Pa tym dhe pa plehra nuk ka zhvillim

1343
Alqi NAQELLARI

Në vitet e fundit janë bërë një sërë debatesh televizive, janë shkruar me dhjetëra artikuj dhe janë organizuar disa tubime në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Unë nuk jam kundra mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjes së florës dhe faunës shqiptare. Por këtë mbrojtje e shikoj në funksion të zhvillimit të ekonomisë, të rritjes së shkallës së punësimit nën moton: “Të zhvillohet ekonomia duke mbrojtur mjedisin”. Nuk e shikoj në aspektin apo në këndvështrimin të mos ndërtojmë asnjë objekt, se na prishet e dëmtohet mjedisi. Nëse ndokush e shikon mbrojtjen e mjedisit tek mos ndërtimi, në mënyrë që gjithçka ta lëmë të virgjër, për gjykimin tim e ka gabim. Nuk ka zhvillim, nuk ka rritje ekonomike pa tym dhe plehra, pa fabrika e uzina, pa miniera, pa termocentrale e pa hidrocentrale. Këtë po e tregon shembulli i disa vendeve në zhvillim, në mënyrë të veçantë, po e tregon ekonomia kineze. Nuk mund të zhvillohet një ekonomi si ekonomia shqiptare, me burime nëntokësore, me minerale në të gjithë shtrirjen territoriale të saj, duke u mbështetur vetëm te sektori i turizmit e bujqësia. Shqipëria nuk është e varfër në burime ekonomike nën dhe mbi tokësore që të mbështetet te turizmi e bujqësia si degë kryesore të ekonomisë. Shumë ekonomistë dhe përfaqësues të qeverisë theksojnë se perspektiva e ekonomisë shqiptare duhet të shikohet te bujqësia e turizmi. Për gjykimin tim, ky konstatim është jo i drejtë. Pse? Sepse ka mundësi të kufizuara në sektorin e turizmit dhe të bujqësisë.

Së pari, në turizmin detar, Shqipëria ka vetëm 340 km vijë bregdetare dhe një ishull. Nuk mund të pretendohet që të kemi një turizëm që do punësojë dhe të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të PBB-së. Nuk mund të krahasohet ekonomia shqiptare me atë të Greqisë. Greqia ka Flotën Tregtare, Turizmin dhe Bujqësinë degë kryesore të saj, por këto degë nuk mund t’i ketë edhe Shqipëria. Greqia ka me mijëra ishuj të banuar dhe të pabanuar, në vartësi të përkufizimit nga 1200-6000, me infrastrukturë të ngritur e moderne të transportit e të shërbimit. Ka me mijëra kilometra vijë bregdetare që përbën një kapacitet akoma të pa shfrytëzuar, që nuk mund të krahasohet me vijën bregdetare shqiptare. Greqia ka bregdetin e 11-të më të gjatë në botë me 13,676 km (8,498 mi); kufiri i saj tokësor është 1,160 km (721 mi). Greqinë e vizitojnë 28 milionë turistë në vit, përgjithësisht nga vendet e BE-së. Flota tregtare civile e Greqisë renditet e 3-4 në botë. Është e pa krahasueshme me flotën tregtare shqiptare.

Së dyti, turizmi kulturor, kulinar, mjekësor dhe aventuresk është pak i zhvilluar në Shqipëri. Për shkak të teritorit të vogël dhe objekteve të pakta të mirëmbajtura nuk do shumë kohë për të bërë vizitat përkatëse. Brenda dy ditëve mund të vizitosh kalatë kryesore dhe qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Numri i këtyre turistëve është i kufizuar në krahasim me turistët që vijnë në periudhën e verës. Në këtë mënyrë nuk mund të pretendohet që të vijnë me miliona turistë e të vizitojnë kalatë, kishat, xhamitë, shpellat, rrepet apo rënojat e mureve të vjetër. Turistët që vizitojnë Shqipërinë përgjithësisht janë nga Kosova e Maqedonia. Ka pak turistë nga vendet skandinave apo nga Europa. Deri para dy vitesh turizmi neto ka qënë negativ, në këtë mënyrë nuk mund të pretendosh që një sektor shërbimi ta bësh degë kryesore.

