Paraja në timon…

988
Sigal

Vangjush Saro

Ka ditë që tema e Teatrit Kombëtar është kthyer në vëmendje të opinionit të gjerë publik e të mediave. Duket sikur në plan të parë, janë: Ndërtesa, trashëgimia, kullat… Por çështja, që të jemi syçelë, ngrihet edhe më lart se kullat. (Ato pas teatrit.) Një palë, disa palë, po bëjnë këtu çfarë të duan, në kushte që të kujtojnë atë shprehjen “Topin e kam unë!” Dhe loja duket e fëlliqur. Prandaj edhe ka një tensionim të publikut të gjerë dhe puna ka shkuar gjer atje, sa edhe vetë artistët janë ndarë në grupe, ndërkohë që shumica e njerëzve bëjnë sehir dhe postojnë qokën e radhës me ndonjë fjali a qyfyr, njësoj sikur të ishin në shkallët e stadiumit. Fundja çfarë mund të bëjnë?! (Duket se tashmë shqiptarët janë mësuar me kriza të herëpashershme, aq sa në ditë të qeta e në javë pa eksese, shumëkujt i duket sikur nuk ka “zhvillime”.) Unë kam shkruar dhe jam ndalur edhe më parë në këtë episod; po ashtu edhe për rrënimet që patëm në raste të tjera: ish-Kinostudio, Estrada, Cirku, teatrot e rretheve, etj. Dhe e vërteta është që nuk u bë kaq zhurmë sa këtë herë. (“…asnjëri syresh nuk e çau kokën për mua.” N. Mahfuz) Por e shoh temën sërish mjaft të qenësishme, për shkak se e keqja, bërja e gjithçkaje në emër të parasë dhe nën presion e parasë, ka shkuar shumë larg. Dhe sot, problemi i teatrit, që po shihet si simboli i përplasjeve sociale e politike të fundit të dekadës, pavarësisht çfarë bën opozita aty pari, ky problem pra, ka tubuar njerëz dhe interesa, histori dhe pasuri, hamendje dhe pyetje. Çfarë po ndodh? Po e them pa kurrfarë qasjeje të figurshme: tani vendin e ka marrë në dorë paraja. Po dikton dhe po drejton paraja, paratë; kjo është e gjitha. Paraja është në… timon. Po. Paratë kanë marrë në dorë “timonin” dhe ndonjëherë të vjen çudi që nuk e kuptojnë këtë as edhe ata që hidhen orë e çast për punë të politikës e të artit.  (Me siguri, lexuesve të nderuar iu kujtohet thënia proverbiale e Kryeministrit, z. Edi Rama, në kohën kur zhvillohej fushata e fundit zgjedhore. “Na jepni timonin!”) Megjithatë, të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt. Në të gjitha episodet që jetojmë dhe për të cilët kemi dëshirën apo mundësinë të themi diçka, mirë është të shohim pas dhe mandej edhe në aktualitet; mirë është, gjithashtu, të interpretojmë pa anim dhe në gjerësi. Pra, le të themi se janë realizuar edhe disa premtime e janë bërë mirë do gjëra për t’u vlerësuar. Por jemi larg piketave që vunë zotërinjtë pushtetarë, kur mëtonin të merrnin në dorë drejtimin e vendit. Personalisht, mendoj se z. Edi Rama bëri një punë të lavdërueshme në mandatin e parë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, kur me mbështetjen e Kryeministrit të asaj kohe, z. Ilir Meta, e pastroi Lanën nga ajo lemeri që e mbajmë mend të gjithë dhe, po ashtu, Parkun “Rinia”, që ishte katandisur si mos më keq. Më tej, personin fjalë nuk e shoh më në atë staturë dhe në ato përpjekje. Vijmë konkretisht në qeverisje e në drejtim të vendit; duke kujtuar shifra, parime, përbetime; (si ato për punësimin, për rekrutimin në punë larg ndikimeve politike, për ndërtimet pa lejë, kanabisin, etj.) Personalisht, mendoj, gjithnjë mendoj – pa pretenduar se kam në xhep të drejtën – se qeverisja e viteve të fundit ka qenë më e mirë se disa dekada kur vendoste rastësia dhe rrëmuja; kryeministri është më në terezi se ndonjë patetik tjetër para tij; por zullumet nuk kanë munguar. Problemet e mëdha të vendit janë gjithë në tavolinë: nga çështja më e madhe e dukshme, hapja e negociatave me BE-në, te papunësia dhe shkelja e të drejtave të punonjësve; nga konfliktualiteti politik fals dhe për shkak të lëndimit të interesave të caktuara, deri te certifikimi i termit “kullë”, që në fakt, është një nga arsyet edhe për debatin dhe grindjet në fjalë. Si duhej të shkonin