u bërë e tillë me gjysmën e pushtetit të krimbur e inkriminuar, nuk mund të riniset….

Shqipëria është shndërruar në makth politik dhe këta na shtiren si reformatorë të kohës. Shqipërinë e mbushën me dosje krimesh dhe brenda dosjeve fshihen e flenë vet. Populli duhet, me urtësi, t’i braktisi me lëvizje të reja masive pa rënë në kurthe politike (të partive – banda) e të zgjohet për t’i dhënë vlera Shtetit të së Drejtës.

Një nismë interesante mund të jetë edhe ajo që ka përfshirë Italinë me Lëvizjen e Pesë Yjeve ku demokracia ka brenda universit të saj një vlerësim të drejtpërdrejt dhe transparencë unikale.

Gjer tani rilindja nuk po duket në agim, por edhe ata që nxinë qiellin shqiptar nuk po flenë për t’ia mbajtur të zi qiellin Shqipërisë me krimet e tyre të fshehura. Partitë e krimit duhen pastruar, jo duke u futur në radhët e tyre, sepse kanceri që kanë nuk ka më shërim, por jashtë tyre me zërin e Rilindjes së një Kombi. Jemi vonë!