Opinion/ Frank Shkreli: NATO mbetet gurthemeli i mbrojtjes së vlerave perëndimore

558
Në kryeqendrën e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO në Bruksel u mbajt këtë javë mbledhja e ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare për të biseduar, mbi angazhimin e aleancës perëndimore në luftën kundër të ashtuquajturit “shtet islamik”, në Irak dhe në Siri. Për herë të parë në një takim të tillë, mori pjesë edhe Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Donald Trump, Xhim Mattis. Zyra e shtypit e Pentagonit njoftoi, se gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, para se të fillonte takimi i NATO-s me dyer të mbyllura, Sekretari i ri Amerikan i Mbrojtjes nënvizoi rëndësinë e aleancës perëndimore. 
Ai theksoi se, “Aleanca e NATO-s mbetet një gurthemel i rëndësishëm, si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për komunitetin transatlantik, pasi jemi të lidhur me njëri tjetrin.” Ai gjithashtu siguroi aleatët se Administrata e Presidentit Trump mbështet fuqishëm Aleancën Perëndimore. Siç dihet, kandidati për president Trump, gjatë fushatës elektorale kishte kritikuar NATO-n, duke venë në dyshim, sipas disa ekspertëve, angazhimin e plotë të tij si president dhe rrjedhimisht edhe atë të Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës perëndimore. Prandaj, ky takim në Bruksel, këtë javë, ishte me rëndësi për të siguruar aleatët mbi mbështetjen e vazhdueshme të Washingtonit për NATO-n. Por, përveç se siguroi aleatët për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s nga ana e Washingtonit, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes përsëriti gjithashtu edhe qëndrimin e administratës Trump, se vendet anëtare të NATO-s, të cilat përfitojnë nga mbrojtja më e mirë që ekziston në botë, duhet të japin kontributin proporcional për shpenzimet, në mbrojtje të lirisë dhe të demokracisë në vendet anëtare. Ai u citua të ketë thënë se, “Nuk duhet të harrojmë kurrë, se më në fund është liria, ajo që ne mbrojmë, si anëtarë të NATO-s”. Ai shtoi, se kishte në plan të zhvillonte një bisedë të hapët dhe të sinqertë me miqtë dhe me aleatët mbi të ardhmen e aleancës dhe në lidhje me nivelin e angazhimeve të vendeve anëtare të NATO-s ndaj sigurisë së përbashkët.
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, citohet të ketë thënë se, Aleanca Perëndimore sot përballet me “Sfidat më komplekse dhe më të vështira në një gjeneratë”, dhe se këto sfida, sipas tij, nuk mund të zgjidhen pa angazhimin dhe bashkëpunimin midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se drejt këtij qëllimi, “Mirëpret angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj lidhjeve transatlantike”.
Ndonëse, nga një anë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhim Mattis i siguroi aleatët për mbështetjen e Washingtonit ndaj aleancës, ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve anëtare që, në qoftë se dëshirojnë vazhdimin e angazhimit amerikan në mbështetje të NATO-s, ato duhet të përmbushin detyrimet e tyre financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e përbashkët. Ai shtoi, se me angazhimin e të gjithë vendeve anëtare, NATO do të vazhdojë të jetë “një forcë e vlefshme, e nevojshme dhe konstruktive”, ashtu siç e kishte cilësuar dikur Presidenti Eisenhower.
Ai përmendi sfidat e sigurisë ndaj vendeve anëtare të NATO-s, duke theksuar se “Vendet tona përballen me kërcënime në shumë fronte, në periferi të NATO-s dhe më tej. Ne duhet të veprojmë në interes të stabilitetit tonë demokratik”, duke shtuar, se lidhjet e ngushta transatlantike, “janë jetike për të luftuar ekstremizmin islamik, për të bllokuar përpjekjet e Rusisë që kanë për qëllim dobësimin e demokracive tona dhe për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe Kinës”, ka thënë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në takimin e NATO-s në Bruksel. 
Gjatë takimit të NATO-s, Sekretari Mattis foli në veçanti edhe për marrëdhëniet me Moskën duke thënë se, “Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleanca e NATO-s po përpiqen të angazhohen për marrëdhënie më të mira me Moskën, njëkohësisht, ne duhet të mbrohemi, në qoftë se Rusia vendos të veprojë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”. Ndonëse jemi të gatshëm të mbajmë hapur mundësitë për dialog, për bashkëpunim dhe për uljen e tensioneve, ne, shtoi ai, “Nuk do të heqim dorë nga vlerat e aleancës sonë”, por do i mbrojmë.  