punët? Jo vetëm për këtë temë, por edhe në shumë të tjera asi, duhej të flisnin dhe të drejtonin “timonin” ekspertët. Dhe pastaj, ishte mirë apo ishte keq, le të vazhdonin diskutimet. Por kur në mes të punëve… hyjnë ata që kanë para dhe që duan ca më shumë e nuk ngopen, kur të fryjnë në vesh kompanitë e fryra me tenderë dhe ndërtime të tilla edhe në zonat më delikate, përfshi bregdetin e shfytyruar, atëherë makina nuk di ku shkon. Kudo është paraja ajo që dikton. Të mos bëjmë edhe më tej popullin e “persekutuar”. Pak a shumë kështu ndodh kudo në botë; paraja komandon, paraja drejton, ajo zgjedh dhe mban në karrierë ata politikanë që i duhen dhe që i mbajnë ison; po kështu veprohet me mediet, me institucionet e tjera, që mbajnë nga një fasadë a pamje të parë sikur janë të pavarur, ndërkohë që fasadat janë lodhur shumë, janë dëmtuar nga koha në kohë. (“Korrupsioni është arma e njerëzve mediokër dhe majën e saj ju do ta ndjeni kudo.” Balzak) Në fakt, të të lëndojnë orë e çast ca qafirë e qejflinj parash, ca hiç-ër, për më tepër në një rreze kaq të ngushtë ku çdo gjë merret vesh dhe bie erë në çast, është e rëndë. Realisht, problemi gjendet larg dhe afër; tirania, mendjemadhësia, hedhja e valles mbi kokat e të tjerëve, përsëriten, pavarësisht nga forma dhe nga përpjekjet për ta paraqitur një rend apo një qeveri si atë më të mirën, që mendon natë e ditë për popullin. S’ka shumë kohë, publiku i gjerë mësoi se sa shumë (para) marrin disa nga kryeministrat e vendeve të rajonit; “timonin” e mbanin këta tanët, i Shqipërisë dhe i Kosovës… Po pse? Vende të varfra, me halle… së paku disa të jenë më të lumtur (!) E ndërkohë, sapo është deklaruar… edhe një rritje qesharake (e pensioneve); duke i bërë gjërat gjithnjë e më të qarta. Kontrasti rritet dita-ditës, korporatat nuk ndalen, fitimi kërkon fitime të tjera, pushteti kërkon pushtet tjetër, gjithnjë e më shumë. Këto janë fate e zgjedhje që bëhen me dhe pa dëshirën e një vendi, të një populli. Pozicioni (delikat) gjeografik dhe trashëgimia (e varfër) historike dhe politike, veças në atë që quhet demokraci, i bëjnë gjërat të vështira për shqiptarët dhe pak a shumë të lehta për të huajt. Lexuesi i nderuar, besoj, e ka konstatuar që vendet tona janë ndër më të “lidhurit” me aleatët, por edhe ndër më të “bindurit”. Po ashtu, më “lavrakët” kur vjen fjala për interesa kompanish e klanesh. E bënë baltë me drogën dhe veç fshihen. Nuk pushojnë betonierat dhe nuk mbarojnë “kullat”, por justifikohen. U ngrit një furtunë e paparë këtu për atë që quhet Veting; dhe jemi ende te ndëshkimi i ca gjyqtarëve, që megjithatë, po themi se duhet… Natyrisht, krahas lojës me të tjerët – që jo më kot i quajta më lart “të huajt” – roli dhe rruga që marrin drejtuesit e vendit, janë po aq të rëndësishme dhe të pakthyeshme. Dhe ata që i kanë zgjedhur, përfshi qejflinjtë e kullave, i dinë shumë mirë këto gjëra. Haptazi apo në mënyrë të fshehtë, me demagogji apo me dhunë, gjërat shkojnë aty ku tregon paraja. Ata që drejtojnë, gjithashtu i dinë mirë këto marifete. (“Çdo qen leh në oborrin e tij…” R. Kipling) Ç’rrugë t’i japim edhe ne “makinës” së këtyre shënimeve?! Është e vështirë të heqësh paranë nga “timoni”; ajo bën vazhdimisht presion dhe nuk lëshon kurrfarë terreni. Një fjalë popullore thotë: “Çfarë ka brenda çorba që zien, e di luga që e përzien.” Ndoshta në këtë vështrim, ç’është nisur për t’u bërë, mund të bëhet. Do të gjenden arsye për t’u kapërcyer çdo situatë dhe për t’u lëvduar njëra vepër apo tjetra, edhe pse shumëkush do të mbetet kokëmënjanë.  (“Ja fytyra e këtij procesi. Gjithçka është e vërtetë dhe asgjë s’është e vërtetë.” Alfred Kamy) Por po të kuptosh që autoritarizmi, gjë aspak e re për ne, është bërë gjithnjë e më shumë një barrë, për sot dhe për më tej, atëherë e vlen të ndalesh dhe të kërkosh llogari deri në një… Le ta bëjmë këtë!