Pa kthimin e pronës tek pronari nuk ka BE

1092
Sigal

Prof. Dr. Gëzim Boçari 

Koha që Evropa t’i kërkojë qeverisë shqiptare kthimin e pronave te pronarët

Duke marrë shkas nga situata aktuale me pronat dhe problematikat e shumta që po shfaq ky fenomen përgjatë gjithë kësaj periudhe në vendin tonë, që nga problemet me legalizimet apo edhe kërkesat për kthimin e pronave tek të zotët, anëtar i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Prof. Dr. Gëzim Boçari sjell në vëmendje mbledhjen e organizuar nga Këshilli i Evropës ne Trieste më 13-14 dhjetor 1999, pasi sipas profesor Boçarit , thelbi i saj edhe sot mbetet aktual për politikanët shqiptarë edhe ata ndërkombëtarë. Kjo mbledhje e KE analizoi arritjet e demokracisë në Shqipëri 1 vit pas miratimit të Kushtetutës. Në këtë takim ku veç përfaqësuesve nga Këshilli i Evropës dhe personaliteteve të drejtësisë italiane nga pala shqiptare ishin të ftuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Komitetit të Helsinkit, dhe Shoqata “Pronësi me Drejtësi”.

Konstatimet e Departamentit Amerikan të Shtetit për dekadencën e ekonomisë në Shqipëri, në 2017 janë pasojë e “neglizhencës” për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me shoqatën e pronarëve për zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës. Ne vëmë re se po kalojnë shumë vjet dhe politikanët duke qenë se përfitojnë për veten e tyre, nuk duan t’ia dinë për Kushtetutën dhe nuk janë të interesuar t’i kthejnë popullit pronën e trashëguar në përputhje me kushtetutën dhe t’i kompensojnë po ashtu në përputhje me Kushtetutën, në mënyrë që secili të marri atë që i takon dhe jo atë që ka grabitur. Zgjidhjen në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e Strasburgut shoqata “Pronësi me Drejtësi” e ka dhënë që në 2013, por propozimi ynë është mbyllur në sirtarët e drejtuesve të institucioneve, pasi prish përfitimet e tyre të paligjshme. Po ashtu lëvizja e studentëve këtë dhjetor me këto 12 ditë proteste e ka shkundur qeverinë dhe politikën shqiptare, por 8 pikat e kërkuara prej tyre janë si ndërtesa pa themel nëse nuk shtohet kërkesa për kthimin e pronës së grabitur tek pronari i ligjshëm. Në të kundërt familjet e studentëve protestues , që kanë 25 vjet nëpër zyra dhe gjykata për të kërkuar pronën e trashëguar do vazhdojnë do të mbeten rivendikues të përjetshëm, ndërsa studentët edhe sikur t’ju plotësohen të 8 pikat e kërkesës tyre, pas marrjes së diplomës, ata do të jenë shtetas me atdhe të mohuar dhe do kërkojnë çdo mundësi për emigracion.

Ja teksti i plotë i referuar në takimin, 19 vjet më parë në Trieste, 13.12.1999:

Rrapo Hajredin Danushi, Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”

Të nderuar zotërinj,

Në emër të Shoqatës Kombëtare “Pronësi me drejtësi” Ju falënderojmë për ftesën dhe për organizimin e kësaj mbledhjeje, e cila shpresojmë se do të ndikojë për një rregullim të gjendjes në Shqipëri, d.m.th. për restaurimin e rendit e të stabilitetit nëpërmjet shtetit të së drejtës dhe vendosjen e një demokracie të vërtetë, ku të respektohen ligjet e Kushtetuta dhe, për rrjedhojë, të drejtat e njeriut në kuptimin e mirëfilltë të fjalës!

Shoqata jonë “Pronësi me drejtësi” përfaqëson kërkesat e familjeve shqiptare që janë shpronësuar me dhunë e pa asnjë shpërblim nga shteti i diktaturës komuniste qysh nga viti 1945, që kërkojnë kthimin e pronës së tyre të ligjshme dhe që akoma sot nuk po u kthehet, me gjithë kërkesat këmbëngulëse të Shoqatës sonë e të disa forcave të djathta. Shoqata jonë qëllimisht nuk thirret kurrë në mbledhjet formale të organizuara nga mbajtësit e pushtetit në Shqipëri, me qëllim që të pengohet të shprehë pikëpamjet e saj, rreth çështjes së kthimit të pronës pronarit të vërtetë, që përbën elementin bazë të demokracisë së mirëfilltë. Mbledhja e sotme, e organizuar nga Komisioni Evropian për Demokraci Nëpërmjet Ligjit në bashkëpunim me Universitetin e Triestes, është e para që i jep mundësinë Shoqatës sonë të shprehë haptas mendimin e saj si për çështjen e kthimit te pronës tek i zoti, ashtu edhe për “Zbatimin e Kushtetutës në Shqipëri”. Shoqata jonë është një forcë e vërtetë opozitare konstruktive e interesuar realisht për instalimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, në kuadrin e ligjshmërisë demokratike e cila fatkeqësisht i mungon akoma vendit tonë edhe pse aktualisht shteti është i pajisur tani me një Kushtetutë të miratuar nga Parlamenti dhe nga Populli me referendumin e vitit të kaluar. Themi se mungon ligjshmëria demokratike pasi elementët e ndershëm të politikës shqiptare, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, humbasin, në luftën e egër të mbajtësve aktualë të pushtetit, që synojnë për t’u bërë zotër e për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Ndonëse Kushtetuta jonë gjatë hartimit të saj pati konsulencën juridike të Komisionit të Venecias, të kryesuar nga Prof. La Pergola, duke ofruar një konsulencë të përhershme, sidomos për nenet 41 dhe 181 të saj, që lidhen në mënyrë të rëndësishme me kthimin e pronës së trashëguar e të shpronësuar nga diktatura komuniste te pronarët e ligjshëm me titull pronësie të mirëfilltë, prapëseprapë, ajo në realitet nuk po zbatohet.

