Oriola Musa/ A e kemi një shoqëri civile ?!

2267
“Kur njerëzit janë të lirë të shprehin lirisht mendimet e tyre dhe, kur qytetarët mbajnë përgjegjësi dhe kërkojnë llogari nga udhëheqësit e tyre politik, atëherë qeveritë janë më të përgjegjshme dhe më transparente në punën e tyre…janë udhëheqësit e grupeve të shoqërisë civile, ata që në shumë mënyra me veprimtarinë e tyre, do të kenë efekte më të qëndrueshme dhe më të përhershme…Titulli më i rëndësishëm nuk është, as President dhe as Kryeministër, por qytetar…”
Kanë qenë këto disa citime nga fjalimi i Presidentit Obama në forumin e nismës Globale Klinton, mbajtur në Nju-Jork, në 23 shtator të 2014. Një fjalim kryekëput kushtuar shoqërisë civile dhe rëndësisë që ajo ka jo, vetëm për zhvillimin e asaj shoqërie, por edhe në demokracinë e çdo vendi. E, duke lexuar këto rreshta, mendja më shkon tek roli që ka shoqëria civile në vendin tonë, gjithmonë nëse bashkarisht, me konsesus, do binim dakord ta institucionalizonim si të tillë. Si një qytetare e këtij vendi, përpiqem të thërras në kujtesë disa nga rastet më të fundit të lëvizjeve dhe angazhimeve tona si shoqëri civile. Më vjen ndër mend protesta e armëve kimike në nëntor të 2013, e cila ia arriti qëllimeve të saj, apo protesta e radhës një vit më pas për dorëheqjen e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, pas plasjes së skandalit, apo së fundmi për ndërtimet tek Diga e Liqenit Artificial e shkurtit 2015, etj. Disa prej këtyre tubimeve të frytshme e disa të tjera jo. Origjina dhe fillimet e organizimit të shoqërisë civile, nëse mund ta quanim të tillë, datojnë në vitet 91-97, kur Shqipëria e asaj kohe gjendej ende e papërgatitur për misione të tilla. Asokohe atë e drejtonin figura që thjesht për shkak të njohurive të tyre në gjuhën angleze, ranë të parët në kontakt me të dërguarit e perëndimit të ardhur për ta themeluar shoqërinë civile, si kudo në Europën Lindore. Por ata hasën në një kontradiktë të madhe, nuk mund të mobilizonin askënd, për shkak të origjinës së tyre shoqërore dhe politike të lidhur me diktaturën. Ata nuk mund të ishin shembull as për rininë as për brezat më të rritur. Thellësisht të ndërgjegjshëm për këtë mungesë dhe duke identifikuar atë si njërin ndër shkaqet e rënies së shtetit në 1997, Perëndimi investoi fuqimisht në krijimin e organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri. Që prej asaj kohe kemi një lloj lulëzimi të tyre, por jo në cilësi. Asnjëra prej tyre, me ndonjë përjashtim të sipërpërmendur, nuk ka prodhuar lëvizje, mobilizim shoqëror, efekte korrigjuese në veprimtarinë e shtetit, rritje të ndjeshmërisë së publikut për ndonjë padrejtësi. Flas për veprime me impakt kombëtar dhe jo me hapësirë të kufizuar ndikimi, siç mund të kemi pasur shpesh. Shumë pak prej tyre kanë prodhuar, madje lëndë të parë njerëzore për politikën, ndërkohë, që duhet të ishte e vërtetë e kundërta. Figura të spikatura të shoqërisë civile nuk i janë imponuar dot politikës që t’i përfshijë ato brenda saj, me ndonjë përjashtim të vogël në rastin e ndonjë gruaje të shquar. Aq më tepër, nuk mund të flasim në shumë vende, kur organizime të shoqërisë civile janë kthyer në parti me një rëndësi të caktuar, si p.sh Serbia, Rusia, etj. Përjashtim bën ndoshta Lëvizja Mjaft, e cila prodhoi partinë e G99, e cila duhet pranuar se pati një mbështetje të madhe ndërkombëtare edhe në planin financiar. Mjaft-i stimuloi shpresë të madhe me kreativitetin e vet, me freskinë e fytyrave që solli para publikut, por jo gjithnjë linearisht dhe me një rëndësi që u zbeh me kalimin e kohës. Dhe nuk arriti dot të krijojnë atë që italianët e quajnë “pikëza që bëri ujin të derdhej prej gotës”, si në rastin e KOP-it të dikurshëm të PD, apo departamenteve që e pasuan sot. Për të vijuar me analizën, do ishte e udhës të bënim marrëveshjen e fjalës: çfarë quhet shoqëri civile? Sipas një përkufizimi të Shkollës Ekonomike të Londrës, me “shoqëri civile do t’i referohemi arenës së një veprimi kolektiv me bazë vullnetare, që kanë në qendër interesa, qëllime dhe vlera të përbashkëta. Në teori, format e saj institucionale janë të ndara nga ato të shtetit, familjes dhe tregut, ama në praktikë jo. Shoqatat civile janë të shprehura si organizata jo qeveritare zhvillimi, grupe komunitare, organizata grash, organizata me bazë besimin fetar, shoqata profesionale, sindikata, grupe vetëndihmuese, lëvizje shoqërore, shoqata biznesi, koalicione dhe grupe mbrojtjeje.Në rastin e realitetit tonë, kur them shoqëri civile, do i referohem kryesisht organizatave të shoqërisë civile, OJF-ve, të cilat synojnë të korrigjojnë veprimtarinë shtetërore, apo ta zëvendësojnë atë.
