Partizan MYFTARI/Politika e dosjeve në arkiva të errëta…

514
Sigal

Dosjet! Dosjet që hapen e mbyllen enigmatikisht për të qenë gjithmonë në stadin e një dyshimi. Ka një segment kohor të gjatë që abuzohet tmerrësisht jo vetëm me institucionet, me politikën e formimit të tyre, por edhe me hapësirën arkivore kur ruhen dokumente të klasifikuara si sekrete ose tepër sekrete; dokumente e udhëzime për përdorim të brendshëm ose relativisht e tilla.(Ndoshta jo në përputhje reale mbi vlerën e të qenit sekret…) 

Kjo sjellje është përdorur si një gjuhë e errët e politikës, si një kurth për kundërshtarët, por edhe një alibi e keqe e stilit të terrorit – psikologjik mbi ata e më tej mbi vet popullin që nuk di kujt t’i besoj. Nuk e di se ku është e vërteta?! Kaq vite është diskutuar për hapjet e dosjeve… të ish sistemit komunist, por nuk është bërë asgjë transparente e është luajtur vetëm me fate njerëzish dhe familjet e tyre.

Ish të përndjekurit kërkojnë të dinë gjithçka, jashtë vlerave të sistemit e të së drejtës se kush ia nxiu jetën. Kush e spiunoi?! Cilat ishin shpifjet?! Kush ishin shërbëtorët e rremë?! Duan t’i dinë gjer në detaje jo vetëm për ato që kanë hequr, por edhe për të kuptuar të ardhmen e familjeve të tyre në një sistem të ri vlerash.

Besnikët e pushtetit të djeshëm ndoshta luten për zhdukjen e të gjithave arkivave të kësaj natyre për të qenë të qetë në paqen e tyre relative.

Besoj se ata që kanë deklaruar vet si ish bashkëpunëtorë sigurimi sot, duke e lënë mëkatin mënjanë, ndjehen më të qetë në shpirt dhe kanë më shumë kuraje të sillen si qytetarë për të nesërmen. Ky duel i gjatë vazhdon edhe në media, edhe në politikë, edhe në parlament e në të gjitha rastet palët janë ndarë pa zgjidhur asgjë e duke shtuar konfliktin artificialisht. Kujt i intereson gjithë ky konflikt?! Politikës?! Qarqeve antikombëtare?!

Elementëve antishqiptarë aktiv në politikën tonë edhe po aq aktiv nën rrogoz në shërbim të sekreteve të huaja që natyrisht veprojnë në rrafshin antishqiptar.

Qytetarët e një kombi sa më shumë të jenë mirë informuar për fatet e Kombit për nëpunësit e saj aq më të pakta janë rreziqet që mund t’i kanosen një Kombi.

Jo vetëm politika duhet të rindërtoj sjellje qytetare, por edhe Shteti duhet të zhvishet e pastrohet nga arroganca e sekreteve të panevojshme, e dosjeve apo çantave të zeza, e arkivave të errëta ngritur e mbajtur në një sistem antik e konceptuar me një shirit vulgar, ardhur prej një përvoje aspak civile mbi trajtimin e lirisë së individit ku mund të gjunjëzosh marrëzisht cilin do edhe për një gabim të vogël që s’mund të jetë fatal.

Mbajtësit e këtyre qitapëve që iu duket vetja se mbajnë valixhet e bombave bërthamore, shumë shpejt do të duken qesharakë, por nuk është kjo që vlen të ndalemi, pra emotiviteti i kënaqësisë së tyre. Thelbi është demi aktiv që ata i bëjnë shoqërisë civile, kulturës sonë për të pastruar politikën, pushtetin, administratën dhe ringritur Shtetin model.

Shekulli i kibernetikës do të bëhet më i fuqishëm dhe arkivat nuk do të munden të mbeten më të errëta veç atyre që kanë zënë myk prej kohësh dhe përdoren për lufte klanesh mes tyre.

