Opinion/ Enver Cakaj: Klasa pa mësues, mësues pa klasa

1016
Nga Enver CAKAJ
Nuk e di a u ka rastisur të shkoni ndonjëherë nga oborret e shkollave? Mos e provoni se do të tmerroheni. Jashtë gardhit qëndron një klasë pa mësues e pa prindër. Ata qëndrojnë atje derisa mbaron mësimi dhe ikin në shtëpi. Çfarë bëjnë gjithë ditën jashtë gardhit? Pinë duhan, pinë drogë, ngacmojnë vajzat. Nuk është kujtuar asnjë prind të shkojë e të takojë ndonjë mësues për mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre. Disa prindër nuk e dinë në ç’klasë i kanë. Por më e keqja është se përpara kësaj klase pa mësues kalojnë disa mësues dhe asnjë nuk u thotë një fjalë për të shkuar në shkollë. Ky indiferentizëm flet për pasoja të rënda në arsim. Po rritim një brez të keq. Po a e dini, se këta nxënës pa mësues, i kalojnë të gjitha klasat dhe zënë vendet më të mira të punës? Janë fëmijët e partiakëve dhe vijnë e të tundin diplomën e shkollës, kur janë masat pa shkëndija. 
Na ka marrë malli për një mësues. Ku ta gjejmë atë brez mësuesish, që i përkasin brezit të korrektësisë e pasionit? Ajo nxënësja e fshatit Munushtir, ku kishte mesues çiftin Pëllumb e Afërdita Prespa, nuk e harron as sot që është bërë nënë, atë skemë, kur u kyç brenda shtëpisë për të mos vajtur në shkollë. U çudit, kur mësuesi Pëllumb Prespa shpërtheu derën dhe e ktheu vajzën në mësim. Pëllumb Prespa nuk jeton më, po në Tomoricë, Vërzhezhë e Munushtir ku shërbeu, e kanë ende mes tyre. Po jetojmë një situatë tepër të vështirë, ku ka humbur kultura qytetare dhe dashuria për njëri-tjetrin. Ku po vemë kështu? I ndjeri Kahreman Ylli, në një takim me mësuesit e Çorovodës u tha:”A e dini kush është mësues i mirë? Nëse ju zhvilloni mësim në klasë, jashtë bëhet një koncert dhe nxënësit nuk shikojnë nga koncerti, por nga mësuesi. Nëse nxënësit shikojnë nga dritarja kur ju shpjegoni mësimin, duhet të largoheni nga klasa, se nxënësit nuk i keni në klasë. ”
Fatkeqësisht na është prishur fronti kryesor i edukimit, familja. Pavarësia e fëmijëve është kuptuar së prapthi dhe na ka sjellë kundërshtinë ndaj prindërve. Fëmijët, edhe pse i kanë mbaruar shkollat me paratë e prindërve, nuk pranojnë asnjë lloj pune, sepse kërkojnë punë në “profesionin” e tyre, kur nga shkolla kanë dalë uzo. Madje kërkojnë dhe makina, që të kapardisen, kur prindërit mezi nxjerrin muajin me ato paga që marrin. Tani na kanë mësuar një shprehje të çuditshme. U thonë prindërve: “Përse na bëtë, tani na mbani!”Dhe gjithë ditën rrinë lokaleve me lekët e prindërve. Të shkretët prindër u mungon autoriteti për t’i edukuar dhe ndodhen përpara kësaj gjendje. Por dhe fronti i dytë, shkolla, e ka humbur funksionin e edukimit. Shumica e mësuesve nuk luajnë nga teksti sikur të bëhet qameti. Po të jeni të ngeshëm shkoni nëpër oborret e shkollave kur bëhet pushimi i gjatë. Oborret janë të pastër, por sa dalin nxënësit e mbushin me mbeturina, kur koshat nuk mungojnë. Këtë e shikojnë të gjithë mësuesit dhe drejtorët, por nuk guxon njeri t’u thotë nxënësve të kthehen e t’i mbledhin, ose t’u thonë të mos hedhin sende në tokë. Të lejosh hedhjen e mbeturinave në oborret e shkollave apo në rrugë, tregon edukatën edhe të prindërve, edhe të mësuesve. 
