Partizan MYFTARAJ/Letër vellait tim “kokë palarë”

207

Letër vëllait tim në Vërzhezhë të Skraparit !

 Telefoni ra pak sekonda dhe unë e hapa menjëherë. Ishte një nga vëllezërit e mi në Shqipëri e më pyeti  se çfarë thonë ata “kokëpalarët” e Europës andej nga ju?! Edhe ju, andej, nuk i keni mirë punët?!… “Kokëpalarët” janë shtuar kudo… Greqia, Spanja, Italia?!… Ne budallenj apo politika si dhia shterpë?!…

Ra linja…

 Vëllait me siguri i kishte mbaruar oferta e telefonit dhe unë nisa të mendoja për përgjigjen që ai priste prej meje!

I dashur vëlla!

Koha nuk rrjedh në një stinë të mbarë dhe bereqeti i mendimeve është i paktë.

Ti, si shumë bashkëfshatarë të mi, je lidhur me tokën, me punët dhe madhështia e jetës fillon dhe mbaron aty…

Provinca, ka ajër të pastër, vëlla, por mushkëritë të vogla për të thithur dhe kuptuar edhe arsyen e konceptimit të gjërave, të shoqërisë e të Shtetit…

Ne i matnim gjërat aty me ndershmërinë tonë për ndryshimet e mëtejshme, por nuk arrinim dot t’i kuptonim përse i përkisnim qenies së “kokëpalarëve” ashtu si doli fjala prej gojës së atyre që ne i vlerësonim si penda e qeve që do të çanin ugarin e madh të Lirisë…

Politika është bërë një copë tokë si të jetë shndërruar në moçal dhe mushkonjat aty janë në perandorinë e lumturisë…

U mburrën për mullarë me hithra djegëse kur bota ngrinte kështjella mendimi…

Na premtuan parajsën…

Nuk ndodhi asnjëra e as tjetra, vëllai im. Ata nuk dolën dema për ugarë, por urithër nën arë?!..

Të kujtohet vëllai im kur ndamë pasurinë e kooperativës?!…

Ne mbrojtëm sa mundëm në fshatin tonë… Nuk i ruajtëm dot të gjitha se ishte në akt edhe teoria e Azem Hajdarit për të shkatërruar gjithçka që ishte ndërtuar nga e kaluara… Shkatërruam gjithë sistemin e ujitjes vuajtjen e secilës e ndjeni sot…

Por ruajtëm blloqet, vreshtat, ullinjtë dhe asnjë sëpatë nuk hyri në pemtarinë e fshatit tonë.

Ato pak gjëra që ishin në magazinë i ndamë me short… Na u “zëmërua” mësuesi i fshatit, kushëriri ynë Muhamet Myftari se në short i ra një gunë çobani dhe babait tonë që ishte çobani më i mirë sipas vet Mysafer Kapllanit që e përkëdhelte “Jaska”, por edhe gazetarëve Zylyftar Hoxha e Riza Bregasi, i ra një parmendë e mirë nga ato që i punonte bukur xha Tajari (Kapllani). Për ta qetësuar Metin i thashë se edhe mund t’i ndërrojmë: gunën babait ne e parmendën tonë, atij…

Por Metit nuk i hynte në punë; as guna e as parmenda…

Nga ana tjetër inventarin e blegtorisë e bëmë stan më stan që fshatarët e mi të merrnin djersën e derdhur… Sa tek Mysafer Kapllani tek Mestan Kuqali, Hatem Meta, Sybi Kapllani,… Abedini, Asqeriu, Ali Malo….

Ata flinin staneve, maleve, por nuk i pashë asnjëherë “kokë palarë” se sa kokë palarët e politikës…

Të thjeshtë, të paktën pasuri, ashtu dhe tokën u munduam ta ndanim denjësisht për të mos mbjellë vrasje me duart tona për vitet ardhshme…

Po sot vëlla?!

Edhe sot u thërrasin “kokëpalarë” ata që na kanë zhgënjyer…

Po gjërat i lidh me tokën, vëllai im, me kopshtin, me malin, me ajrin e pastër…

Ne shpresojmë që gjërat të ndryshojnë, por t’i nuk beson sepse janë po ata…

Sëmurur një Komb, vëlla!

Një popull shtrirë nga sëmundja e keqe e lajthitjes, ku të tërë duan të vjedhin…

 Mjekët (ti ke të bësh më shumë me veterinerët e fshatit) mësuan nga kryemjeku që me briskun e fjalës ia rrojti faqen politikës dhe mbolli gjembaç prej farës së tij….