Shtypi dhe kundërshtarët në politikë nuk kanë reshtur së akuzuari njëra-tjetrën.

Berisha, thonë, agjent i Beogradit.

Berisha agjent i grekut se i shiti detin.

Rama agjent i grekeve se ka folur greqisht në Greqi.

Përsëri Berisha përflitet se u ka zënë kokën me dosje të errëta krimi, korrupsioni e lidhje të dyshimta shume njerëzve të politikës, ish-ministra, ish-aleatë, ish-deputetë dhe ish-kafkianë.

Një deputet, i ribërë socialist në këtë legjislaturë, thekson me mburrje se e ka ai çantën e zezë të sekreteve dhe kur të vijë çasti do ta hapi atë…

Cili çast?!  Përse?! Mos ekziston ndonjë akord i fshehtë mes politikaneve për “grindjet” e tyre të mëdha që vazhdojnë të rrënojnë Shqipërinë e ndërkohë llogaritë e tyre bankare fryhen e bëhen më të errëta.

Pse politika shqiptare kaq e varfër duhet të rri e mbyllur në çanta të zeza kërcënuese?!

Kanë krijuar një situatë qesharake sa tani mendohet se kanë më shumë vlerë dosjet e viteve të fundit se sa ato të diktaturës…

Duket përsëri qesharake edhe thënia e një politikani se, shumë gjera duhet t’ia lëmë të shkuarës e me ato të merret arkeologjia historike.

Kjo nuk shëron! Njerëzit që kanë kryer krime të çfarëdo lloj natyre ekonomike a njerëzore, bashkautor ose jo, të lidhur me krimin, me mafien apo agjenturat e huaja, nuk mund ta kenë moralin për të ngritur lart dinjitetin e një Kombi, që ka më shumë halle se sa arkivat e tyre personale. Populli do të dijë sa më shumë të vërteta. A duhet një ligj për dosjet që askush mos të tallet me jetë njerëzish.

Kush ka interes për të bllokuar dosjet dhe arkivat e errëta?!…

Shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, që na kanë vënë padrejtësisht, jo e jo!

Shqiptarët e thjeshtë së bashku me arkitektët e mendimit human e njerëzor presin me padurim jo vetëm lumturimin e tyre por edhe rindërtimin civil e modern të Shqipërisë duke i shkulur paqësisht kufijtë e vënë përdhunisht mbi tokën tonë si në një mall pa zot.

Në realitet ky do të përbente nismën më civile më moderne, më humane, më madhështore për Rilindjen e Kombit tonë, por problemet e brendshme sociale, konfliktet e sajuara, trashëgimia dhe monopoli politik i një grupi të caktuar njerëzish e ka shndërruar Politikën  Kombëtare në lufta dosjesh dhe arkivash. Politikanët me shërbëtorët e tyre, me një palë opinga institucionale janë kthyer në tinëzar dhe këshillojnë hipokrizisht se si duhet të heshtim ne. Janë shndërruar vet, majtas e djathtas, në dosje lëvizëse me pika të errëta., si shumë institucione që të zhytura në korrupsione i bëjnë dosje njëra- tjetrës dhe po ashtu i mbulojnë. Aleatë mes tyre, cinikë që varrosin vlerat e Shtetit.

Por besoj se as mazhoranca e sotme nuk e ka kurajën as për hapjen e dosjeve e çantave të zeza ku flenë shumë interesa të inkriminuara me politikën. Kjo hapje e ndershme mes shqiptarëve do të ndihmonte më shumë Shqipërinë e vërtetë dhe do të bënte të ndjeheshin keq edhe “nacionalistët” e shtirë ku fshihen si evropian të vegjël. Aq të vegjël sa nuk kanë nuk mund të kenë sy të shohin Shqipërinë Natyrale të bërë prej bijve të saj. Gjermania një shembull i mirë për të dyja: dosjet dhe bashkimi!