Partizan MYFTARI/ Iftar për mjeranët e ndërgjegjes…

644
Sigal

Kemi humbur shumë kohë në udhën tonë gjithsesi të mundimshme.

Atje ku mendojmë se kemi mbjellë vlera na ka mbirë një stinë e gjatë turpi.

Stina e politikës

Politikanë sharlatanë… që prodhohen në çdo stinë, por ata janë stinë e zhgënjyer.

Stinë më vete.

Na kanë prodhuar, po nën kujdesin tonë: deputet pa moral si bishtukët e mbetur pa vaj për pak dritë (Drita e tyre e zezë nuk u mungon)… ministra të përzier me llumbin ecin me varkën e tyre e duket se notojnë në kaltërsi…

opozitë ngjeshur radhët me kriminelë që bën opozitë vetëm për pushtet…

diplomatë komodë e cinikë, ku edhe në atdheun e tyre gjerat kanë humbur sens…

krime, vrasje, vjedhje, mashtrime, masturbime politike të mendimit,….së fundi dhe vjedhja në

bankë…

Një stinë, ku krimi është e vjedhja është ajri që mbush mushkëritë e tyre të mendimit me ca bombola oksigjeni rezervë të ndryshkura.Vetëm atje ku punohet me ndershmëri ajri është i pastër, por shumë i paktë…

Ku po shkojmë?!…

Njeriu shpesh, i ndodhur në kurthin e shumë fakteve të ditës e ka të vështirë t’iu jap përgjigje të

gjithave jo si domosdoshmëri për t’i shpëtuar ankthit sepse ai vetëm transformohet në plazmën e arsyes, por çuditet me kushtet në të cilat ndodhen, e  ti, nuk bindesh.

Vazhdon të bluash me vetveten si e përse ndodhin këto në mënyrë kaq primitive tinzare, makabre

dhe po të tilla kalojnë në rrugë institucionale. Atëherë rrënimi moral dhe ai i ndërgjegjes i ka kaluar

kufijtë e ekzistencës racionale. Institucioni i mendimit dhe i arsyes nuk është më i tillë, por një strofull krimi e organizuar e komoduar në institucione publike me raporte bilaterale e me pëlqime diplomatike…

Pastaj, ti ulesh i vetmuar, shtron në tryezë gërthitjet e tua të “pseve” dhe fillon të mendosh për mjeranët e ndërgjegjes që nuk i shkulen strofullës së tyre të krimit. Ulur këmbëkryq në sofrën tonë, në bukën tonë, në shpirtin tonë që nuk gjen paqe, në trurin tonë që e helmojnë çdo ditë me premtime. Me ndryshime, me rilindje.

Janë përsëri ata: Të Djathtë e të Majtë.

Një amulli njerëzish që të vetmen forcë arsye dhe ekzistence nuk kanë të jetuarit si të gjithë qeniet

që kalojnë laboratorë arsyesh humane, drite, por egoist gjer në vrasës për t’u pasuruar me çdo kusht.

Shfletoni dhe shikoni pasuritë e politikanëve shqiptarë, deputetëve, ministrave e gjithë shërbëtorëve

të tyre të afërt të të gjitha formave (përfshi këtu edhe shtypin e shkruar dhe atë viziv; analistë legenë

e sociologë kurvërish; ekspert ushtrie apo diplomatë kazanësh; oficer të krimbur apo agjentë sekretë

të inkriminuar; një të dënuar për vjedhje që kërkon kompensim si i dënuar politik apo një kurvar

epshesh që jep leksione për vetëpërmbajtje biologjike; një që vjedh me bllok në dorë apo një që zbërthen këmishka femrash në zyra ministrie apo në zyrat e sekretarëve të deputetit një…..?!

Lista e të gjitha këtyre e shumë të tjerave të lodh….

Dhe ata janë aty.

Përsëri në Tiranën tonë që e ndajnë në blloqe e në bathore.

Janë po ata që pushtojnë detin, Lazlin, Vlorën dhe Dajtin.

Fytyra të ëmbla udhëheqësish, ku ndërrojnë maska në çdo sezon dhe pikërisht nuk u ka mbetur më asnjë maskë.

Gëlqerëzuar në shpirt nuk ndjejnë më asgjë veç verbërisë së “unit” që i ka shndërruar njëkohësisht në vrasës e kufoma të gjalla.