Politika nuk është aq pjellore si toka juaj, si Selishta jonë, selishta e Hysllarëve apo Ludhet e Kapllaneve e Shingjoni, ku ndahen Hysërit me Agollarët…e më tej me tokat e Shabanëve, Kacidhëve tek arrishtet e Rramanit, tek luadhet e Celajve, fushat e Babalinjeve apo kumishtet e Kapllanëve…

Politika, vëlla është bërë me gërdhenj shkoze si të kenë prerë gjithë shkozën e Ososhtës së Dule Shahinit… Gërdhenjë, leqe e telviga… Të kujtohet ajo shprehja vëlla, që “nuk bëhet trari telvig?!”  Këta, jo që trarin e bënë telvig, por edhe telvigës i thanë simbol lirie… Ti e di që telviga vihet nën zgjedhë e mbi zgjedhë janë ato qeçkat që mbajnë telvigën. Qeçkat e Berishës janë dosjet e zanatçinjve të vjetër dhe vështirë të dalësh nga ajo zgjedhë…

 Paterica e pushtetit të djeshëm që për hatër e gjoja të ndryshimeve, pasi u quajti “kokëpalarë”, pasi punoi me bllok në dorë, moli e moli, dhe,… ashtu si lopës tënde kur i shtron qumështi, para se të sjellë viçin e ri, iku nga zhgorra maxhorancë e mbytur me leshin parlamentar dhe u bë virgjëresha më e madhe e opozitës.

Vëlla, nuk janë as dema e as kuaj, por të kujtohen ata cjeptë e tredhur që ia shpunë Ali Malos tek kopeja e dhive pa i thënë gjë… Aliut të shkretë (rahmet pastë!) nuk i gjetën derman dhitë dhe nuk e realizoi as planin e kecave dhe as atë të qumështit…

E paralajmëruan Aliun për pushim nga puna dhe i ndërruan cjeptë… Aliu ishte i zanatit, por cjeptë nuk e ndjenin bishtin e dhisë…

E, që ta shkoq bisedën më mirë, vëllai im, këta cjeptë e sotëm ndjejnë erën e tagjisë dhe jo të demokracisë dhe të nderit për të gjithë ne.

Shteti, mall belik për ata, vëlla!

Bërtasin si Musa Shabani, bekçiu ynë i mirë kur i binte çangës së fshatit dhe lajmëronte për mbledhjen e fshatit… Musai nuk donte pushtet, por këta të vrasin për të qëndruar në pushtet dhe të mbrojnë vilat e tyre në bregdet, në bllok a në vendet që nuk e di se ku i kanë ngritur me vjedhje e korrupsion…

Politika nuk ka pleq të mençur si: Jonuz Hysi, Gani, Hysi, Ali Myftari, Faik Qafoku, Novruz Qafoku, … etj.. që u rrinin punëve tek koka dhe halleve me syrin nën vesë…

Tani, zihet Parlamenti i leshit me seancat e veshit; opozita e tokut me listat e bllokut, e na janë bërë tamam si ferrat e Selishtës dhe ato të Gropdosës, por që duarartët dhe punëtorët e fisit të Kapllanëve ua kanë prerë gjer në rrënjë…

Politika është e thjesht vëlla: mjafton t’i vësh nderin përsipër, por dema e kuaj të tillë politika jonë në këtë fushatë nuk ka… edhe pse flasin që dhimbjet e zemërimet tuaja të përgjakura do t’i studiojë arkeologjia…

E di kush është arkeologjia vëlla?! Me gjuhën tënde ai lisi i vjetër që mban një pjergull të mirë. Ti i mburresh, hardhisë, vëlla, hardhisë së mbushur plot, por harron shpatullat e plakura të lisit që mbajnë punën e disa brezave nën mundimet shekullore.

Me gjuhën e kokëpalarëve të politikës është si t’i bësh një topilë pleshti dhe të vadisësh me atë Fushën e Shahut… Gjithsesi, vëlla, ashtu siç shkon për të punuar tokën, t’i duhet të shkosh edhe për të votuar…. Grami luftohet vetëm me punë, ndryshe “kokëpalarët” tanë do të vazhdojnë të jetojnë më shumë se sa mendojmë ne dhe do të ligjërojnë sikur të jenë më të ndershëm se ne.

Premtimet e tyre janë si ajo sëmundja e hardhisë që të gënjen tani në maj… Partitë janë shtuar si karkalecat e arave dhe nuk do të lenë të ngrejë kokë gjelbërimi i munguar…

Vota juaj duhet të jetë një ilaç më shumë për të shëruar tokën…. Dalëngadalë do të heqim leshin, veshin dhe bllokun….

Bereqet të mbarë, vëllai im!