Palush Ziu*/ Quo vadis nafta shqiptare?

143

U mbyll viti 2013 dhe ende nuk lexojmë ndonjë rresht për disa ngjarje jubilare dhe arritje madhore të naftës dhe naftëtarëve shqiptar. Ndërkohë që për gjëra të zakonshme, shtypi i përditshëm zien. Të mos ishte për këtë dhe nxitjen që të jep gazeta tuaj, nuk do të shkruaja për këtë rast.

Si rezultat i disa studimeve të kryera nga specialistë të huaj, 96 vite të shkuara, u shpua pusi i parë për naftë në Drashovicë të Vlorës, ku u nxor naftë e cilësisë së lartë. Ky zbulim ngjalli interes të veçantë nga vende të zhvilluara të kohës si SHBA, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia etj.. Të gjithë u vërsulën drejt truallit shqiptar, por këmbënguli më shumë Italia fqinje, që ëndërronte prej kohësh zaptimin e Shqipërisë. Ishte periudha e pas Luftës së Parë Botërore dhe nafta synohej nga çdo shtet për qëllimet e veta, çka ndodh edhe sot e kësaj dite. Si rezultat i studimeve dhe punimeve të kryera nga shoqëria AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania), nën drejtimin shkencor të Profesorit polak Stanislav Zuber, në vitin 1928 (86 vite më parë), u zbulua vendburimi i parë në Kuçovë.

Në vitin 1933 u hodhën bazat për një konfigurim të plotë sipërmarrje të nxjerrjes së naftës nga një vendburim. U krijuan kështu premisat për organizimin e të parit kantier nafte, i cili shumë shpejt morri formën e një ndërmarrje, që me të drejtë konsiderohet si ndërmarrja e parë për nxjerrjen e naftës në Shqipëri. Ndaj, në aspektin moral, shoqëror, ligjor dhe ekonomik, mund dhe duhej që vitin e shkuar, të përkujtohej jo vetëm 80 vjetori i krijimit të saj, por njëherazi, si vitlindje e industrisë së naftës shqiptare, si vitlindje e të parit qytet të naftës, të Kuçovës, e cila ishte dhe mbetet djepi i naftës, djepi i naftëtarëve, djepi i intelektualëve dhe shkencëtarëve të naftës.

Arritjet në industrinë e naftës për 80 vjet

Në harkun kohor, afërsisht të një shekulli, arritjet në industrinë e naftës janë madhështore. Ato përfshijnë shumë fusha si ato studimore-shkencore, kërkim-zbulimin dhe shfrytëzimin e vendburimeve të naftës dhe gazit me teknologji bashkëkohore, të industrisë përpunuese, të krijimit të një baze të fuqishme mekanike e teknologjike dhe mbi të gjitha, në formimin e  një sërë brezash naftëtarësh e intelektualësh me eksperiencë mjaftë të pasur.

Në sajë të punës kërkimore-shkencore që bënë shkencëtarët e naftës deri në vitet ‘90, u studiua i gjithë territori i vendit dhe zona pranadriatike (deti Jon dhe ai Adriatik). Mbi bazën e tyre, u argumentua plotësisht se trualli ynë është potencialisht naftë-gazmbajtës e me rezerva të konsiderueshme, duke evidentuar një numër të konsiderueshëm strukturash perspektive për naftë e gaz. Me kohën, jo pak prej tyre, u atakuan me shpime dhe rezultatet kanë qenë të dukshme dhe spektakolare. Bilanci i arritjeve brenda kësaj periudhe, nuk bie nën nivelin e vendeve që zhvillojnë industrinë e naftës. Në truallin shqiptar ndodhen mbi 300 milion tonë naftë e miliarda metër kub gaz,  rezerva gjeologjike dhe afërsisht po kaq të nxjerrshme. Nga viti 1918 e deri sot, janë shpuar rreth gjashtë mijë puse nafte me një metrazh të përgjithshëm afërsisht 8 milion metër linear. Janë zbuluar dhe vënë në shfrytëzim 13 vendburime nafte e gazi, nga të cilët njëmbëdhjetë janë zbuluar pas çlirimit të vendit.