Është fare e qartë se shoqëria civile nuk ka forcë në Shqipëri: nuk imponon thuajse asgjë. Organizmat e kësaj shoqërie në Shqipëri kanë disa tipare të përbashkëta dhe identifikuese, si: solidaritetin, mëshirën, analizën e zhvillimeve, bëjnë parashikime, por dhe mundohen të shkojnë në origjinë të problemeve, d.m.th. tek shkaqet e tyre në shoqëri në përgjithësi. Por ato duhet të kenë edhe një përmasë tjetër gjithashtu, atë mobilizuesen. Ato duhet të bashkohen me grupet e interesit, apo me shoqërinë në lëvizje në përgjithësi, në manifestime që synojnë të rrisin ndjeshmërinë publike në lidhje me fenomene të caktuara, apo sikurse edhe t’i bëjnë presion shtetit për të korrigjuar gjërat
Por le t’i rikthehemi edhe njëherë realitetit shqiptar, nëse do t’i përmbahemi me përpikmëri përkufizimit si më sipër, atëherë do të kuptohet qartë se shoqëria civile nuk është efektive. Organizime me bazë solidaritetin, mëshirën, janë deri diku funksionale, ndërsa janë si komunitete fetare. Por dhe atje ka diçka të dyshimtë: këto organizata, apo vetë komunitetet financohen nga jashtë, pra nuk janë produkt i një sistemi kolektiv mëshire dhe solidariteti që vjen prej shqiptarëve vullnetarisht. Përderisa këto komunitete nuk kanë prona, apo kanë fare pak, as që mund të mendohet një veprim i tyre, origjinal dhe i ndjerë, në mbrojtje të grupeve në nevojë, etj. Që shqiptarët si bashkatdhetarë të Nënë Terezës, janë popull i mëshirës dhe i solidaritetit, është bërë si refreni i një kënge të vjetër dhe nuk është shpikje e sotme. Megjithatë, rasti i italianëve, hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo sjellja ndaj kosovarëve në vitet 1999 janë mëse të mjaftueshme për të përgënjeshtruar çmontuesit modernë të miteve shqiptare.
Po, a është kjo mungesë e rëndë e tranzicionit shqiptar, mungesë me karakter gjenetik? Apo kombëtar, që vihet re dhe gjetkë në viset shqiptare? Jo, për fat të mirë. Mjafton të shikojmë Kosovën, ku shoqëria civile i ka të fortë qoftë dimensionin mobilizues, qoftë atë solidaristik të ngulur prej kohësh nga Rugova i ndjerë. Më vijnë ndërmend plot raste nga organizimet civile të Kosovës që grumbullojnë në sheshe dhjetëra mijëra vetë siç është rasti i protestave me në krye Albin Kurtin. Udhëheqës të tillë dinë të krijojnë kauza, besueshmëri, me karizmën dhe diturinë e tyre. Shqipëria dhe në këtë fushë të veprimit kolektiv shoqëror mbetet mbrapa Kosovës. Jemi në pritje të një rinie që guxon, të kauzave të reja. Të rinjtë janë të çorientuar dhe s’kanë modele. Kështu politika e vjetër vërtet mund të mbretërojë gjatë. Edhe pas zgjedhjeve, kushdo qoftë në pushtet.
Sigal