Paligjshmëria, besimi i munguar dhe paqëndrueshmëria e institucioneve janë plagët e thella të shtetit shqiptar

Prof. Dr. Zamira Çavo: Më shumë se një shekull shtet dhe them me bindje, që ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të vërteta

Zamira Çavo, Profesore e Shkencave Sociale, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, komenton situatën aktuale në vend, për shkarkimet e shumta që po bëhen në nivele të ndryshme të shtetit. Ajo mes të tjerash shton se shteti ynë vazhdon të jetë i dobët dhe qytetari të mos ketë besim tek ai.

Viti i Ri sapo ka hyrë. Si e mendoni këtë vit për vendin? A do të jetë një vit i ringritjes së institucioneve tona? A mendoni se shkarkimet e shumta që po bëhen në nivele të ndryshme të shtetit i shërbejnë reformave të ringritjes së vetë sistemit?
Së pari, uroj me zemër një Vit të mbarë për shqiptarët dhe Shqipërinë! Së dyti, pyetja që bëni duket se fokusohet në një problem që ka të bëjë me funksionimin e administratës sonë publike. Dhe dihet se kjo administratë është me shumë nivele dhe po kaq shumë vulnerabël ndaj politikës. Kemi vite që dëgjojmë, se shtetin nuk e bëjnë njerëzit por sistemi. Kam qenë dhe jam dakord. Por jam po kaq e bindur se politika demagogjike është po kaq e aftë sa të shkatërrojë sistemin duke e ruajtur fasadën e tij. Si ndodh kjo? Fare thjeshtë: Duke e shndërruar këtë administratë në një instrument në duart e individëve të klaneve të politikës! Më shumë se një shekull shtet dhe them me bindje, që ne akoma nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione të vërteta. Ndaj shteti ynë vazhdon të jetë i dobët dhe qytetari të mos ketë besim tek ai. Sa herë e kemi ndryshuar Ligjin për “statusin e nëpunësit civil” Sa herë janë ndërruar pushtetet. Dhe kam frikë se sërish do ta ndryshojmë.

