Partizan Myftari/ Arvizu dhe pleqtë e mi shqiptarë

576
Sigal

Natyrisht politika, brenda sistemit të zgjedhur juridik, është shndërruar sëmundja më kanceroze e raporteve etike-shoqërore sepse, pikërisht ajo reflekton, ndikon dhe vendos për reformat sociale të këtij sistemi nëpërmjet institucioneve ekzistente.

Mekanizmat ekonomikë janë muskujt që e mbajnë këtë sistem në lëvizje por ne e kalbëzyem përpara e gjatë formësimit të shtratit ku do të ecte. Partitë politike u panë si shpresa të këtij udhëtimi e në fakt u transformuan në disa banda me manikyre perëndimore por në thelb, kriminelë të punësuar në këtë formë të zgjedhur të sistemit e cila nga pikëpamja juridike pranohet si zgjidhja më e mirë prej shumicës sociale. Shumë pak politikanë të ndershëm kanë zgjedhur komoditetin e një rrogë, flasin ndonjëherë për të treguar ekzistencën e tyre dhe vegjitojnë brenda grupimit politik si të pafajshëm.

Diplomacia e pranishme, jo vetëm si vëzhguese, por edhe si një misionare e interesave të vendit që përfaqësojnë, shpesh herë nuk ka shkëlqyer, ose ende nuk i ka mjekuar plagët e vjetra që i ka hapur vendit tonë për shkak të interesave të tyre apo në mbështetje të fqinjëve…

As politika jonë, as politikanët tanë nuk kanë mundur këto vite të shkruanin një faqe suksesi më shumë se sa një zvarritje të përgjakshme turpi me sa e sa humbje jetë njerëzish dhe me një vjedhje marramendëse të asaj pak ekonomie që arriti të krijonte e administronte diktatura e djeshme. Diktatura ca me dhunën e sistemit e ca me verbërinë e njerëzve të ndershëm (të jemi realist, bashkë me plagën e krimit, luftën e klasave dhe shmangien e konkurrencës, kolektivizimi total e më absurd i pronës private) bëri shumë ndryshime e në të njëjtën kohë, po aq krime. Kështu po ndodh edhe sot. Rrëzuam një diktaturë që jetonte e fshihej me dhunën e ligjit dhe ngjallëm me dhjetëra e dhjetëra banditë politikanë (diktatorë e fodull të vegjël partiak) të cilët i gëzohen sistemit, por fshihen me ndihmën e njeri tjetrit. Dje një sistem diktatorial, sot një sistem imoral. Jemi përsëri ne që kemi duartrokitur për të dy sistemet dhe përsëri ne vazhdojmë t’i bëjmë duart me kallo për trimëritë e tyre të lëvizjes së lirë, të vrasjeve pa frikë dhe të vjedhjeve me komisione.

Diplomacia na vëzhgon… Të krijohet përshtypje se janë ndjekur strategjira të veçanta që ecja jonë të ishte një zvarritje e përgjakshme dhe jo një tranzicion pa dhimbje, kur të gjitha mundësitë ishin edhe për shkak të ekzistencës sonë jo multietnike apo dominime e grupime arkaike.

Atëherë, përse gjithë kjo aventurë nga aventurierët tanë?!

Vodhën, dogjën, shkatërruan e së fundi i bënë edhe heronj…

Njerëz të vegjël e meskinë që kanë parë vetëm interesat e tyre ose të bandave të cilat i kanë mbështetur. Kryeministrat e parë pas rrëzimit të diktaturës mbahen mend shumë pak, por populli a mund të harrojë të tjerët të këtyre viteve?!

Mbështetjen e fuqishme që iu dha Fatos Nanos e PS, kur ky e drejtonte këtë parti?!

Besonin tek ky njeri për ndryshimin. U zhgënjyen.

U bë kryeministër nga dera e votës e doli si bixhozxhi nga dyert e kazinove…

A mund të harrohet, mjeku Berisha, njeriu më karizmatik i mitingjeve, me një mbështetje të fuqishme që i dha PD dhe të zhgënjyerit e shumtë për të shëruar Shqipërinë?!

