Normaliteti dhe negociata të kërcënuara nga injoranca dhe kapardisja politike

69
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Protesta e banorëve të Kukësit nuk është pasojë e ngjarjeve të momentit dhe nuk ka ardhur nga dëshira e banorëve për të dalë në rrugë e për të ndërmarrë akte antiligjore në drejtim të pronës dhe të uniformave të policisë. Përkundrazi, baza e protestës ka kohë që është formësuar dhe trashur për shkak të varfërisë në rritje që buron nga injoranca, nga konspiracioni dhe nga arroganca politike dhe administrative. Krahinat e Kukësit dhe më gjerë, nuk janë të varfra dhe nuk po shpopullohen dhe degradojnë për shkaqe natyrore por për shkaqe politike që lidhen me mungesën e dëgjesës dhe të përfaqësimit, me korrupsionin dhe krimin në rritje e që ka gllabëruar punësimin, investimet, projektet zhvillimore dhe burimet natyrore. 

Në lidhje me pasojat e verbërisë, injorancës dhe kapardisjes politike e shtetërore, shkrimtari ynë Ismail Kadare (Paris, 1999), ka shkruar: “Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: Si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë”. Këto fjalë, duket se janë më aktuale se kurrë sepse politika dhe administrata e shtetit tonë, përpara se të ndërmarrin veprime të nxituara mbi bizneset, elitat dhe protestuesit e Kukësit dhe të gjithë Shqipërisë, duhet të analizojë e të nxjerrë përgjegjësin në lidhje me grykësinë, shurdhërinë, dezinformimin dhe verbërinë e institucioneve dhe të zyrtarëve abuzues e mediokër. Gjatë këtyre 28 viteve, sidomos nga viti 2009 e deri më sot, popullsia e Kukësit dhe e gjithë Shqipërisë, pavarësisht nga pasuritë natyrore dhe nga demagogjia për reforma dhe rritje ekonomike, duket se është bërë gjithnjë e më i varfër, më e pasigurt, më e stresuar, më mosbesuese dhe më i revoltuar ndaj politikës dhe administratës militanteske dhe të korruptuar. Kësaj situate i ka kontribuar edhe përkeqësimi i vazhdueshëm i përfaqësimit, strukturës dhe kapaciteteve të administratës shtetërore, duke filluar nga specialisti i fundit i ndihmës ekonomike në Kukës e deri tek kryeministri ynë, që mësa duket, në vend të vetëkontrollit dhe vetëkorrigjimit ka zgjedhur rrugën e gabuar të etiketimeve dhe të konfrontimit me qytetarët. Mendojmë se është zgjedhur rruga e gabuar për faktin se, në vend që të bëhej një analizë e mençur e shkaqeve dhe shkaktarëve të situatës, duket se është kaluar në etiketime, fajësime dhe demagogji fyese dhe irituese. Në vend që të analizohej paaftësia dhe veprimtaria dezinformuese e ministrave dhe administratës që ka vepruar me mungesë të ligjshmërisë, të profesionalizmit, të transparencës dhe të bashkëpunimit, u kalua në një sjellje dhunuese dhe fyese për ata që reaguan, që folën e që kundërshtojnë prej vitesh abuzivizmin ekonomik ndaj tyre. Në vend që të bëhej analizë për pushtetarët, administratorët dhe ekspert “gjilpërat” që kanë dezinformuar mbi investimet, koncesionet, situatën ekonomike dhe taksat, u kalua në përfundime dhe etiketime të nxituara e të gabuara duke i quajtur protestuesit e varfër e të painformuar “vandal”. Me këtë rast duket se është shpikur edhe një fjalë e re kur ata që reaguan të vendosur u quajtën “rrugëhumbur”. Sipas kësaj logjike, të heshturit, të shushaturit, gojëkyçurit, servilët, injorantët, përçarësit dhe abuzuesit me studimet, me taksat, me investimet dhe me projektet janë ata që duhen quajtur “rrugëgjetur”. Në vitet 2012-2013, kryeministri ynë, me shumë të drejtë fliste çdo ditë për katastrofën e