Dekompozim tragjik dhe i dhimbshëm.

Kjo tufë përfaqëson ndërgjegjen dhe moralin e një Kombi. Ne edhe fëmijët tanë, u kemi besuar atyre të ardhmen tonë për ta ngritur me suporte ëndrrash dhe

me themele juridike. Kemi lënë e humbur shumë gjëra nga vetvetja me idenë se të gjitha llojet e ndryshimeve duan kohën e tyre, por ata si xhelatë, nuk u mjaftoi koha që kanë, por vodhën edhe kohën tonë edhe kohën

e fëmijëve e nipërve e stërnipave….

Skena e fundit e kësaj bande të organizuar u aktrua me personazhe të vërtetë në një nga zyrat e Bankës së Shtetit.

Fullani më i virgjëri luajti bukur!

Vazhdimi i një ëndrre krimi me idenë për të na shpëtuar nga një katastrofë financiare kombëtare.

Nga financat ekspertë nuk foli askush.

Politikanë me brekët e mbushura u fshehën se do të plaste era.

Full – Hajni filloi vet lëvizjet.

Madje, duhet ta falënderojmë për sakrificën që po bën.

Edhe rrogëtari, kryediplomati amerikan në Shqipëri, për këtë e mori udhën gjer atje e takoi vet personalisht dhe i shtrëngoi dorën me lumturi të madhe sepse ky ishte me të vërtet “burrë shteti”, sepse nuk vrau në bulevard si ordineri Berisha, por vrau pas vjedhjes për të shmangur një katastrofë financiare shqiptare. E çfarë fitoi shoqëria shqiptare me këto veprime të kryediplomatit amerikan

në vendin tonë?! Hodhi mjegull apo qetësoi revoltën shpirtërore e drejtësisht të indinjuar?! Ku

dreqin e ka gjetur këtë kalë diplomatësh, ku balta e krimit ka hyrë kaq thellë dhe ai ia mban yzengjitë

me delikatesë amerikane, edhe pse në fund të barkut të një populli është bërë një lëmsh dhimbjeje.

Diplomati rrogëtar, kështu, hipur në kalin e tij pa flamur me këtë lëvizje shëmtoi dhe fshihu edhe djersën e horrave tank që nuk dinin se si t’i jepnin dum kësaj faqe turpi në mes të Tiranës dhe në zemër të bankës.

Nuk e shikon ky kalorës se sa i ka zgjatur duart krimi financiar?!

Gjaku tani nuk ka kuptim dhe rrogëtari nget kalin e tij diplomatik në mes kësaj lluce e balte të neveritshme të klasës financiare….

Ti kenë renë patkonjtë e moralit?!

I shkathët rrogëtari amerikan që shërben tek ne! Ai nuk i shet njerëzit e serës së lartë që ruajnë (në fakt rruajnë) ekuilibrat financiare të një vendi të pasur si yni, por të varfëruar socialisht, politikisht, juridikisht moralisht edhe nga tipa si rrogëtari i parë amerikan, që realisht nuk po i shërben drejtpërdrejt popullit shqiptar, Kombit tonë, por kësaj klase të korruptuar politike dhe përkëdhel aq sa të

mos humbasë (tashmë të humbura) ngjyrat e diplomatit modern të një vendi modern me demokraci të

përparuar si SHBA-të.

Humbet gjithë këtë kohë dhe nuk shkulesh dot…

I bindur si qytetar se diçka për këta duhet të bësh.

Vazhdimi?!…

Prej kohësh… iftar mendimesh!

Si të mallkuar historikisht…

Mjeku i krimeve, Sali Berisha, u shndërrua menjëherë në pacient i kësaj shoqërie intelektuale të sëmurë dhe ashtu vazhdon edhe sot në një shurdhjesë krimi dhe nuk është shkëputur apo distancuar nga asnjë gjë e keqe që ka bërë me maniakët e shpurës së tij. Kur nuk i dalin hesapet bën lista të zeza krimesh (kujto 1997), aksidente dhe eliminon kundërshtarë që të duken si aksidente. Edhe rruga e tij e krimit nuk ka qenë e lehtë, por ai ka arritur të korri shumë fitore në kurriz të një populli që ua la sytë të përlotur si në 1997-n, në Gërdec e në Bulevardin e 21 Janarit, se pas kësaj askush nuk e kujton si bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Ngulur si një gozhdë e krimbur në mes të opozitës e ka marr peng dhe shikon bllokun e Ramës, duke

mos parë vetë atë shtrat- xhungël krimi që ka ngritur me duart e tij.