Berisha, jo vetëm nuk e shëroi, jo vetëm nuk diti të bënte shtet por i rezervoi të gjithëve stresin dhe vetë ëndrrat tona i nisi drejt hakmarrjeve…

U bë përpjekje edhe me Majkon kryeministër. E zgjodhën ditën dhe punonin natën për ta hequr ditën tjetër. U bë aventurë edhe me Metën kur e zgjodhën kryeministër, por si admirues sporti e ngritës peshash, e humbi shpejt ekuilibrin me peshën e arsyes; humbi rrugën e konceptimit të shtetit funksional aq sa njëherë zgjodhi edhe Fatos Nanon si shofer për udhëtimet e tyre të rëndomta. Se fundi kemi zgjedhur edhe Piktorin për një Rilindje Kombëtare i cili nëse ka fituar taktikisht stilistikën e komunikimit duke lënë pas Berishën e Metën (por jo Fatos Nanon), veshur me një palë çizme kompromisi të dyshimtë me bixhozxhinjtë e votave të LSI po kërkon gjer edhe në bunkerët e diktaturës rilindjen e një pikture sociale e cila është ende larg. Kujton se dhimbjet njerëzore janë strehuar në bunker, kur ato janë zemra njerëzish të varfër e të ndershëm. Bëhet si një donkishot ekzotik duke përkëdhelur histori bunkeresh e ndërkohë ka harruar plagët e vërteta që duhet të shërojë…

Ai e di vetë ku e ka pafuqinë esenciale për koalidimin cilësor të reformave edhe pse kërkon në të gjitha rastet të akuzojë Opozitën e paqenë. Ramës i duket se këmisha e patriotizmit mund ta mbroj prej të ftohtit e varfërisë sociale dhe shpesh del i pa krehur fare nga Arsyeja e ndërtimit logjik të funksionimit real të politikës. Pushtetin e mban mbërthyer në leksione historie të së djeshmes duke rënë viktimë e lojës së Opozitës e cila me kryetarin e saj gjer tashmë është krejt formale me strategjinë organizative… Në gjithë këtë amulli, së bashku edhe me kërpudhat e vogla politike të cilat kanë mbirë poshtë këtyre dy trungjeve të vjetra e të plakura (PS e PD) e lëpijnë lëkurën e këtyre trungjeve të plakura për tu ushqyer me një kanibalizëm “modest” politik si ekzistenca të mendimit ndryshe apo prishje pazaresh prej nga rrodhën do të mjaftonte edhe bunkieri diplomatik i dyshimtë me diplomatët tanë që çuditërisht gjer tashmë në luftën kundër krimit dhe ndërtimit të modeleve kanë ndihmuar shumë pak. Nga diplomacia, sigurisht ajo e ndershmja e miqësore, pritej më shumë dhe një veprim më energjik për mbrojtjen e vlerave universale të një shoqërie moderne. Në këtë “oaz” ndihme diplomatike shpesh më ka bërë përshtypje qëndrimi i plakut Arvizu, numri “Një” i përfaqësimit të SHBA në vendin tonë i cili me disa deklarata të bujshme më është dukur jo si diplomat por si një plak i lodhur politikan shqiptar.

Nuk bën asnjë ndryshim! Diplomat.

Nuk e ka të vështirë edhe të lajë duart me qëndrimet e tij se tek e fundit këta të zgjedhur në politikë apo në pushtet janë fryt i edukatës sonë, i sjelljeve tona, i moralit tonë.

Plaku Arvizu, i bërë monoton si një stinë e lënguar në shira të bezdisshme e sikur të jetë i mësuar me këtë lloj sjelljeje, ku tranzicioni ynë i përgjakur i duket normal, vazhdon të na çudisë me deklaratat e tij bajate mbi vlerat e qëndrimet e klasës sonë politike.

Sa e justifikon diplomacia në këtë rast misionin e saj?!

Ku duket qëndrimi i prerë diplomatik i mënyrës se si duhet të funksionojë shteti?! Ku janë mekanizmat e filozofisë diplomatike të gërshetuara nga psikologjia ballkanike për të tejkaluar rrafshin epokal të krimit që në të vërtetë ai i zyrave (krimi) ia ka kaluar krimit ordiner duke u bërë më i sofistikuar dhe shumë herë më i fuqishëm. Përse diplomati plak, i cili di shumë rrugë mirë informimi nëpërmjet agjencive sekrete të pafundme, nuk del kurajoz për të ndarë elementët kriminal nga subjektet politike por mban qëndrime qesharake edhe përballë fakteve rrënqethëse?! A nuk ishte ky plak diplomat i cili e cilësoi Sali Berishën “Burrë Shteti” pikërisht atëherë kur u vranë katër qytetarë të pafajshëm?!

