Partizan MYFTARI /Kaubojsit tanë dhe shteti pa kobure

539
Sigal

Në administrimin publik të vlerave të një Kombi, është edhe Shteti. Kjo nuk besoj se është abstrakte, por duhet të jetë e prekshme nga të gjithë. Sa më e prekshme të jetë kjo vlerë aq më e fuqishme është. Kjo hyn gradualisht në mënyrën e të sjellurit dhe fiton të drejtën e respektit kur shikohet si pjesë e të gjithëve. Ndodh kështu tek ne?! Jo!

Besoj se jo! Kush merret me administrimin e Shtetit tek ne fillon të sillet si rrugaç dhe të bërtasw: “Shteti jam unë!” Fillon një konflikt social i tmerrshëm. Errësohet figura e Shtetit dhe individi dalëngadalë fillon ta braktisw atë. Një kategori shpreson ende. Një kategori e braktis sikur të mos ketë asnjë lloj lidhje me Shtetin dhe një grup tjetër fillon e del kundër tij, kundër organizimit social edhe me akte dhune, mbi individin me konflikte sociale dhe mbi Shtetin që i është thyer një rregull i mirësjelljes kushtetuese. Por ende nuk po flasim për grupin më të dhunshëm të shtetit.

Kush janë?! Të korruptuarit! Të zgjedhurit, të emëruarit, funksionarët publik të të gjitha niveleve që në mënyrë të pandershme përfitojnë, vjedhin, nxisin krimin dhe me pandëshkushmërinë e tyre thyhet raporti individ – shtet. Kjo skemë kriminale ka lulëzuar edhe këto njëzet vjet ku e majta dhe e djathta ka drejtuar në mënyrë djallëzore nga individë si: nostalgjik të së djeshmes, nga mesoburra që nuk fituan dot një vend të besueshëm tek diktatura, nga të rinj pa formimin e mundshëm të elementeve që bëjnë të funksionojë Shteti, nga servilë që nuk i mungojnë asnjë sistemi, nga tipa që punojnë me bllok në dorë (por jo bllok shënimesh për punët e Shtetit), nga tipa që lartësimin e Shtetit e shikojnë tek mbështetja e bandave kriminale.

Kështu ka funksionuar Shteti ynë në këto vite pa mundur t’i ketë shërbyer qytetareve të vet, por vetëm grupeve të caktuara sociale. Ky është një nga shkaqet e anarkisë. Ky është një nga burimet që njerëzit të mos kenë besim tek Shteti. Duke folur me termin Shtet me tendencën e jetëgjatësisë së tij në kohë jo tek veshja mishtore e shpirtërore që i jep administrata publike nëpërmjet mekanizmave të saj. Ata janë të përkohshëm, por sillen si të përjetshëm. Sillen si të përjetshëm sepse nuk dinë vlerat e Shtetit.

Nuk dinë vlerat e Shtetit dhe kanë përfunduar si rrugeçër të mendimit human e social. Janë të tillë dhe të tilla idesh të paimagjinueshme propozojnë në Parlamentin që nuk është më i popullit, por vetëm i tyre. Po! Të zgjedhurit nga populli, së fundi të tmerruar prej popullit të vet, kanë vendosur të armatosen. Kaubojsit tanë! Nga kush kanë frikë?! Prej popullit që i ka zgjedhur?! Nuk e kanë më popullin me vete?! Nëse nuk e ke popullin me vete që të ka legjitimuar për atje, dorëzoje mandatin dhe kërko zgjedhje të lira e të ndershme. Ke frikë nga kriminaliteti?! Po vjedhja e votave a nuk është një krim?! Krimi është bërë më i fuqishëm se ju?! Kjo është tragjike, kaubojsit e vendit tim! Dikur na thoshin se verdikti i popullit është arma më e fuqishme për një sistem demokratik! Keni frikë nga kjo armë e popullit! Kaubojs! Po përgatiteni të luftoni kundër popullit tuaj?! Jeni kaubojs që vet u armatosët dhe Shtetin tonë e latë pa armë. Shtetit po i hiqni shpirtin e popullit!

Turp për ju!