shkaktuar nga fiktiviteti dhe militantizmi i administratës. Si për ironi të fatit, me të ardhur në krye të pushtetit, fiktiviteti dhe militantizmi u kthyen në një model rrënues për investimet dhe ekonominë, ndërsa administrata degradoj në arrogancë, injorancë, nepotizëm, në korrupsion dhe në krahinizëm të paparë e të pa imagjinuar ndonjëherë. Protesta e 31 Marsit dhe ngjarjet që rrodhen pas sajë, e dëshmojnë më së miri këtë të keqe të madhe që ka pllakosur në të gjithë vendin. Këtë falsitet dhe mungesë përgjegjësie e dëshmon edhe teksti “plagjiaturë-kopi/pest” i kontratës së koncesionit ku ka absurditete e gafa në pjesën ku flitet për punime në një rrugë të ndërtuar afër detit e jo për rrugën në Luginën e Fanit rreth 80 km larg Detit Adriatik. Këtë realitet absurd e ka dëshmuar dhe po e dëshmon çdo ditë arrogance e pajustifikuar si dhe verbëria dhe shurdhëria administrative dhe politike ndajë ankesave, opsioneve, oponencës dhe zërit të grupeve të interesit, përfshirë këtu edhe banorët dhe bizneset e Kukësit dhe të Kosovës. Injoranca, mungesa e vizionit dhe kapardisja politike dhe administrative shkon deri në atë pikë sa askush nuk bëri analizë konkrete dhe nuk mendoj as për pasojat traut të izolimit në turizmin dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës. Grykësia solli ngutje dhe huti deri në atë pikë sa u fillua menjëherë me vjeljen e taksës antiligjore pa pasur asnjë tarifë dhe skemë të diskutuar e të pranuar dhe pa bërë asnjë test apo sqarim për mënyrën e operimit me mjetet dhe përdoruesit e përditshëm të rrugës. Kjo grykësi, verbëri dhe shurdhëri politike dhe administrative, duket se u shfaq në formën apo trajtën më të ulët që ka të bëjë me mosvëmendjen shtetërore dhe politike ndaj realitetit nga ku lindi edhe vendosja me të shpejtë e traut të panevojshëm të izolimit dhe varfërimit të mëtejshëm të njërit prej rajoneve më të varfra e më të shpopulluara të vendit. Për më tepër, trau i paligjshëm është vendosur në një pozicion gjeografik ku pamundësohet rruga dhe lëvizja alternative mjeteve dhe qytetarëve. Kjo pengesë e panevojshme është projektuar dhe ndërtuar me ligësi, trau nuk i shërben interesave tona ekonomike, politike as kombëtare. Përkundrazi duket sikur është ndërtuar kastën për të gjobitur, vështirësuar dhe përkeqësuar biznesin, bashkëpunimin dhe komunikimin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Injoranca, arroganca dhe kapardisja politike dhe administrative shkon deri aty sa, në vend që të bëhej analiza e përgjegjësive të abuzivizmit të onturazhit politik dhe administrativ, u kalua në veprime antiligjore dhe irituese që shkuan deri në keqpërdorimin politik të policisë së shtetit e cila shkoj për të arrestuar protestuesit natën dhe pa një analizë apo studim të hollësishëm të fakteve dhe personazheve të tyre. Në këtë mënyrë, duket se kemi bërë shumë hapa prapa për faktin se njerëzit nuk e kanë harruar akoma kohën kur çakejtë e ish sigurimit të shtetit turreshin mbi qytetarët duke i arrestuar dhe internuar natën dhe pa asnjë argument apo informacion për familjarët e tyre. Kjo sjellje shtetërore dhe politike tregon më së miri faktin se kush është rrugëhumburi dhe kush është rrugëgjeturi?. Kjo protestë tregoj faktin se kush janë vandalët, hajdutët, injorantët dhe mashtruesit e vërtetë. Kjo sjellje inatçore tregoi edhe faktin se, kush janë të urtit dhe kush janë gojëprishurit, si dhe kush janë dashamirësit e vërtetë të ligjit e të shtetit dhe kush janë abuzuesit dhe të korruptuarit e tij.