Partia Demokratike të kthehet në aspiratat e Dhjetorit ’90

668
Luftulla PEZA

Partia Demokratike në ditët pas zgjedhjeve të qershorit është në një gjendje të vështirë shpirtërore, programore dhe organizative. Humbja nuk qe vetëm e zgjedhjeve, por edhe e PD-së si parti. Shkaqet e kësaj humbje të thellë duhet t’i shohim kryesisht në:

1- Harbutllëku i makinerisë shtetërore dhe blerja e votës nga shteti u bë shkak i rëndësishëm për humbjen e zgjedhjeve. 
2- Nga gabimet e PD-së që kryesisht çuan në humbjen e saj.
Partia Demokratike humbi zgjedhjet, kur në Shqipëri kushtet ishin shumë të favorshme për t’i fituar ato, sepse qeverisja socialiste 2013-2017 nuk zgjidhi shumë halle të njerëzve, varfëria është ulur këmbëkryq në vend, pasiguria është rritur në maksimum, pakënaqësia u shtuar më tepër etj. Nga kjo gjendje e vështirë, shqiptarët, sidomos rinia, po braktisin vendin çdo ditë. Gjatë kësaj qeverisjeje rreth 400 mijë shqiptarë braktisën vendin. Në këto kushte të vështira për vendin, PD-ja duhet të kishte fituar zemrat e shqiptarëve më shumë se në 2013-n dhe jo të kishte humbur thellë. Kjo është Shqipëria 2017 ! Në vend të festonim fitoren, qajmë humbjen e pajustifikuar! Duhet një analizë e thellë e situatës paszgjedhore dhe humbëse për PD-në, për të nxjerrë shkaqet e vërteta dhe për të marrë masat për shëndoshjen e gjendjes. Mendoj se gabimet nuk duhet t’i shohim vetëm gjatë të ditëve të fundit, por edhe gjatë rrugës 4 vjeçare e më gjatë të PD. Partia Demokratike lindi si pasojë e Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe aspirata e kësaj lëvizjeje nuk duhet t’i harrojë. Ajo lindi nga populli opozitar i vitit 1990 ndaj diktaturës komuniste dhe nuk duhet të ndahet nga kjo shtresë e popullit. Idetë themelore të kësaj lëvizjeje: “Liri-Demokraci dhe për një jetë më të mirë” u deformuan rëndë gjatë viteve të fundit. Nuk është frutdhënëse lufta frenuese në kuvend, bojkotet e shumta të tij, largimi i deputetëve nga hallet e popullit, ka pasur pak propozime për ligje në favor të shtresave në nevojë etj. Edhe ngritja e “çadrës” qe nismë personale dhe nuk solli ndonjë fitim për PD-në. U shkelën rëndë rregullat demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Duhet të jetë kontributi i secilit ndaj partisë dhe shoqërisë dhe jo prirja personale në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Nga listat u fshinë pa arsye persona, që kanë qenë ndër më aktivët e PD-së, si A. Potozi, J. Topalli, A. Imami etj, ndërkohë që në lista u futën njerëz pa asnjë kontribut në PD dhe shoqërinë civile shqiptare. Listat e deputetëve dhe të gjitha vendimmarrjet e rëndësishme duhet të jenë domosdoshmërish pjesë e konsultimit me kryesinë dhe bazën dhe jo personale e kryetarit. Kjo qe një nga shkeljet më të rënda të demokracisë në parti, që ndikoi shumë në rezultatin e zgjedhjeve. Por nuk është hera e parë, që në PD ndodhin këto gjera. Unë kam qenë pjesë e aktivistëve gjatë dhjetorit 1990 bashkë me S. Berishën, G. Pashkon, A. Hajdarin, A. Imamin etj. Bashkëpunuam ngushtësisht atëherë për të shembur regjimin e vjetër. Të ishe anëtar i asaj lëvizje masive në vitin 1990 nuk ishte kollaj, sepse tanket e shtetit shtypës ishin mjaft pranë nesh dhe ishin gati të na shtypnin. Edhe gjatë vitit 1991 dhe 1992 jam aktivizuar shumë në detyra të ndryshme për PD-në, sidomos gjatë fushatës elektorale 1992. Si veprimtar i shquar kam qenë në listat e PD-së për kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 1992. Por natën e fundit, kur listat