Partizan MYFTARI/ “Patriotët”, intelektualët e peticioneve pa lista

619
Sigal

Ka disa muaj që Mazhoranca dhe Opozita ndjehet e munguar prej veshjes së intelektualeve të listave dhe peticioneve. Të “patriotëve” intelektual që nguteshin për të firmosur peticione e mbështetje për Berishën. Pak si e çuditshme, por këta intelektualë “të pavarur”, me peticionet e tyre, nuk i janë afruar ende as mazhorancës së sotme për të shprehur solidaritetin e të ‘Madhit’ të porsa hipur në kalë.

Nuk besoj se kanë mbyllur sytë për situatën “kaotike”, por llogarisin hesapet me kalemat e tyre: “Të presim!. Berisha zbriti nga kali dhe nuk ka më fuqi të na vendosi kapistër karvani.

Rama ka hipur në kalë, por ende nuk e ka shtrënguar mirë qingjoren e samarit për një pushtet të fortë. Duhet siguri edhe kur mbahesh në bisht të kalit…( Ashtu, pa moral!). Pastaj, me Ramën apo me Metën?!”. Dhe presin në “heshtje”, duke parë me sy lakuriqësh atë që mund të ndodh ose sjell e nesërmja.

Ka pak muaj që mazhoranca e re po mundohet të krijoj një klimë të re politike, por nuk po mundet për shumë faktorë. Pa përjashtuar krizën, në përgjithësi mosbesuese, që ka mbërthyer vendin tonë e më gjer, si ajo ekonomike, kriminaliteti; vet klasa politike me paaftësinë e saj e shton këtë mosbesim, si një ngërç, jo pasiv, por gërryes tek jeta e qytetarëve.

Lider të ndryshëm politik flasin vet me mosbesim për rimëkëmbjen morale dhe për bërjen e shtetit.

Të gjithë dyshojnë. Edhe ish kryeministri Pandeli Majko u shpreh, para disa ditësh, duke iu referuar një krimi adoleshent në Durrës se, nuk kemi qenë në gjendje të bëjmë shtet. Dhe kur shprehet një politikan i moderuar si Majko mendoj se kuadri politik ka veshur një gunë dyshimi brenda vetes, pa dashur këtu të kujtojmë anën e errët që mbart politika në labirintet e saj të pista, ku syri i njerëzve të thjeshtë nuk arrin të shikojë, por që shumë qehajai e argatë, të anës më të errët të pushtetit, i dinë, por heshtin sepse u mjafton një copë bukë, një rrogë apo një tender.

Meqenëse ne kemi akoma konceptin primitiv mbi funksionimin e shtetit, patriarkalitetin e një egoizmi fisnor, shpesh ngatërrojmë stilin e rregullin funksional me “dëshirën” e shembullit goditës.

Shprehej para disa kohesh një tjetër ish-figurë politike, e ish-ministër kur qeveriste e majta ( PS), zoti Sabit Brokaj, me një arsyetim “muhabetçe” që duhet të dënojmë Berishën që të marrin frikë të tjerët…. Kjo të jetë fuqi mendimi në këshillin e të Mençurve që ka zgjedhur PS?! Pak anakronike kjo recetë e doktor Brokajt sepse kura e tij të shpie në idenë e “frikës” dhe të “forcës” nga Shteti, e Shtetit. D.m.th. ne që jemi në pushtet të dënojmë për të trembur të tjerët që nëpërmjet “dhunës” dhe “forcës” të ngremë moralin e Shtetit…. Ta tundim edhe ne siç e shkundën edhe ata… Qesharake!

Shteti nuk lind si domosdoshmëri e dhunës, as nuk është një plaçkë tregu që kalon sa herë tek palët politike për ta ushtruar për përfitim e dhunë mbi kundërshtarët. Shteti është, duhet të jetë, një mirëkuptim social i pajisur me rregullat e tij, me orenditë e mekanizmat që e vënë në lëvizje për të gjithë si një institucion që nuk përjashton askënd. E për të realizuar këtë nuk mjafton edukata e tituj shkencorë, marrë në shkolla e universitetet e vendit, apo në ato më të mirat të botës. Na duhet ajo që e kemi varrosur… Morali ynë! Ndershmëria, si ushqim biologjik i pastër mbi mirëkuptimin social. Nuk e kemi varrosur?!…

Atëherë tërhiqem nga radikalizmi im dhe kthehem tek edukata e munguar politike e shumë politikanëve shqiptarë që janë lakuriq nga ky element, por të veshur ashpër me hipokrizinë e tyre. Politika nuk ka mundur ende të gjej vetveten mbi detyrimin moral që ka. Shtëpia politike i ngjan një kazinoje me “rregulla” nate. As ushtria e verbër e intelektualëve që e ndjek nga pas nuk ka mundur të ngrihet mbi moralin e saj te mykur.

