“Oreksi shtohet duke ngrënë”, është motua e Bashkisë së Tiranës

715
Nga Miltiadh M. MUÇI
Si aktivist shoqëror, hera-herës e kam ngritur zërin tim dhe do të vazhdoj ta ngre, me shkrime të botuara në medien e përditshme, sidomos në gazetën “Telegraf”. Ne marsin e vitit 2011, i jam drejtuar me një ankesë Avokatit të Popullit, pikërisht se çfarë ndodhte me çmimet e shërbimeve në tërësi dhe të ujit në veçanti, sepse pagesat e përllogaritjeve të tjera; si largim i ujit të përdorur, tarifë shërbimi e TVSH janë njësoj, ndërsa sot akoma edhe më keq kur kostua apo vlera e “ujit të pijshëm” është dyfishuar. Pas vendimit për rikonstruksionin e “Kodrës Skënderbej” në qendrën e Tiranës, me shumicën e këshilltarëve të Bashkisë e minimum votash, u miratua edhe rritja e çmimit të “ujit të pijshëm”, kur për shumicën e përdoruesve është i papijshëm. Që ku niset nga vendburimi, ai i Buvillës dhe deri ku mbërrin nëpër çezma, nga depozitat që dominojnë në bodrumet e fundit të shkallëve të pallateve të reja shumë katëshe dhe taracat e pallateve të para viteve ’90. Që ky ujë është i papërdorshëm për t’u pirë, pra “uji i papijshëm” sipas faturës së UKT-ës, në këto kushte është vlerësuar jo pak herë nga specialistë të shërbimit shëndetësor i papijshëm, dhe iu është tërhequr vëmendja, si furnizuesit të UKT-ës, ashtu dhe përdoruesit. Ai është kthyer si “largimi i ujit të përdorur”, me ndryshimin se çmimi i këtij është 11 lekë, kurse “uji i pijshem” është 45 lekë. Nuk mjafton me kaq, kostua apo vlera e ujit gjoja “të pijshëm” rritet dhe më shumë nga përdorimi i motopompave të ngritjes në katet e lartë, për vënien në punë të të cilave konsumatorit i duhet të paguajë energjinë elektrike, që varion jo më pak se 200 lekë të reja për çdo familje të shkallës, të cilat depozitat i kanë në taracë dhe më shumë për familjet me depozita në fundin e shkallëve, banorët e të cilave ndezin motopompën sa herë që hapin saraçineskën e lavapjatës, të lavamanit, të dushit e shkarkuesve të WC-së. Kostua apo vlera e “ujit të pijshëm”, konsumatorit i shtohet dhe nga uji që shpërndahet nga autobotet nëpër rrugicat e Tiranës, të cilit i duhet mesatarisht 1.5 litra në ditë për person ose 45 litra në 4 bidonë e gjysmë në muaj, shuma e të cilave shkon 180 lekë, baras me shtesën e indeksimit të çmimeve të pensionistit. Dhe po t’i llogaritësh të gjitha, çmimi i “ujit të pijshëm” rritet dy herë, edhe pse është i papijshëm! Ky është abuzimi më i madh që u bëhet banorëve nga Bashkia e Tiranës, Kryetari e këshilltarët e shumicës së Bashkisë, me një vendim politik kur në fushatën e zgjedhjeve lokale dhe qendrore, përsëriti premtimin e furnizimit me uji për 24 orë, në katër viteve të detyrës, pa kushtëzuar aspak me ndryshimin e çmimit, ndërsa sot kujtohet ta shtyjë në pesë vjet me kushtin e rritjes së çmimit, kur faktikisht konsumatori paguan dyfishin e çmimit të faturës së UKT-ës. E njëjta histori në 27 vjet vazhdon të ndodhë sikur me energjinë elektrike, ndërsa faturimi i ujit është në nivel edhe më të ulët, ku duhet të kërkohen në radhë të parë edhe “investimet”. Fajtorët mbeten në strukturat shtetërore, administratorët e të cilave janë përgjegjësit kryesorë. Duke marrë shkas edhe nga ky koment më duhet t’i kujtoj Bashkisë së Tiranës, se po abuzohet shumë me hapësirat publike, që të tilla nuk mund të quhen. Ato përdoren si prona të saj dhe aspak të komunitetit, banorëve të Tiranë, për interesa klienteliste, duke i zaptuar para fasadave të pallateve, buzë trotuareve, në bërrylat e kryqëzimeve të rrugëve dhe të rrugicave kryesore nga lokale kafenesh dhe baresh, duke rikonstruktuar sheshe kudo nëpër Tiranë prej subjekteve private, shitje perimesh etj, pa i bërë transparent të ardhurat e fituara dhe ku janë përdorur. Kjo nisëm e paprecedentë merr përmasa të mëdha sa kërkohet administrimi i parqeve kombëtarë si i Dajtit, sikur ka nisur të diskutohet në ditët më të fundit, me klientelë të preferuar si i “Dajti Ekspres”. Oreksi shtohet duke ngrënë, thuhet në një proverb, jo vetëm shqiptare, të cilën tashmë Bashkia e Tiranës e ka në moton e saj më të preferuar, sepse dhe fitimet personale janë të pallogaritshme. 
Sigal