Olta TOTONI / A DO TË DIVORCOHET SKOCIA NGA MBRETËRIA E BASHKUAR?

314

Ndër shekuj, Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe është një superfuqi botërore. Një bashkim i katër shteteve, që pavarësisht nga traditat dhe zakonet kanë ngjashmëri dhe dallime të konsiderueshme. Kohët e fundit është diskutuar gjatë për një vendim që skocezët do të marrin shumë shpejt.

A do të divorcohen skocezët nga Mbretëria e Bashkuar? Kjo heshtje është karakterizuar  si një “betejë” sa psikologjike aq dhe politike, një tsunam i paparashikueshëm që ka mbërritur në derë të britanikëve. Le të rikujtojmë divorcin midis Republikës Çeke dhe Sllovakisë. Shkëputja midis këtyre dy shteteve kërkoi traktate dhe marrëveshje të shumta ligjore dhe nuk ishte aq e thjeshtë për tu bërë. Cilat do të ishin pasojat e një divorci?

Mbretëria e Bashkuar karakterizohet nga nacionalizmi dhe fanatizmi i theksuar për të ruajtur vlerat dhe traditat e saj. Një shkëputje e Skocisë do të thoshte jo vetëm ndryshim në planin financiar, politik dhe kombëtar, por, dhe në atë kulturor dhe ndërkombëtar.

Disa besojnë se ky divorc nga Mbretëria e Bashkuar do të thoshte më shumë zhvillim dhe mirëqenie për Skocinë e pavarur. Sipas tyre Skocia ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e saj. Disa skeptikë mendojnë se Skocia dhe pjesa tjetër e shteteve të Mbretërisë së Bashkuar duhet të qëndrojnë së bashku sepse ato janë copëza që nuk mund të kuptohen pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e njëra-tjetrës. Ndërsa pjesa tjetër e njerëzve është neutrale. Ata theksojnë lidhjen e pandashme ekonomike që ka Skocia dhe Anglia. Ajo që mbetet fakt është që brenda 5 vjetëve skocezët do të zhvillojnë një referendum ku do të votojnë për pavarësinë e tyre nga Mbretëria e Bashkuar.

Divorci i lajmëruar, por ende jo i faktuar i skocezëve, është shndërruar në një diskutim të rëndësishëm për të dyja palët. Si në një divorc të vërtetë, të dyja palët nuk janë pyetur për divorcin e tyre. Vetëm Skocisë i është dhënë e drejta për të pasur mundësinë e zgjedhjes. Kur zhvillohet një divorc të dyja palët realizojnë seancën e pajtimit dhe kur nuk ka më asnjë alternativë për pajtim ato divorcohen. Në këtë rast, Anglia nuk e ka dhënë versionin e saj. Ekspertët mendojnë se i takon edhe asaj të zgjedhë n.q.s do të vazhdojë bashkëjetesën me Skocinë apo jo. Do të ishte më mirëdashëse dhe e drejtë në qoftë se do të ndodhte kështu.

Ndërthurja dhe gërshetimi i aspekteve jetësore dhe kulturore është i paevitueshëm sepse Anglia dhe Skocia kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë. Kjo çështje për të dyja palët  është një sfidë shumë e madhe. Koncepti i të qenit britanik ka mbizotëruar dhe me kalimin e kohës kjo tendencë është përforcuar. Por dhe koncepti i të qenit skocez është fuqizuar. Për shembull kilt-i është një veshje tipike tradicionale skoceze dhe që përdorej nga njerëz të caktuar. Në ditët e sotme kjo veshje është popullarizuar dhe është bërë një formë për shprehjen e identitetit skocez.

Divorci i Skocisë nga Mbretërisë së Bashkuar është trajtuar dhe si një formë ballkanizimi, i cili nuk sjell asnjë lloj zgjidhje për të dyja palët. Kjo do të thotë se Skocia do të përjetojë atë që Kosova dhe shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë patën si eksperiencë.

Divorci mund të shkaktojë turbulencë fizike, por dhe emocionale. Divorci ka një datë të përcaktuar dhe duhet të konsiderohet kjo datë gjithmonë në qoftë se ndodh në mënyrë që mos të faturohet një dëm financiar për të dyja palët.

Shumë pyetje janë ngritur për faktin se si do të veprojë Skocia pasi të shkëputet nga Mbretëria e Bashkuar. Si do të sillet ajo në arenën ndërkombëtare? Të gjithë jemi në dijeni për ngurrimin që ka pasur Britania për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por dhe fanatizmi me të cilin ajo ka ruajtur monedhën vendase nga ndikimi i Euros. Në këtë aspekt sërish kemi një dyzim të ndjesive. Disa individë mendojnë se Skocia dhe n.q.s bëhet e pavarur nuk do të shkëputet nga Paundi britanik dhe mendon për një të ardhme të parashikueshme për veten e saj. Disa të tjerë mendojnë se Skocia mund t’i bashkohet euros dhe Eurozonës për arsye se kjo e fundit ka krijuar stabilitet së fundmi. Pyetje të tjera që kërkojnë përgjigje janë ato në lidhje me normat bankare, pagesat e pensioneve, mbrojtjen e Skocisë, shpenzimet e shkëputjes dhe anëtarësinë në organizatat ndërkombëtare por edhe e ardhmja e monarkisë në Skoci. Një mjegull pasigurie dhe kurioziteti ka mbështjellë identitetin britaniko-skocez. Mesa duket Skocia mund të kërkojë ose jo të njohë të panjohurën, por dhe nuk mund ta dijë se ku do ta çojë e panjohura. A ka ardhur koha që Skocia të qëndrojë me këmbët e saj? Koha dhe faktet do ta tregojnë…