Cilat sipas jush janë shkaqet e këtij mosbesimi ndaj shtetit?
Kur them mosbesim ndaj shtetit e kam për të gjitha strukturat e tij, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria, Agjencitë, policia, ushtria e deri tek gjykatat e prokuroria. Pra është një mungesë besimi që kap vertikalisht të gjitha institucionet. Kjo ka një arsye historike. Si popull, ne vazhdojmë të ndjekim pas “njëshin”, pra liderin. Kështu e kemi ndërtuar shoqërinë. Dhe sistemi i ashtuquajtur komunist, po të njëjtën gjë bëri; forcoi rolin e liderit, i cili barazohet me shtetin. Pra ne si popull kemi një raport jo fort të mirë me shtetin, me ligjin. Shtetin vazhdojmë ta konsiderojmë të “huaj”. Dhe ata që kemi në krye të institucioneve kanë dalë prej nesh dhe sapo marrin një karrige u duket se e kanë pronë të tyre pushtetin dhe sillen si të tillë. Ja shikoni, kryeministri bëri “babagjyshin” duke emëruar si këshilltare të një ministreje dikë që as e kishte menduar një punë të tillë, pasi vajza vetë ishte e bindur që nuk plotësonte standardet. Por kryeministri na dha një shembull që të çon tek “Lideri fuqiplotë” që është në gjendje të bëjë çudira të të shndërrojë “nga hirushe në princeshë “ me një llaf goje. Jo vetëm kaq, por na demonstroi që nuk pyet as për ministrat e tij, të cilët duken tërësisht kukulla dhe sillen si të tilla. Ky model madje transferohet në sistemin vertikal. Dhe ministrat që “shkelen me këmbë nga shefi i tyre” veprojnë po në të njëjtën mënyrë me vartësit. Pra askush nuk pyet për ligjin! Natyrisht që ky model është dhe modeli që i ofrohet shoqërisë në mënyrë permanente. Provoni t’i thoni ndonjë specialisti të administratës publike në cilëndo ministri apo cilindo nivel se “kjo që po bën është në shkelje të ligjit”! E dini përgjigjen? Po jua them unë: “Epo kështu e do shefi!” Arsye tjetër është padyshim ndërhyrja e vazhdueshme e politikës në emërimet në administratën publike. Brenda një viti, një institucion mund të ndryshojë dy drejtues! Të mos flasim pastaj për periudhat kur shkëmbehet pushteti nga njëra palë e politikës tek tjetra. Ndryshimet e pafundme që bëhen në administratë janë shenja më e dukshme e dobësisë së shtetit! Janë fytyra e vërtetë e tij. Dhe kur një shtet shihet si i tillë, zor se mund të dëgjohet në kancelaritë botërore, pavarësisht karizmës së shefit të qeverisë! Shikoni një ambasador serb, ka guximin që në mes të Tiranës të përplasë në fytyrën e shqiptarëve, pa asnjë dozë diplomacie: “Kosova është e Serbisë dhe kështu do të mbetet!” Pra asnjë nëpunës i fundit i një shteti në Ballkan nuk pyet e nuk të merr seriozisht! Më gjeni një vend tjetër në Evropë, qoftë edhe shtetet fqinje me ne ku diplomatët bëjnë “ligjin”? Përse ndodh kjo? Sepse shqiptarët nuk i besojnë shtetit të tyre dhe sepse shteti i tyre është kaq i dobët sa nuk mbahet dot vetë në këmbë! Të mos flasim më tej për faktin e sorollatjeve të qytetarëve që kanë halle në shtetin e tyre e nuk marrin do asnjë përgjigje për vite me radhë, pasi një herë ikën drejtori, e një herë humbet dosja se janë larguar specialistët... Në të gjitha rastet e paguan shqiptari, por e ndjejnë në veçanti shqiptarët emigrantë, tej e ndanë botës, të cilët duan të ndjehen krenarë për vendin e tyre, por detyrohen të ulin kokat për shkak të dobësisë së shtetit amë!

Si e vlerësoni largimin e Haki Çakos nga drejtimi i policisë së shtetit? Komandimet që po bëhen gjithandej në detyra të rëndësishme ju duken të drejta?
Largimi i Çakos apo i kujtdo tjetër, është i pranuar dhe vlerësuar kur ka arsye për ta bërë këtë. Por jam dakord me ju kur në vend të emërimeve kemi të “ngarkuar”, pra jo të emëruar, gjë që e bën edhe më të paqëndrueshëm institucionin dhe rrit paligjshmërinë dhe mungesën e besimit të qytetarëve. Por them se këto “ngarkime” që po shtohen gjithnjë e më shumë ditët e fundit, dëshmojnë edhe për paqëndrueshmërinë e vetë qeverisjes Rama II. Kjo paqëndrueshmëri lidhet ose me mungesën e vizionit që qeveria ka për institucionet e saj ose me frikën që ka nga individët që sjell në krye! Në të dyja rastet qeveria është e dobët, pasi vazhdon të na tregojë me fjalë, se shtetin e bëjnë sistemet dhe na dëshmon me vepra se njerëzit mund të zhbëjnë sistemin! 

Si e vlerësoni protestat e opozitës për të ndryshuar qeverisjen e vendit? A do sjellin ato një frymë të re në jetën e vendit?
Unë e kam thënë me mijëra herë: Partitë politike në Shqipëri janë një element tjetër mjaft i rrezikshëm për vendin. Së shpejti do bëjmë publike disa sondazhe që dëshmojnë për mungesën e thellë të besimit të shqiptarëve tek partitë politike, por edhe një tendencë në rritje të humbjes së shpesës për të ardhmen. Natyrisht që protestat janë të mirëpritura në një shoqëri demokratike, por protestat e opozitës kaotike janë edhe më kaotike dhe mbulojnë në thelb një frikë të pashmangshme të kësaj opozite përballë mungesës së alternativave të besueshme.