Partizan MYFTARI/Bunkerët e rinj

643
Sigal

Dje, në Tiranë u përurua një memorial simbol. Ishte menduar gjer në detaje ndërtimi, vendosja, krahasimi dhe interpretimi filozofik i atij trishtimi; gjurmët e këqija që na ka lënë ky simbol si më i veçanti në botë. Studiues e analistë me të vërtetë të veçantë edhe për interpretimin e këtij simboli, që mund të vështrohet edhe në një linjë tjetër, nuk u lodhën pa u servilosur mbi një moral të përditshëm, i cili ka mbi dy dekada që kundërmon dhe këta analistë vazhdojnë të mbajnë hapur derën e këtij tualeti demokratik që po praktikojmë ne në Shqipëri. Derëmbajtësit e tualetit nuk lodhen dhe janë skllevër – vrasës të shumë profesioneve..Thërrasin! Ata dhe argatët e tyre që nuk janë të paktë as në numër por as në kualitetin e vrasëseve…Duan të na bindin ne se rrugëtimi ynë, duhet të ndryshojë, do të rregullohet vetëm po të kalojmë nga ajo derë tualeti se pas saj vjen parajsa….Të lodhin! Por dua të kthehem përsëri tek simboli i bunkerit që u kujtua në Tiranën e bunkerizuar prej moralit hipokrit…

Nuk ka gjë më të turpshme se sa të tallesh me fatkeqësitë e njerëzimit, me dobësitë e tyre, me pafuqitë e tyre…Fantazma e demokracisë në Shqipëri nuk erdhi si një vello drite, por si një rrjetë merimange. Një rrjetë e zezë sa shpesh thurja e saj nuk ka aspak lidhje me idealet e vërteta demokratike; me mendimin e lirë, me fjalën, lëvizjen dhe konceptin tonë modern për të tashmen dhe për të ardhmen…Nuk është fantazi, por skuadrilje të caktuara politike, një regjisurë e errët, vazhdon të trumbetojë para nesh se lajmëtarët e ndryshimit (e në fakt ca lojtarë të dyshimtë dikush i inkriminuar, dikush në çarkun e shërbimeve sekrete që kanë të tjera interesa, të korruptuar e të lidhur me krimin ordiner) duke shfrytëzuar shpesh herë me termin e ndërrimit të sistemit, me tranzicionin e neveritshëm (me ndihmën e derëmbajtësve të tualetit demokratik): me psikologjinë ballkanike, me etërzimin biologjik e specifik kanunor shqiptar (kjo mund të bëjë një temë tjetër diskutimi), nuk lindi DEMOKRACIA,  por Bunkerët e Rinj. E neveritshme! Falsiteti i ndryshimeve kushtetuese, zgjedhja ironike e filozofive progresiste e moderne janë vetëm kopertura e kriminalitetit politik. E drejtuesve false, e bandave të servilëve që janë më të rrezikshëm se ata të vrasin jo vetëm me heshtjen e tyre, me bindjen e verbër, me lëpirjen e b…ës,  por edhe mund të të vrasin falas ose për pak lek…

Bunkeri  djeshëm simbolikisht u kujtuan sot në Tiranë edhe nga njerëz psikologjikisht regresiv dhe të bunkerizuar fatkeqësisht tek pjesa e kujtesës se mbetur…Nuk besoj të jetë një zgjedhje e tyre racionale në mos një trashëgimi e imoralitet të mirësjelljes dhe përkuljes edhe përballë një pushteti të shpallur në tender nga fuqia e kriminalitetit…

Duke kërkuar të mendojë se bunkeri i djeshëm strategjik (nuk po e përdor qëllimisht shumësin gjuhësor) ngritur në periudhën e Luftës së Ftohtë (ligjërisht e politikisht justifikuar nga diktatura) ishte si e vetmja fuqi e sistemit kur ndërkohë, nëpër botë, shtete të fuqishme përgatisnin dhe shtonin armët bërthamore. Ajo ishte një logjikë e kohës pavarësisht vlerave universaleve të njerëzimit (ishte një kundër kohë). Bota dje nuk kishte një vizion kaq paqësor që ka sot.

Dje gjithsecili forconte llogoren e vet edhe pse ishte një stërmundim qesharak mbi kurriz të njerëzimit… Rrethanat justifikojnë mënyrën e të sjellurit. Dje dhe sot. Sot! Sa të paturpshëm!

Shpesh “akademikë” të fjalës, analistë të mbetur papunë, të përndjekur që kanë ndjekur, pushtetarë që nuk kanë sjell asnjë aromë pushteti, e marrin simbolin e bunkerit edhe si një krahasim me murin e Berlinit në mes të Tiranës. E vendosën tek blloku ku vazhdon të jetë blloku i ndryshkur e i rraskapitur. Bllok – bunker!

E rrethuan dhe e interpretuan si kalorsiak duke kërkuar gjetje dinjitoze të mbjellë prej moralitetit të tyre qesharak…

Ashtu si shumsa, përballë simbolit, po aq sa shtiren, aq janë bunkerizuar brenda shpirtit e mendimeve në shërbëtorë të rëndomtë, duke vrarë lirinë e tjetrit dhe të atyre që me të vërtetë në diktaturë ua shndërruan jetën në bunker…

Bunkerët e çimentos së djeshëm janë zëvendësuar me bunkerë të rinj më të tmerrshëm, më të rrezikshëm për vet faktin se ata janë të lëvizshëm.

Janë të paturpshëm të hyjnë në ëndrrat tona, të imponojnë jetën tonë, të vjedhin dhe vrasin lirinë tonë…Bunkerët e rinj nuk kanë të sosur… prandaj më duken shumë larg bunkerët e djeshëm të bërë thjesht prej çimentoje dhe hekur. Të sotmit?! Djajë mes nesh! Eh, sa larg është porta e Rilindjes…Megjithatë një ditë do të vij por bunkerë do të kemi gjithmonë mes nesh…Nuk e di, nëse Lirisë apo Atdheut, domosdoshmërisht, i duhen gjithmonë bunkerë të rinj…

Som

KRIMI që mbrohet nga pushteti është një BUNKER.

ANTIPLUMBI i Berishës – një bunker qesharak ku fshihet vetëm ai.

KORRUPSIONI – bunkeri i netëve të zeza në darka me ngjala apo pa ngjala…

SERVILIZMI – Bunkeri i heshtur që mund të të dal në mes të rrugës e të buzëqesh me sarkazëm.

DREJTESIA – Sistemi që nuk është i tillë por më qesharaku në Shqipëri ku pazaret bëhen edhe pa ndihmën e të tretit.

POLITIKA – Bunkeri me origjinë më të vjetër.

SEJMENET POLTIKE – Llogoret e nëndheshme që të shpien tek bunkerët e erret të pazareve elektorale.

ANALISTET QESHARAK – ose rrogëtar të turpit pa një hartë të filozofisë së mendimit e bredharakë të kullotave politike e pushtetare…

Romë, 26 mars 2013