Është e domosdoshme të vihet në dukje një fakt tjetër i rëndësishëm. Nga momenti kur Kushtetuta hyri në fuqi, domethënë një vit më parë, akoma sot e kësaj dite nuk po bëhet asgjë për zbatimin e dispozitave të lartpërmendura për t’ia kthyer pronën të zotit. Akoma prona private e paluajtshme vazhdon t’i nënshtrohet politikës. Dy forcat kryesore politike në Shqipëri d.m.th. Partia Socialiste, që e quan veten të majtë dhe Partia Demokratike, që e quan veten të djathtë, vazhdojnë ta trajtojnë pronën private të shpronësuar si një monedhë për të blerë votat si dhe për të pasuruar militantët respektivë. Të shpronësuarit vazhdojnë të jenë peng i politikës, në kundërshtim flagrant me nenet 41 e 181 të Kushtetutës, në një kohë që kjo e fundit e kategorizon pronën në kapitullin e të Drejtave të Njeriut.

Institucionet shtetërore po i shkelin si pa të keq dispozitat e lartpërmendura. Ato vazhdojnë të punojnë akoma me ligjet e vjetra, që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën në fuqi, në një kohë që Shqipëria përfaqëson vendin ku u shpronësuan mbi 85% e pronave private dhe që asgjë nuk po bëhet për kthimin e tyre tek i zoti. Kjo gjendje bëhet shkak që këto prona të shtihen në dorë nga persona që abuzojnë me pushtetin, pa pasur asnjë titull pronësie. Kjo gjendje e bën situatën politike të vendit tonë shpërthyese, të tensionuar, që nxit krimin e organizuar dhe korrupsionin, që inkurajon padrejtësitë, përçarjen, armiqësitë midis njerëzve; që pengon seriozisht investimet e huaja në Shqipëri. Shoqata jonë, d. m. th., |Ne të shpronësuarit me dhunë nga regjimi komunist i kaluar, nuk kërkojmë lëmoshë, as nuk jemi shkelës të ligjeve, përkundrazi, ne përfaqësojmë shqiptarët e ndershëm, që kërkojnë të drejtat e tyre, pronën e tyre të ligjshme të mohuar nga viti 1945; kërkojmë kthimin e asaj që na takon, pronën tonë private, të cilën tërë bota demokratike e konsideron si kategori ekonomiko- juridike, që e respekton rigorozisht dhe e konsideron të shenjtë. Ndërsa në Shqipëri, edhe pse ndërroi krejtësisht sistemi shoqëror, që prona të shkojë tek i zoti, mjerisht u dashka edhe vendimi politik. Politikanët shqiptarë, që morën pushtetin pas vitit 1990, në vend që ta zgjidhnin problemin e pronës siç duhet, e ndërlikuan atë qëllimisht për të pasuruar veten dhe përkrahësit e tyre.

Duhet vënë në dukje, që jo vetëm qeveria por edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili në mënyrë paradoksale nuk lëviz asnjë gisht dhe nuk bën asgjë për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë që janë të lidhura në mënyrë organike me të drejtat e njeriut. Përkundrazi me një këmbëngulje kapriçioze, ky Komitet refuzon të impenjohet për mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të të drejtave të njeriut, sidomos për kthimin e pronës dhe nuk tregon as edhe më të voglin preokupim për situatat tejet të ndera, të krijuar në Shqipëri nga mos kthimi i pronave. Këto situata lindin në çdo moment konflikte dhe dis-harmoni midis njerëzve dhe bëhen shkak për konflikte të rënda deri në krim; ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit qëndron me indiferentizëm përballë fenomeneve të tilla dis-humane. Komiteti i mësipërm nuk shqetësohet që pasuritë e paluajtshme të çdo lloji, si troje për ndërtim dhe zona të tëra bujqësore dhe prona të tjera të paluajtshme që akoma nuk iu janë kthyer pronarëve të shpronësuar, vazhdojnë të emërtohen ende arbitrarisht “pronë shtetërore”, siç i emërtonte Kushtetuta komuniste e vitit 1976; dhe gjithashtu nuk shqetësohet edhe nga fakti që, pa u bërë kthimi i tokës tek pronari, bëhen shpronësime për nevoja publike në kurriz të pronarëve të ligjshëm, duke shkelur plotësisht nenin 181/2 dhe 41 të Kushtetutës në fuqi. Mbledhja e tashme me debatet për aplikimin e Kushtetutës në Shqipëri do të jetë ndihma juaj e madhe për kthimin e pronës se trashëguar tek trashëgimtarët e ligjshëm, sipas neneve përkatëse të Kushtetutës.