Nafta në vitet e demokracisë

Ndryshimet politike, të ndodhura 25 vitet e fundit, shkaktuan një frenim të ecurisë normale të kësaj dege vitale të ekonomisë së vendit tonë. Mjaft nga strukturat perspektive, të përgatitura nga specialistët shqiptarë u lanë në “harresë”. Por, për çudi, ato nuk ishin harruar nga të huajt, të cilët “me lugë në brez” u vërsulën mbi sofrën e shtruar shqiptare, për të rrëmbyer “thela”. Një nga këto “pjata plot me thela” është edhe vargu i strukturave perspektive Sqepur-Shpirag (Bistrovicë, Molisht)-Osmanzezë e më tej, që së fundmi është marrë me koncesion nga një kompani e huaj. Askush nuk duhet të habitet përse naftën aty e gjeti një kompani e huaj e respektuar, dhe jo ne “të zotët e mallit”. Zgjidhja e gjëegjëzës është e thjeshtë.

Ajo do të gjente patjetër aty naftë, sepse së pari, specialistët tanë e dinin që më parë. Së dyti,  “dikush” nga specialistët tanë  “atdhedashës”, ia shtiu në vesh kompanisë. Së treti, politika “populldashëse” shqiptare i dha leje kompanisë të ulej këmbëkryq mbi truallin tonë. Dhe i gjithë ky skenar s’kishte si të mos mbyllej si zakonisht nga një ritual butaforik, ku kryeroli i takon si përherë, kryetarit të të gjitha inaugurimeve, Kryeministri i radhës që shkoi. Shkoi pra për inaugurim, ish-kryeministri, doktori që marrka vesh edhe nga nafta.

Pse vajti do thoni ju?! Së pari, i nxitur nga një shtysë e brendshme, të cilën populli e quan “bëmë baba të të ngjaj” (A nuk ishte baba Enveri ai që i thoshte naftëtarëve “shpo këtu, se këtu ka naftë?”). Së dyti, për t’u thënë shqiptarëve se koncesionet që ka dhënë, po japin rezultat…

Naftëtarët tanë paralel me ata të vendeve të zhvilluara

Gjatë këtij shekulli në naftë, brezat e naftëtarëve dhe inteligjenca e tyre, arritjet shkencore dhe ato ekonomike, kanë krijuar tanimë simbolet e veta. Këto simbole janë, thjeshtë, shqiptare dhe qëndrojnë përballë, paralel dhe përkrah vendeve më të zhvilluara në këtë fushë. Të tjerët nuk kanë bërë më shumë se ne në raport me kohën, vendin dhe ekonominë. Në këtë këndvështrim, kurrsesi, nuk jemi e nuk duhet të ndihemi inferiorë ndaj të tjerëve, sepse tanimë, duke perifrazuar zotin A. Fuga në një intervistë, ne nuk jemi “foshnja” dhe ata “mamaja” për sa kemi arritur. Është në nderin dhe dinjitetin e naftëtarëve, intelektualëve dhe shkencëtarëve të naftës, t’i ruajnë dhe vlerësojnë këto simbole, këtë krenari të ligjshme kombëtare edhe për faktin se me to nuk duhet të abuzohet dhe aq më tepër të përvetësohen nga të tjerët, kur dihet që spiunazhi industrial, apo të papërgjegjshmit veprojnë në këtë drejtim.