Ku e shikon shtetarin e madh ky plak kur e dinte historinë kriminale të Berishës (përgjakja e 1997 e Shqipërisë, viktimat e Gërdecit, fjalori i tij rrugaç në Kuvend e jashtë tij duke kërcënuar kundërshtarët edhe me eliminime… Këto janë cilësitë e një shtetari të madh që të vrasë qytetarët e tij të pafajshëm?! Atëherë në djall ai shtet, ne djall ajo diplomaci! Shumica e politikanëve tanë kanë shkruar faqe turpi por përsëri ata janë bashkë, ata paguajnë, ata blejnë votat dhe diplomacia mjaftohet vetëm të mos ketë trazira të mëdha.. Padrejtësitë gjithmonë ushqejnë krimin, por politika është inkubatori rritës më i frikshëm i saj. Ne sot nuk jemi në shtratin e një diktature por të jemi të sigurt se në shtratin e sistemit të zgjedhur ka më shumë kriminelë se sa kishte diktatura dje.

Ndoshta ky është edhe defekti më i madh i sistemit. Sepse alternimi i pushtetit me aleanca të fshehta, ku elementët politik (nëpërmjet akteve kriminale të fshehta) janë bërë aq të fuqishëm sa kontrollojnë segmente të tëra pushtetesh dhe me kërcënim se herën tjetër do të ngjitet pala tjetër në pushtet e kanë kthyer Shtetin në një kukull të veshur me ligje vetëm për interesat e tyre kriminale.

Nuk besoj se plaku Arvizu që e plaku mandatin e tij në mes shumë politikanëve të korruptuar nuk i di këto gjera.

Atë e çuditën fotografitë e Enver Hoxhës, ku disa pleq shqiptarë, pleqtë e mi të ndershëm me kushte minimumi jetese nuk panë ndryshimet esenciale për vete, për fëmijët, për nipërit dhe mbesat, fatkeqësisht, me dhimbje, kthyen kokën mbrapa. A nuk duket sikur edhe diplomacia ka gisht në krim?! A nuk krijohet përshtypja se këto foto ua ngjitët ju në dorë këtyre pleqve të mirë për shkak të pa aftësive tuaja?!…

Jo të gjithë komunistët, kanë qenë monstra të errësirave e konceptimeve ideologjike të marra. Unë njoh shumë ish komunistë të ndershëm që nuk kanë bërë as karrierë e as krime si Sali Berisha, komunisti të cilën ju e quajtët “burrë shteti” dhe pranuan të bëheshin pjesë e ndryshimeve por u tradhtuan nga politika, nga partitë, nga shteti, nga pushteti dhe nga diplomatë si puna juaj.

Më bëhet qejfi që ju patët kohë të shikonit e zbulonit bukurinë e vendlindjes sime, Skraparin, me Kanionet e mrekullueshme të tij, por unë jam i bindur që shumë patriotë të mi, për shkak të varfërisë nuk u ka shkuar ne mendje të mendonin se e kishin turizmin nën këmbët e tyre. Zbulove një shkëmb por nuk arrite të zbuloje kriminelët e zyrave që pinin kafe me ju se i quaje edhe “yje në ngjitje”. Ju kot u morët me pleqtë mi të mirë shqiptarë për një fotografi që mbanin në dorë. Nëse do të mbillnim ne të ardhme më të bukur, ata nuk do të kishin kohë të kthenin kokën mbrapa të shikonin me nostalgji të djeshmen. Ju nuk u zgjatët dorën këtyre pleqve të mirë shqiptarë por u morët me pleqtë e politikës: të vjetër dhe të rinj, edhe atëherë kur askush nuk duhej ta kthente kokën mbrapa. Ishte çasti të mos shikonte askush mbrapa gjersa udhës sonë të mos kishte viktima të krimit politik, korrupsion zyrtarë, inkriminime në sistemin e drejtësisë dhe shumë e shumë elementë të tjerë…

Tashmë mandati juaj mbaroi e ju do t’i braktisni pleqtë e politikës sonë.

Do të ktheheni më i qetë në atdheun tuaj.

Udha e mbarë!

Ndoshta më vonë do të dëgjojmë edhe ndonjë lajm ku do të të bëjnë “Qytetar Nderi” sepse tashme është bërë e modës. Bashkitë e Durrësit, Ballshit e Skraparit ia kanë marrë dorën këtyre punëve për njerëzit me vlera “humane “në një botë moderne.