Partizan Myftari/Këta banditë na kanë marrë çelësat e shtёpisё

1205
Sigal

Duke ndjekur para ca kohësh situatën midis dy Koreve (Veri – Jug), pas sulmit të asaj së Veriut, ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut dha dorëheqjen. Dëmet në Korenë e Jugut ishin dy viktima në njerëz, disa të plagosur dhe natyrisht dëme në materiale. Pa u futur thellë në raportet historike midis dy Koreve dhe ndarjet e tyre unë e zhvendos ngjarjen dhe kërkoj të bëj lidhje me ngjarjet në shtëpinë tonë. Koreja e Jugut është një aleat strategjik i amerikanëve. Aleat strategjik është edhe vendi ynë. Por të ashtuquajturit “udhëheqësit “ tanë sillen si banditë me popullin e vet. Dhe ne mburremi që jemi në demokraci. Vetëm ne, populli që mund të flasim, të themi çfarë të duam, të mendojmë si të duam. Tani mund të lëvizim edhe lirshëm nëpër Evropë, por jemi duke humbur shtëpinë tonë moralin tonë, dinjitetin e të sjellurit midis nesh, raportin ndërinstitucional dhe përgjegjësinë para popullit. Ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut dha dorëheqjen se iu vranë dy qytetarë nga predha të artilerisë armike, që nesër mund të bashkohen përsëri ashtu si u bashkuan dy Gjermanitë, por tek ne kush ministër e dha dorëheqjen përballë fatkeqësive?! Sa viktima pati Gërdeci? Sa viktima pati 1997?! A i është bërë ndonjëherë gjyqi moral klasës politike?! Sa viktima kanë ndodhur këto kohët e fundit vetëm për shkak të keqqeverisjes?! Askush nuk ka kërkuar falje apo të jap dorëheqje. Të paktën edhe për nder të viktimave, pa mirë ne të gjallëve na shohin si viktima që lëvizim. Ku e kanë moralin këta ministra?! Me cilat principe e udhëheqin kombin?! Janë kthyer në banditë! Vetëm të vjedhin. Na kanë marrë çelësat e shtëpisë, janë bërë si të çmendur dhe na kanë nxjerrë jashtë shtëpisë sonë. Një rrugaçëri pushtetore me veshë të shurdhër. Nuk i kanë dëgjuar asnjëherë kujet e familjeve të viktimave, nuk e shikojnë asnjëherë vetveten në pasqyrë për të parë se me çfarë llumi janë përlyer. Banditë me çelësat e shtëpive tona, të pamoralshëm gjer në palcë, krenarë për mbjelljen e vdekjeve tona. Presim ta zbardhin një ditë shpirtin e tyre, në mos t’i dorëzojnë çelësat dhe ta kuptojnë me të vërtetë se ku fillon sensi i moralit mbi Shtetin, e NJERIUT në Kohët Moderne, ku kjo kategori qeveritarësh ende nuk ka trokitur. Ca banditë, me çelësa të vjedhur, që nuk e kthejnë njëherë kokën mbrapa se çfarë ndodhi dje, dhe nuk vështrojnë përpara se çfarë po mbjellin me duart e tyre të pista. Kjo verbëri politike ngritur mbi viktima njerëzish, pa din e iman, që pjell edhe sot armiq është bërë llumi i shoqërisë sonë. Janë të pastër vetëm me krimin!…