Vlerat të pasqyrohen

Që këto vlera të sigurohen, duhet i gjithë aktiviteti produktiv e njerëzor në këtë fundshekulli të naftës, të pasqyrohet nëpërmjet rrugëve dhe formave të ndryshme që mund të ofrojnë specialistët e naftës. Me këtë synim në fundvitin 2004, në takimin me z. F.Nika (ish- titullar në Albpetrol), paraqita materialin “Historia e naftës shqiptare dhe vendburimit-qytetit Kuçovë”, duke kërkuar edhe ndonjë sponsorizim për botim, gjë që nuk u bë. Pasi bëra një rezyme, shfaqi pëlqimin edhe për disa ide që shpalosa për “Nafta enciklopedi”. Në fund të takimit, më tha: “Po, kemi plot specialistë këtu dhe në hallkat e mëposhtme, por mendojnë më shumë për rrogat”. Pavarësisht kësaj, u tregua i gatshëm dhe në fillimvitin 2005 u ngritën grupet e punës me specialistë të njohur si dr. V. Kokonozi, T. Rrapi, T Vongli e të tjerë, të drejtuar nga z. T. Rrapi. Gjithashtu u mendua dhe për përgatitjen e materialit fotografik e jetëshkrimor të shumë naftëtarëve, intelektualëve e drejtuesve në naftë, para dhe pas çlirimit, për të organizuar një ekspozitë në Patos. Kjo punë e nisur mbarë, u ndërpre në muajin prill 2005, sepse filluan ethet elektorale për t’ua dorëzuar në tepsi qeverisjen e vendit, pasardhësve, si një dhuratë e z. Fatos Nano. Në korrik të 2008-s iu drejtova, zyrtarisht, me letër po për këtë problem, drejtorit pasardhës të Albpetrol-it, por nuk mora përgjigje, edhe pse u takuam në disa evente të tjerë të naftës. Siç duket, mendja i punonte gjetkë…!

Shpërdorimet në naftë

Kuptohet, që kjo periudhë kohe, deri në ditët e sotme, siç mësojmë nga burime të ndryshme dhe nga media, ka shërbyer më shumë të mendohej për shpërdorime dhe përvetësime, sesa për mbarëvajtjen e punës në naftë. Kjo tendencë ka bërë që prodhimi i naftës në total të arrijë shifrat më minimale të regjistruara ndonjëherë. Për të mos e ngarkuar lexuesin me shumë shifra, po përmendim vetëm dy tregues kuptimplotë:

-Prej një periudhe disa vjeçare, prodhimi vjetor i naftës në Shqipëri, nuk e kalon shifrën  300 000 tonë në vit, aq sa merrej vetëm nga një vendburim në vitet ‘80-‘90.

-Aktualisht, në vendburimin e Kuçovës nxirret rreth 60 metër kub naftë në ditë, aq sa nxirrej në vitet ‘58-‘75, kur ky vendburim ishte vetëm një sektor…

Për ne, specialistët e naftës, këto shifra nuk janë befasuese, kur mendojmë atë keqadministrim që i është bërë industrisë së naftës, kësaj pasurie të çmuar kombëtare, për të mos folur për korrupsionin e deri tek fakti që edhe punëtorët e kualifikuar u zëvendësuan me militantë analfabetë, apo me arsim për bujqësi e blegtori.

Erë e re për naftën

Një erë e re po fryn edhe në naftë. Le të shpresojmë se me qeverisjen e re dhe riorganizimet në naftë, të ndryshojë rrënjësisht situata rrënuese e krijuar nga politika ekonomike e mbrapshtë, e ndjekur deri tani, në nxjerrjen e naftës dhe në vlerësimin e kontributit të naftëtarëve. Është koha të pasqyrohet dhe materializohet heroizmi e guximi pa kufi i naftëtarëve, që nga naftëtari i parë e deri tek martirët e naftës. Ne naftëtarët, por edhe mbarë populli, nuk duhet të harrojmë se nga trualli ynë u arrit të nxirrej 2.25 milionë ton naftë në 1974-n dhe ky ritëm u mbajt deri në vitin 1990 me 1.1 ml tonë, etj.. Në kushtet e reja që po krijohen e do të krijohen në vazhdimësi, është e domosdoshme të hidhet në letër ajo për të cilën diskutohet në rrethet shoqërore të naftëtarëve “Enciklopedia e Naftës Shqiptare”, sepse kështu marrin jetë arritjet dhe sakrificat e naftëtarëve. Dhe që të bëhet kjo duhet mirëkuptimi, toleranca dhe angazhimi njerëzor i institucioneve përkatëse dhe, veçanërisht, kontributi i intelektualëve dhe shkencëtarëve të naftës, të cilët duhet të shkunden nga gjendja, ku mund të jenë duke u zhveshur nga anët dhe krahët politikë për të marrë përsipër këtë barrë (këtë vepër) që do na shërbejë ne sot dhe brezave që do të vijnë.

 *Inxhinier nafte, autor i librit “Historia e naftës shqiptare dhe vendburimit Kuçovë”