Partizan MYFTARI/ Krushqit e “kokëpalarëve”

605
Sigal

 Një nga faqet e turpshme të politikës shqiptare me siguri është edhe 21 Janari i përgjakur me jetën e njerëzve të pafajshëm nga plumbat e errëta të një pushteti akoma më të errët…

Interpretimi i kësaj faqeje ka pasur kahe të ndryshme majtas e djathtas. Secila palë qëndron në fortesën e vet, kur për fëmijët e mbetur jetim nuk mendon më askush; kur një trup gjykate në mënyrë qesharake interpreton faktin dhe merr një vendim krejt absurd duke luajtur çmendshëm mbi vlerat Universale të Njeriut… Një trupë e verbër gjykatësish që relativitetin e interpretimit nuk e mbështet në vlera Humane, por mbi fuqinë tinëzare të konceptimit më të errët që mund të shfaqi pushteti mbi individin dhe të Drejtën Natyrale të Jetës…

Konceptimi i fuqisë së pasionit mbi relativitetin e faktit ka një kapërcyell tendencioz për të mbrojtur figurën e krimit deri në mënyrën “aksidentale” konform sjelljeve barbare ku jeta e të dobëtit nuk vlen sa dita e të fortit…

Tashmë nuk flitet aspak për Vlerat Universale që mund t’i garantoj një element kushtetues, por për disa figura kalimtare juridike të shndërruara në shërbëtorë bandash që kanë interesa për pushtet…

Por unë do të merrja dy fakte “jashtë” kuadrit juridik, por gjithmonë brenda fakteve të kësaj date (21 Janari.)

Në atë kohë Sali Berisha i blinduar prej ankthit të tij nga kryeministria ndiqte situatën me forcën e dhunës sepse ajo e arsyes ishte shuar krejt…

Aleatët e tij shtrëngonin karriget sepse nuk e dinin se çfarë mund të ndodhte… LSI atëherë ishte një oksigjen i disa bombolave të mbetura në magazina ëndrrash karriere dhe në jo pak  raste e kishte mbajtur pushtetin e Berishës në këmbë juridikisht, por të krimbur moralisht.

Morali nuk kishte më punë as për PD e as për LSI…

PS sikur të mos e kishte lexuar mirë zemërimin popullor kërkonte aleatë nëpër zyra të vjetra, në kthina pushteti dhe nuk arriti t’i bënte denjësisht skanerin e duhur shpirtit popullor…

Luhej pisët në Tiranën e përgjakur nga jeta qytetarëve të thjeshtë… Ato ditë më bëri të buzëqeshja ironikisht thënia e ambasadorit amerikan që e quajti Sali Berishën “Burrë Shteti”. Një lajthitje diplomati me siguri, për mendimin tim, dhe pa baza të thella mbi vlerat e sjelljes së një burri shteti… Berisha jo që nuk arriti dot ato vlera (edhe pse mundësia iu dha tërësisht) por ai ishte larg konceptit të shtetit modern, të asaj që kanë ëndërruar gjeneratat… Jo se nuk e bëri për shkak të kufizimit plastik mbirë në gjeneratën e tij ballkanike e rritur me ideologji konservatore, por sepse herët, ai, është kapur peng prej ndërgjegjes së kushtëzuar intelektuale dhe i ndodhur gjithmonë në çarkun e të tjerëve… Pse u nxitua ambasadori amerikan?! Të fshihej ndonjë diplomaci e thellë në lëvizje?!

Realisht diplomacia amerikane dhe ajo evropiane i ka përkëdhelur shumë  argatët e politikës sonë. Edhe kur nuk e kanë merituar turpërisht i ka mbajtur nën sqetulla të errëta diplomatike. Kjo lloj sjellje ka stërzgjatur tmerrësisht tranzicionin, ka mbjellë një kulturë dyshimi mbi vlerat e demokracisë, ka ndihmuar jetëzgjatjen e banditizmit pushtetor, ka ushqyer intelektualizmin naiv,

ka mbathur këpucë të egra komunikimi,

ka prishur e shprishur raportet e individit me vlerat…

Thjesht diplomacia ndihmoi prishjen e murit diktatorial dhe kur vjen çasti për vlerat që duhet të ndihmonte tek ne ka mbetur në gërdhenj përvojash të dështuara…

Prandaj nënqesha ironikisht me ambasadorin amerikan pas zbulimit të tij për “burrin e shtetit”…

Por nëse një diplomat nuk foli si i tillë dhe mund të ndodh, pjesa tjetër më e turpshme ishte kur Ilir Meta protestuesit e 21 Janarit i quajti “kokë palarë”…

Kjo ishte një thikë në zemër mbi ata…

Të ishte kjo gjuhe moderne e stil komunikimi?!…

Të ishte aktrimi i radhës mbi gëzhoja memoriesh?!…

Të ishte thjesht kapacitet real i vlerave që mbart e përcjell?! Të ishte thjesht fytyra e tij e vërtetë?!…

Ai bulevard i mbushur me dhimbje njerëzore, ndoshta edhe për shkak të tij, filmimet, bisedat komprometuese, arroganca e një politike pa shpatulla, por në paterica aleancash të turpshme, nuk mund të fyhej gjer në këtë shkallë përçmuese… Berisha qëlloi me plumba për të mbrojtur pushtetin e korruptuar me gjithë togën e tij militare partiake… Meta qëlloi mbi botën dhe ëndrrat e mijërave shqiptare që demonstruan dhimbjen njerëzore…

Askush politikisht e moralisht nuk pati mëshirë: Njeri bandit me plumba, tjetri bandit me fjalë.

Të dy qëlluan mbi moralin e popullit të vet. Nuk ishte morali i rrugës, por zemërimi që nuk e mbante më shpirti… dhe pushtoi rrugën pa rrugë.

Pushteti bëri zgjidhjen e vet, politika lojën e saj.

E pastaj?!… Populli nuk ia dha notën e mirë “burrit të shtetit”, por nuk kishte rrugë tjetër veç të zgjidhte krushk të parë epituesin më të keq për vlerat e tij…

Edhe politika me kompromise morali mendoi kështu…

Sot “kokë palarët” ndjehen të tillë sepse me votën e tyre zgjodhën, votuan cikluesin e aleancave dhe e shohin pafundësisht në sallën e kuvendit sikur u pëshpërit: “Ju turma e kokë palarëve më votuat, jo se latë kokën për mua por sepse fjala nuk vret më si plumbi…”  Koha e kompromiseve për krushqit e “kokë palarëve”… Janë po ata… Krushqit nuk janë të ngrirë… “kokë palarët” zgjodhën…

Romë