morën dorën e fundit, “më vunë gishtin” dhe më hoqën nga lista e PD-së. Më zhvendosën në listat e Partisë Republikane dhe garova për deputet në Malësinë e Tiranës, ku humba. Nga kjo lëvizje e pa drejtë pësova zhgënjimin e parë, ashtu si dhe disa të tjerë, por për vendosjen e ideve të Dhjetorit kam luftuar gjithmonë, pavarësisht se fronti im kryesor i punës ka qenë shkenca. Edhe në këtë front mjaft të rëndësishëm kam dhënë shembullin pozitiv si një atdhetar dhe demokrat i vërtetë. PD-ja, kur u ngrit më 1990, pati mbështetjen e të gjithë njerëzve opozitar të sistemit komunist. Edhe sot ajo duhet të përpiqet të rimarrë zemrat e popullit opozitar të vendit, i cili përbën më tepër se gjysmën e votuesve shqiptar. Këtu hyjnë të gjithë njerëzit e harruar nga pushteti: rinia jonë, që çdo ditë po merr torbat për në kurbet, pensionistët, njerëzit e ndihmës sociale, të përndjekurit politikë, veteranët etj. Për të shëndoshur gjendjen mendoj se duhet analiza e imët e situatës pas zgjedhore. Pas analizës së imët të faktorëve që çuan në humbjen e zgjedhjeve, në qendër dhe në bazë, të zgjidhet kryesia e re e partisë dhe të formulohet programi pas zgjedhor i PD-së. Zgjedhjet të bëhen gjatë vjeshtës, për ti lënë hapësirë të nevojshme analizës në bazë e qendër. Partia Demokratike duhet ti kthehet idealeve të Dhjetorit 90 dhe të ndreqen gabimet, që janë bërë gjatë këtyre 27 viteve. Vetëm kthimi i plotë i demokracisë në Partinë Demokratike do të sjellë shëndoshjen e gjendjes së brendshme të saj dhe ndërmarrjen e hapave në kuvend e gjetkë, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, do të kthejnë besimin e tyre tek Partia Demokratike. Kavaja, ku regjimi komunist në Shqipëri mori krisjet e para, e tregoi shpirtin e saj demokrat, nga e cila duhet të nxirret një mësim i madh. Në krye të PD-së duhet të jetë njeriu, me shpirtin e Lëvizjes së Dhjetorit 90, që ka mendje të kulluar dhe duar të pastra. Në këtë drejtim jam gati të jap kontributin tim në ringritjen e PD, vendosjen e plotë të demokracisë dhe luftën pa kompromis për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. PD-ja duhet të përpiqet të verë në jetë propozimet e saj për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve në Shqipëri, votimin elektronik, votimi i emigrantëve në vendet, ku jetojnë, presidenti të zgjidhet nga populli, deputetët të zgjidhen nga populli etj. Bashkëpunimi me maxhorancën për interesat kombëtare duhet të jetë i vazhdueshëm. Duhet të luftojmë për ngritjen e një ministrie për të mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë atdheut, kur dihet se shumica e shqiptarëve nuk jetojnë në Shqipëri, por në vendet fqinj me te. Nga ana tjetër duhet të luftojmë, që në postet e larta të shtetit, të zgjidhen njerëz me të shkuar të pastër politike. Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike dhe të demokracisë! Shqipëria është vendi, që na jep nder për bukuritë e saj mahnitëse, na jep nder për pasuritë e saj të mëdha mbi dhe nëntokësore. Shqipëria na jep nder për historinë e saj të lashtë dhe për gjuhën më të lashtë të planetit. Por në atë gjendje që është aktualisht Shqipëria na jep turp me politikën e saj të mbrapshtë, varfërinë e madhe, korrupsionin dhe padrejtësitë e panumërta. Kur lindi Partia Demokratike mori mbi supe misionin e madh; të fuste në vend demokracinë e munguar dhe të përmirësonte jetën e njerëzve. Ky mision nuk u plotësua. Drejt këtij misioni duhet synuar, që PD-ja t’i kthejë sytë tek idealet e Dhjetorit ’90! 
Sigal