Na na vjen mirë kur shikojmë, që ka mbetur ende ndonjë mësues i vërtetë, që ka, por dhe jep edukatë tek nxënësit. Mësuesi i papërsëritshëm Sadik Xhaferi jep mësim në shkollën 9-vjeçare “Zylyftar Veleshnja” në Çorovodë. Në klasën e tij bëhet mësim, sepse atij nuk i mungon kultura pedagogjike dhe i ka bërë nxënësit si shokë. Po Sadikun e shikon gjithmonë me libra në duar. Para se të futet në orën e mësimit, futet në bibliotekën e tij të pasur dhe u sjell nxënësve detaje më shumë se teksti i shkollës. Nxënësit nuk kanë ndjenjën e frikës, por të respektit për të. Ka vite që ka ikur në Itali një ish-nxënëse e tij, por edhe pse brenda ditës ai i kishte vënë notën katër dhe dhjetë, e merr në FB. dhe e falënderon për vlerësimin dhe respektin që ka prej tij. Një nxënëse e gjimnazit të Çorovodës , Anxhela Demko, sa herë del nga shkolla shkon e takon Sadikun në shenjë respekti. Fatmirësisht ka ende mësues, që janë edukatorë të vërtetë. Dy nxënës së klasës së dytë në Çorovodë, Ardis Mustafaraj dhe Paolo Caka, një herë në javët, kur dalin nga mësimi, shkojnë dhe takojnë edukatoren e kopshtit, Lume Sinani. A ka më kënaqësi kur vijnë e të takojnë ata që ke edukuar në vite? Kur do të kemi mesues në masë, që të shpërndajnë edukatë tek nxënësit dhe t’i kenë ata shokë? Është e çuditshme, se qëkur është ndaluar dhuna ndaj nxënësve në shkollë, ndonjë mësues dyf deri, në vend që të përpiqet për të gjetur metoda bindëse ndaj ndonjë nxënësi të pasjellshëm, sajon fjalë fyese. Na thoshte një ditë një nxënës: “O xhaxhi ç’domethënë fjala tum dhe rrush?”Kur i thamë se nuk do të thoshte asgjë, ai na tha: “Pa lexojini mbrapsht. ”
Në vitin 1945, në një shkresë që i dërgohej fshatit Backë në Skrapar, shkruhej: “Po u dërgojmë mësuesin e shtetit. ” Çfarë mbajnë brenda këto katër fjalë? Mësuesi i shtetit lipset të përgatitet e të japë mësim shtetërisht, sepse për atë paguhet. Mësues do të thotë edukator, që mëson të tjerët. Të mos harrojnë se fronti i punës së tyre janë nxënësit, siç janë të sëmurët për mjekët. Por. Fatkeqësisht, shumica e mësuesve harrojnë që paguhen për të punuar, jo për të plotësuar orët e mësimit. Si mund ta quash mësues një që ngrihet e raporton, se të gjithë nxënësit e lëndës sime janë zero!? Po mësuesi ku e fut veten mes këtyre zerove?Çfarë mund të edukojnë mësues, që e mbushin klasën me aromë rakije dhe të trembin kur i shikon? Mësuesi edukon edhe me paraqitjen e tij. Përse nuk ka përpjekje për ta përsosur orën e mësimit nga disa mësues? Në rrethet e vogla, si Skrapari, nuk ka mësues dhe këta që janë nuk kanë frikë se i heqin. Këtë e provuam një ditë, kur në një shkollë të Çorovodës vajti një inspektim nga Berati. Kur i thanë një mësueseje, se po vjen kontrolli, u përgjigj qetësisht: “Le të vijë kush të dojë, mësues për lëndën time vetëm unë jam dhe nuk më heqin dot, sido që të më gjejnë!”