Pajtim BELLO / “Kriza energjetike, pasojë e keqqeverisjes”

509
Sigal

25 tetori është një datë e shënuar që do të mbetet për jetë e tillë edhe pse ka shumë përpjekje për ta errësuar këtë arritje madhështore të asaj kohe. Them arritje madhështore sepse në atë 25 tetor u shënua jo vetëm elektrifikimi i plotë i Shqipërisë, por u konfirmuan disa ndryshime cilësore. Së pari vetë elektrifikimi shënoi fillimin e një standardi të ri në jetën e të gjithë shqiptarëve, sepse nga shtëpitë e shqiptareve u hoq pisha, kandili dhe llamba e vajgurit. Së dyti u bë një ndryshim rrënjësor në sferën kulturore dhe të një emancipimi të gjerë të shoqërisë shqiptare. Së treti u krijua një mundësi reale për një zhvillim të industrive të ndryshme, përfshi edhe industrinë e rëndë. Së katërti ai 25 tetor konfirmoi krijimin e një sistemi elektrik të konsoliduar në të tre komponentët që janë prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike. Gjej rastin të them se politikat energjetike të para viteve 1990 kanë qenë më realiste, më konkrete dhe më të dobishme sa sa politikat pas viteve 1990. Nuk kemi përse të mohojmë një arritje të madhe të asaj periudhe, vetëm e vetëm për arsye politike. Ende sot kemi ato burime të prodhimit të energjisë elektrike, atë sistem të transmetimit dhe atë sistem të shpërndarjes të energjisë elektrike, përjashto ndryshime kozmetike. Nëse para viteve 1990 eksportonim energji elektrike, sot importojmë 50% të nevojave për përdorim. Nëse para viteve 1990 humbjet e energjisë elektrike luhateshin rreth 15 deri 17%, sot humbjet janë 50%. Nëse para viteve 1990 nuk bëhej fjalë për vjedhje të energjisë elektrike, sot energjia elektrike vidhet si pa të keq. Nëse niveli i pagesës së energjisë elektrikë para viteve 1990 ishte ne nivelet 95-98%, sot ky nivel është rreth 78-80%. Nëse para viteve 1990 nuk flitej për vjedhje dhe mos pagim të faturave të energjisë elektrike, sot vjedhja dhe mos pagesa janë kthyer në kulturë. E pra si mund të themi se kemi ndryshuar për mirëë Në fund të fundit krahasimi bëhet dhe duhet bërë vetëm me shifra.