Nishani edhe kur shfaqet s’ka nishan….

Një institucion kavalishence, ku të korruptuarit e Drejtësisë kanë gjetur kultin e lutjes dhe të

Doktorit të ngjyrave Ed Ramës nuk i ka dalë gjer tashmë asnjë pikturë Rilindjeje, por me penela të tharë, të shtrembër e të ngjyer së shumti në një bojë të zezë kompromisi me Ilir Metën përpëliten për një tablo gjigante,por nuk na kanë nxjerrë asnjë karikaturë shekulli.

Kjo ndodh sepse njeri mban telajon (Rama) tjetri mban rrobën (Berisha – Basha) dhe ngjyrat e krimit i trajton kimikisht Meta.

Askush nuk mund ta kundërshtojë këtë trekëndësh të politikës shqiptare me një tufë sejmenësh e

shërbëtorësh servilë e profesionistë të të gjitha niveleve.

Karvani i krimeve 23- vjeçare kalon i gjithë në udhën e tyre pas bekimit “ramizian”…

Herë majtas e herë djathtas, ku të persekutuarit e vërtetë janë bërë bordura e këtij bulevardi krimi dhe zgjasin duart pa kuptuar se përse luten. Të marrin pjesë në pushtet?!

Të marrin shpërblimet që u takojnë të mohuara nga një sistem dhune?!

Të bëhen pjesë e Ndryshimeve apo e Rilindjeve?!

Herë Majtas!

Herë Djathtas!

Një makinë gërdallë në shpirt, veshur me këmisha juridike, por pa fenerë drite ecën në udhën e saj.

Motorët 23 vjet ndezur…

Herë Majtas, herë Djathtas.

Janë po ata.

A nuk bëri Berisha aleancë me Metën për hir të stabilitetit politik të vendit dhe vendi përsëri u zhyt në krime, në vrasje bulevardesh, në blloqe e video zyrash si ato të Metës, kur me gjykatësit tanë të pastër dhe ekspertët e audiovizivë kafenesh ia ngulëm edhe policisë amerikane (specialistë të FBI-së). Amerikanët atëherë mbyllën një sy, Dritan Priftin e nxorën si të sëmurë mendërisht dhe popullit si gjithmonë i ngulën hurin në b…..

Kjo kryevepër ishte gjithmonë realizim i skuadrës së Ilir Metës, së bashku me burrin e çantës së zezë, ku përkëdhelin njëri-tjetrin, njëri për moshën e re që ka dhe se mund të jetojë gjatë si figurë politike dhe

tjetri për eksperiencën juridike, për çantën famoze që mban me vete dhe për shumë klika politike e

dosje që ka për të tjerët. Janë rrjetat e Metës dhe të Berishës që hidhen e shtrihen sa herë dalin në

skenë domosdoshmërisht nevojat e aleancave të pista.

Pas fitores individuale Meta ia bëri naftën edhe Berishës dhe kur në agim ishin zgjedhjet e reja zgjodhi Ramën si aleat për vitet e ardhshme. Rama hyri në fushatë me një kallamak pa bojë dhe e mbushi me bojën e Metës.

Rilindjen po e shohim sot.

Kambanat e reformës administrative, edhe pse e domosdoshme, bien për shumë zhurmë. U zgjodh

reforma administrative sepse aty prishen pazare më pak. Për mendimin tim ajo është një reformë

politike që do të rendojë tek shërbimi konkret dhe i prekshëm tek populli. Rama duhej ta fillonte nga reformat qendrore. Nga institucionet e mbushura me kriminele të të

gjitha niveleve. Nga shkurtimi burokratik e fryrja e ministrive, drejtorive e dikastereve. Ai nuk e

filloi këtu sepse do të prisheshin të gjitha ekuilibrat e fshehta të pazareve dhe natyrisht, do të shkohej

drejt zgjedhjeve të reja. Nisma për mbylljen e varrezave universitare private, ku ishin strehuar jo pak qylaxhinj e që prodhonin mjerimin intelektual, duket se është vetëm fillimi e do të mbetet po aty….