Sa i përket bujqësisë mund të thuhet se edhe në vitet më të mira, para dhe pas viteve ’90, nuk ka kaluar 20% të PBB-së. Edhe në ditët e sotme pavarësisht nga shkalla e intensifikimit nuk kalon mbi 20% të PBB-së. Ka faktorë objektivë që e kufizojnë prodhimin e saj. E para, sepse ajo është shumë e kufizuar dhe e fragmentarizuar. Ka mbi 350 mijë fermerë. Ky fragmentarizim pengon rritjen e shkallës së mekanizimit dhe futjen e teknikave moderne të kultivimit. Sot në bujqësi punojnë, jo më shumë se 12 mijë traktorë me goma. Sipërfaqja e tokës bujqësore e shfrytëzueshme është ulur mbi 20% në krahasim me atë të viteve ’90, sepse është zënë me ndërtime e troje ndërtimi. Fshatra të tëra janë të braktisur duke sjellë mungesë të fuqisë punëtore. Sot në Shqipëri ka një zhvillim jo të balancuar rajonal. Nuk merren në konsideratë burimet natyrore duke bërë që pjesa më e madhe e popullsisë të përqendrohet në Tiranë dhe Durrës. Mundësitë e rritjes së ekonomisë shqiptare janë të mëdha. Duhet të synohet të ringrihet industria e lehtë, industria energjetike dhe industria e rëndë. Konkretisht drejtimet kryesore të saj duhet të jenë. Shfrytëzimi normal i burimeve të naftës dhe të gazit. Energjia për frymë është një nga treguesit më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të një vendi. Qeveria nuk duhet tua besojë gjithçka privatëve por sektorët strategjikë, të pa rikuperueshëm, siç është nafta dhe gazi, duhet të jenë pronë shtetërore. Kujt i intereson të mbyllet Kombinati i Ballshit, apo Armua, kujt i intereson të mbyllet apo falimentojë Albpetroli, pse shpërthejnë puset e naftës, pse ka fontana dhe plasje masive? Këto të shikojë shoqëria civile dhe të mos jetë kundër ndërtimeve. Minierat e kromit bakrit hekurit e qymyrit. Duhet të stimulohet nxjerrja e mineraleve dhe përpunimi i tyre. Jo gjithçka ti lihet në dorë privatëve. Akoma në Bulqizë kanë mbetur ndërtesat e uzinave të përpunimit të kromit. Ishim vendi i tretë në botë që nxirrnim krom për frymë. Sot zëmë vendin e parë për numrin e firmave që janë licencuar për të shfrytëzuar këtë krom. Të ndërtohen termocentrale sepse burimet qymyrgurore në jug të Shqipërisë janë të pashtershme. Rreth viteve ’90 në Shqipëri prodhohej mbi 1 milion ton qymyr. Në të gjithë Shqipërinë përdoreshin sobat me qymyr dhe askush nuk ankohej nga tymi i qymyrgurit. Përse askush nga “shoqëria civile” nuk bën tubime për termocentralin që u ndërtua në Vlorë që do punonte me qymyr tunizian dhe që edhe sot nuk është vendosur në punë. Për këtë të protestojnë, pse nuk është vënë në punë dhe jo pse është ndërtuar. Me këtë logjikë Kina nuk duhej të ndërtonte asnjë termocentral. Kina ka me qindra miniera qymyr guri dhe me qindra termocentrale dhe shumë pak centrale bërthamore. Pse nuk ankohen kinezët, a thua se ne shqiptarët jemi më të fisëm se kinezët apo Francezët që kanë një numër të lartë të Centraleve Bërthamore? 

Të ndërtohen hidrocentrale në lumenjtë kryesorë siç është Vjosa, Drinua, Shkumbini etj. Çfarë humbi Gramshi nga Hidrocentrali i Banjës, çfarë ka humbur Veriu nga Hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës? Përkundrazi kanë fituar më shumë sesa kanë humbur. Atëherë përse duhet penguar Hidrocentrali i Kalivaçit, përse duhet penguar Hidrocentrali në Grykën e Këlcyrës? Ata që kërkojnë mosndërtimin e tyre janë ata njerëz që kanë qenë kundër termocentraleve, kundër fabrikave dhe uzinave, janë ata njerëz që nuk kanë asnjë interes për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Janë ata njerëz që nuk japin apo ofrojnë asnjë alternativë tjetër për këtë zhvillim. Këtyre ju ka mbetur goja vetëm JO. Të shfrytëzohen burimet e ujrave për përpunim siç është Syri i Kaltër, Uji i Zi në Vjosë, ujërat e Thethit, Valbonës etj. Të hiqet dorë nga virgjëria e natyrës për të kënaqur pleqtë e plakat e Evropës që duan ta kalojnë pleqërinë e tyre në Shqipëri. Ata e duan Shqipërinë të virgjër sepse fëmijët dhe nipat e tyre nuk duan të vijnë në Shqipëri. Ata nuk kanë pyetur asnjëherë pse po e braktisin Shqipërinë shqiptarët. Shqiptarët po e braktisin Shqipërinë sepse nuk ka punë, nuk ka siguri. Si mund të krijohen vende pune kur shoqëria civile nuk do mbetje, nuk do tym. Po a mund të ketë zhvillim pa mbetje, po a mund të ketë uzinë apo fabrikë pa tym? Këta e duan Shqipërinë një vend pa njerëz, por me lepuj, ujqër e derra, çakej dhe arrij në pyje, sepse kështu do na vijnë turistët. Na rrofshin turistët e Evropës dhe fëmijët tanë të marrin rrugët e kurbetit. Përse të mos i pranojmë mbetjet e kontrolluara të plasmasit, qelqit dhe të letrës? Përse duhet të jemi kundër tyre kur mundësitë janë të mëdha që të ringrihet industria e plastikës dhe e letrës deri në prodhimin dhe eksportimin e produkteve të gatshme. Përse gjithçka duhet ta importojmë nga Kina dhe të mos ta prodhojmë në vend? Çfarë pengon? Frika e madhe se po na vijnë lëndët radioaktive. Atëherë shoqëria civile le të angazhohet në kontrollin dhe kufizimin e mbetjeve të specifikuara për plastikën, qelqin dhe letrën dhe jo të jetë kundër tyre. Ringritja e këtyre uzinave dhe fabrikave me teknologji moderne do bëjë që të rritet ekonomia dhe njëkohësisht të rritet edhe shkalla e punësimit. Përse nuk proteston “shoqëria civile” për ndotjen e gjallesave të Detit Adriatik me lëndë radioaktive? Përse nuk proteston për ndotjen e oqeaneve por proteston për Hidrocentralet, për ujin e Zi të Këlcyrës, se na prishet bukuria? Pjesës më të madhe të shqiptarëve nuk iu duhet bukuria, por u duhen vende pune ku të punësohen.
Sigal