Kam ndjekur këto ditë deklarimet e kreut të opozitës, Berishës, (në kartat e partisë në fakt në një proces verbal rutinë i kanë shkruar emrin Lulëzim Bashës), kur u diskutua Projekt Buxhetin e vitit që vjen, jo vetëm një përdhunues morali, por edhe me një etikë komunikimi, që pa u futur në përmbajtjen e atyre që thotë (ku nxjerr lakuriq vetveten) duket sikur jep shembullin tipik më të keq: si qytetar, si mjek, si deputet dhe si ish kryeministër. Shumë naiv duartrokisnin gojëziun për ato që thoshte duke akuzuar mazhorancën e sotme mbi problemet ekonomike dhe krimet e tetë vjetëve. Ku dreqin i gjen këta këshilltarë?! Ku e gjen gjithë këto kuraje imoraliteti pas gjithë atyre dështimeve që e ndjekin dhe i ka mbi supe, gjer në krime dhe përdhunim të institucioneve të Shtetit?!

Një mjek i sëmurë që ngutet të shërojë vetveten pikërisht atëhere kur të sëmurin e tij e kanë marë të tjerët për ta kuruar. Atëherë kur nis shpresa ai ngre dolli për ditë të zeza. Askush nuk ka të drejtë të marr peng ëndrrën e një populli, lirinë e një Kombi. Berishianët nguten duke varrosur edhe demokratet e ndershëm për të mbuluar krimet e tyre. Gjatë debatit buxhetor, kreu i mazhorancës u duk më i përmbajtur, por nuk shpëtoi as ai nga tredhja e moralit. Natyrisht një lojë kërkon më shumë se dy persona, më shumë se një skuadër, më shumë se një grup, më shumë se një sallë ku konflikti midis mazhorancës dhe opozitës hyri përsëri në imoralitetin komunikues, imoralitetin institucional duke kërcënuar palët e rizbritur përsëri politikën në zero pa gjetur shkallët e nisjes.

Duket se, mazhoranca po kërkon të lëviz dhe t’i jap këtë radhë një tjetër dimension politikës dhe Shtetit, por, së bashku me opozitën janë dy skuadra që shpesh kalojnë në antagonizëm. Ngërçet e kompromiseve nuk janë jashtë loje. Kundër korrupsionit tashmë flasin edhe njerëzit e blloqeve duke u moderuar në ekspozita fotografish të personaliteteve kuvendor.

Opozita bëhet më rebele, por nuk e ka oksigjenin e moralit, sepse ka pak kohë që vjen nga ajri i ndotur që e prodhoi vet për tetë vjet. Akuzojnë njëra-tjetrën për krime për vjedhje, për tredhje e për blloqe, por janë gjithmonë atje me rroga të majme në kurriz të popullit. Opozitë e llumit! Kur do të lind Opozita e vërtetë parlamentare?!..

Kjo e tanishmja, taktikisht duhet të “heshtë” që mazhoranca të krijojë mundësinë e pastrimit të këtij ajri me rrugë kushtetuese, pa dhembë hakmarrje e me arsye institucionale. Mazhorancë e kompromiseve për domosdoshmëri “historike” është zgjuar në të gjitha dimensionet e saj! Duket se punon “kokulur” e me lista të qepura mirë, por të pambyllura për variantet e “manovrave” post elektorale. Ky verifikim i moralit të opozitës është edhe mënyra se si po i vendos filtrat mazhoranca. Cili ajër institucional është i nevojshëm për të mbushur mushkëritë e Moralit?! Intelektualët e peticioneve ende po heshtin. Janë ujëra të turbullta dhe ende nuk janë nisur për peshk. Tani për tani peshkojnë me moralin e tyre dhe na shiten si ajka e ndërgjegjes, si funksional e si modern. Ku është moderniteti i tyre?! Titujt që kanë?! E përse i vlejnë një shoqërie tituj të tillë?! Natyrisht ata janë tituj personal, por kur turren për një post publik të kafshojnë si ujqër. Kafshojnë vetëm për bukën e tyre të ëmbël?! Berisha i “frymëzoi” babagjyshat për vjedhjen e fundit me armë në afërsi të kryeqytetit, por intelektualët e listave dhe peticioneve heshtin. Akoma nuk dinë nga t’ia mbajnë. Të kenë ndërgjegjen të vrarë, thua?! Dhe populli paguan heshtjen e tyre, klithmat e berishianëve, dyshimet e mazhorancës për të vepruar. Tranzicioni ynë është gjellë që ka marrë erë prej kohësh, por na i shesin si supën e mbrëmjes për të bërë një gjumë të lehtë. Ne gjumin… Intelektualët e peticioneve heshtjen… dhe grackat, apo leqet për ne. Ata, politikbërsit, pasurinë dhe vilat të bëra me lekët e vjedhura, me moralin e tyre krunde. Dhe “zihen” e “grinden” çdo ditë për t’i besuar. Ata…, dhe ne përcjellim vitet duke pritur…