Rama nuk zgjodhi Rilindjen e Kombit, por ardhjen e tij në pushtet, si një ëndërr e vjetër pas sherreve

brenda PS-së. Rama i mbylli sytë edhe për deklarimet e Metës kundër tij, por asgjë nuk vlen para pushtetit. Ai këtë terren e kishte studiuar që në kohën e Fatos Nanos…

Shkurt. Me një darkë të turpshme vetëm për pak kohë i mbyllën gjerat me një supë ngjalash….

Meta ishte pjesë e të njëjtit trekëndësh dhe vetëm sa u zgjat nga krahu tjetër…

Një trekëndësh në pamje të parë i padukshëm, por nën skutat e errëta janë salduar gjer në palcë për

hir të pushtetit që tashmë është i tyre, i banditëve në administrata dhe i bandave që në kohë fushatash paguajnë dhe në kohë qeverisjesh shpërblehen…. trefish.

Ka edhe nga ata që flasin pambarim…,por tashmë me një gjuhë krejt ndryshe…

U kujtohet Erion Braçe?!

Ai nuk hesht në asnjë seancë, Denoncon….

Denoncon në faqe të Kuvendit. Edhe dje, edhe sot, por nuk merr një nismë për të bërë një kallëzim

penal në Prokurori.

Zhurmëmadh është edhe Balla, por edhe ai vetëm aty duket trim dhe në Prokurori nuk ka shpënë

asnjë.

E keni parë ndonjëherë profesionistin – deputet, veteranin e PS-së, Gramoz Ruçi të denoncojë në Prokurori krimet makabre të ndodhura gjatë qeverisjes “Berisha”.

Keni parë sot Ruçin të bëjë publike përsëri për të zbuluar arsyet dhe vrasjen e Fatmir Xhindit?!

A nuk ishte ai që u betua në Roskovec?!

E keni parë Pandeli Majkon gjëkundi?!…

Ai ka qenë Kryeministër dhe ka drejtuar edhe situata më të vështira, por tashmë është bërë pjesë e heshtjes sepse tentativat e tij për poste ndërkombëtare kërkojnë edhe mirëkuptimin e opozitës dhe si profesionist përtej Oqeanit duhet të japë leksione ekuilibri.

Keni parë ndonjë nismë nga grupi i deputetëve të PS-së që të kenë interes e të publikojnë të ardhurat e

tyre apo të gjitha të ardhurat që hyjnë realisht nga koncensionet apo burimet natyrore të vendit tonë.

Si u bë me krimet e 21 Janarit?!

Sa deputetë ka maxhoranca që ngrenë vetëm dorën?!

I keni parë deputetë- ministra që luftojnë vetëm për karrige?! Ku ka humbur Koço Kokëdhima?! Njerëzit e skuadrës, sikur i kanë hapur punë dhe harrohen

horrllëqet e Fullanit. Politika ka kryqëzuar duart me krimin bankar! Skema e krimit vazhdon edhe sot dhe transparenca është e mbuluar me të njëjtën vello të zezë që na la opozita e sotme.

Rilindësit e sotëm lëvizin ndonjë cep të saj, ndonjëherë e andrrojnë me copa fanellata Rilindjesh, por fatkeqësisht e qepin me perin e krimit që vjen nga lëmsha po të errët herë nga LSI-ja, herë nga PD-ja dhe herë pas here nga ato partitë e vogla kufoma që janë bërë si m…t pas këpucës dhe asnjë ndikim intelektual apo reformues nuk kanë patur për Rilindje të Vërtetë Kombëtare.

Pas asaj që ndodhi, te Banka e Shqipërisë, ku Fullani doli i pari i skemës së zezë duket se Rilindja e Ndryshimi janë në të njëjtën vello.

Në vellon e krimit!

Dhe po ata çirren më shumë për ta dënuar.

As Berisha ka dënuar korrupsionin e politikanëve, kur ka qeverisur, as Rama nuk u ka dalë nga fjala premtimeve vetëm me ngjyrën e lojërave të heshtjes….

Ju e ndjetë iftarin e këtyre rreshtave?!…

Ndoshta jo…

Nuk ka rendësi…

Si unë, këtë iftar mendimi, ndoshta e shtrojnë edhe shumë qytetarë që nuk duan të mjerojnë shpirtin e tyre….

Ndryshe?!

Më mirë një shpirt i lirë se sa mjeran e në krim.