Një pjesë të fjalimit ia kushtoi financave dhe detyrimeve të vendeve anëtare për përmbushjen e përgjegjësive ndaj sigurisë së përbashkët. Taksa-paguesit amerikanë, shtoi ai, “Nuk duhet të paguajnë shumën disproporcionale në mbrojtje të vlerave perëndimore”, duke theksuar se, “Amerikanët nuk mund të kujdesen më shumë, se ju për sigurinë e fëmijëve tuaj në të ardhmen. Mospërfillja e gatishmërisë ushtarake, provon një mungesë respekti për veten tonë, për aleancën dhe për liritë që kemi trashëguar, por, të cilat tani është e qartë, se po kërcënohen”, u shpreh Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në ministerialin e NATO-s në Bruksel. 
Është e vërtetë, se gjatë fushatës për president, ishte Donald Trump ai që u kërkoi vendeve aleate të jepnin kontributin e tyre, ose dy për qindëshin, në barrën për ndarjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes të NATO-s, por kjo nuk është një kërkesë e re nga Shtetet e Bashkuara, pasi është bërë edhe nga presidentët e mëparshëm dhe anëtarët e Kongresit. Administrata e re amerikane e konsideron këtë si një kërkesë të drejtë, nga e cila siç duket nuk do të heqë dorë, pasi me anëtarësimin e tyre në NATO, të gjitha vendet anëtare të saj janë zotuar, se do të paguajnë 2 për qindëshin e prodhimit të brendshëm, si pjesë e përgjegjësive që rrjedhin nga anëtarësimi. Shtetet e Bashkuara tani paguajnë rreth 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s. Sekretari amerikan Mattis u tha kolegëve të tij aleatë, se duke përmbushur detyrimet ndaj aleancës, “Kombet tona provojnë, se lidhjet transatlantike, mbrojtja e vlerave dhe lirive tona, janë diçka që ia vlen të mbrohen”, nga të gjithë. 
Në takimin e Brukselit, të ministrave të mbrojtjes të aleancës NATO, mori pjesë edhe Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, e cila sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, u tha kolegëve, se vendi i saj, “Mbetet i angazhuar të materializojë angazhimet e marra, për një përqasje gjithëpërfshirëse në NATO mbi mbrojtjen e aleatëve. Ministrja e Mbrojtjes theksoi, se Shqipëria i jep një rëndësi të veçantë dhe mirëpret diskutimin mbi rreziqet dhe sfidat që burojnë nga jugu i Aleancës”, thuhet në njoftimin dhe nënvizohet, se ajo bëri thirrje që aleanca, të mos e harrojë Ballkanin Perëndimor, duke shprehur se, “Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, janë një tregues i brishtësisë së rajonit. Gjithashtu, sipas saj, kjo gjendje po krijohet dhe nga lëvizjet dhe retorika provokuese e Serbisë, si dhe roli destruktiv i aktorëve të tjerë të jashtëm në rajon”.
Takimi i Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes Xhim Mattis me kolegët e tij të vendeve anëtare të NATO-s, përveç se rithkesoi vendosmërinë absolute të mbështetjes amerikane për NATO-n, shpresohet të ketë shërbyer, gjithashtu si një rast për të shpjeguar deklaratat – shpesh konfuze – të Donald Trump mbi aleancën perëndimore dhe mbi lidhjet amerikano-evropiane, gjatë fushatës presidenciale. Duket se në të njëjtën frymë, është nisur drejt Brukselit një delegacion i Kongresit amerikan, i kryesuar nga Senatori republikan John McCain, për t’u takuar të premten me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në Kryeqendrën e aleancës perëndimore. Kongresi amerikan ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës së jashtme. Për më tepër, sipas një njoftimi të NATO-s për median, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Stoltenberg do të presë të hënën më 20 shkurt – në Kryeqendrën e saj në Bruksel – Zëvendës Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara, Mike Pence. Dihet se qëndrimet e Donald Trump mbi politikën e jashtme gjatë fushatës, dukeshin si një largim nga politika tradicionale republikane mbi lidhjet e forta dhe të ngushta, të kultivuara gjatë dekadave, midis Amerikës dhe Evropës. 
Përveç takimeve në Bruksel, Zëvendës Presidenti amerikan do të marrë pjesë gjithashtu edhe në Konferencën e Sigurisë në Munich të shtunën, ku sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë – që citohet nga agjencia e lajmeve Reuters — Zëvendës Presidenti amerikan do të sigurojë udhëheqësit evropianë, se nga pikëpamja e Washingtonit, Evropa është një “partner i pa zëvendësueshëm” për Shtetet e Bashkuara dhe, se “Së bashku jemi më të sigurt dhe më të begatë, kur Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të forta dhe të bashkuara”, citohet të ketë thënë zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. 
Sigal