Nonda Buxhuku/ Jo rritjes së moshës së pensionit

521
Sigal

Ditët e fundit shohim të përflitet për rritjen e moshës së pensionit, për burrat; nga 65 vjeç, që është sot, në 66 vjeç dhe për gratë; nga 60 vjeç, në 65 vjeç. Arsyeja: Të kursehet sa mund, të kursehet në fondin e buxhetit të sigurimeve shoqërore. Kjo është një ndër rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të siguruar kursime, apo rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit? FMN-ja mendon, gjithashtu, të mos rriten rrogat e pensionit, të rritet tarifa (çmimi) e energjisë elektrike, të rriten taksat etj.. Duke i analizuar me kujdes këto rekomandime, dalim në dy përfundime: Së pari, këto janë masa nga më të lehtat që mund të merren. Pra, që të rritësh moshën e pensionit, mos të rritësh pagat e sidomos pensionet, të rritësh taksat apo çmimin e energjisë elektrike. Dhe së dyti, të gjitha këto masa në merren, rëndojnë në radhë të parë në kurriz të moshës së tretë dhe shtresave të tjera të varfra në nevojë. Po, përpuqen këto masa me programin e Partisë Socialiste? Le t’i analizojmë, qoftë dhe shkurtimisht, këto rekomandime apo masa që mund të merren nga qeverisja e sotme. Mosha për pension sot, për burrat 65 dhe për gratë 60 vjeç, mendoj se është në kufijtë më optimalë. Edhe vendet më të zhvilluara në Europë, me ndonjë përjashtim, moshën e daljes në pension e kanë në këto kufij ose edhe më të ulët se tek ne, ku gratë tona punojnë më shumë. Ato, përveç bujqësisë në fshat, punojnë si shitëse, kamariere, natyrisht edhe në mensë etj.. Të rritësh moshën e tyre 5 vjet për të dalë në pension, do të ishte një veprim i nxituar. Gruaja jonë vazhdon të mbajë akoma peshën më të madhe dhe më lodhëse. Ajo, përveç punës në shtet ose privat, mban edhe peshën më të madhe të punëve të shtëpisë, madje përkujdesen edhe për nipërit e mbesat. Por, hajde të imagjinojmë një shitëse, kameriere, mësuese me 30-40 nxënës në shkollë në moshën 65 vjeçare. Shumica e kërkesave për punë janë për moshat e reja, bile në mjaft raste i duan edhe të paraqitshme. Po të moshuarit kush i pranon, apo i merr në punë? Është e vërtetë që buxheti i sigurimeve shoqërore është deficitor. Me të ardhurat nga kontributet e të siguruarve nuk mbulohen shpenzimet për pensione dhe pagesat e tjera që kryhen, në bazë të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Një pjesë të mirë të shpenzimeve e subvencionon buxheti i shtetit. Raporti midis të punësuarve që kontribuojnë dhe pensioneve është 1.2 me 1, pra, shumë i ulët. Prandaj, që këtej duhet menduar e filluar puna, dhe jo nga rritja e moshës për pension. Dhe kjo zgjidhet, në radhë të parë, me hapjen e vendeve të punës që rrit kontribuuesit. Del, pra, në radhë të parë, ekonomia, rritja e zhvillimi i saj. Me investitorë vendas dhe të huaj; në bujqësi, industri, turizëm, energjetikë, industrinë minerale etj.. Një tjetër rezervë për rritjen e kontribuuesve janë dhe të punësuarit e pasiguruar. Le të merret një aksion-kontrolli, qoftë vetëm në tregun social dhe në ndërtim dhe do të rezultojë që janë me qindra dhe mijëra punëtorë që nga halli kanë pranuar të punësohen pa u siguruar. Dhe në fund, për këtë çështje, më mirë të rritet masa e kontribuuesve se sa të rritet mosha e pensionit. Duhet më shumë humanizëm e kujdes për moshën e tretë. Dihet se mirëqenia vjen kryesisht nga dy faktorë: Së pari, nga rritja e të ardhurave (për të punësuarit e pensionistët), nga rritja e pagave dhe pensionet (në kushtet kur çmimet nuk ndryshojnë) dhe së dyti, nga ulja e çmimeve të mallrave të konsumit. Tani lind pyetja. Për pensionistët dhe shtresat e tjera të varfra është më mirë të ulen çmimet (nëpërmjet uljes së TVSH-së për shportën e mallrave të konsumit), siç përflitet, apo të rriten pensionet dhe pagesat për ndihmë ekonomike? Kam mendimin se ulja e TVSH-së do të çojë në uljen e çmimeve, përveç ngatërresave që do të sjellë në treg (me mallrat e vendit e të importit), nga kjo masë më shumë do të përfitojnë ata që kanë të ardhura më të mëdha se sa ata që të ardhurat i kanë të kufizuara. Përfitimet që parashikohen të vijnë për efekt të uljes së TVSH-së për shportën e mallrave, është mirë të kalojnë në rritjen e pensioneve dhe pagesat për ndihmën ekonomike. Pra, të jepen para në dorë dhe përfituesit e dinë vetë, ku i përdorin to. Kjo do të shënonte dhe atë që është bërë tradicionale çdo vit, rritja e pensioneve. Me ulje çmimesh në ekonominë e tregut nuk ka bindje të plotë e të sigurt. Në përfundim, do të thoja që rekomandimet e FMN-së nuk më duken racionale. Duhet patur shumë kujdes për çdo masë që do të merret, duke theksuar, përsëri, se buxheti i sigurimeve shoqërore dhe ky i shtetit rritet duke rritur e zhvilluar ekonominë dhe jo me masa anësore, të çastit dhe më të lehta, por që nuk sjellin ndryshime cilësore apo përfitime në vazhdimësi, përveçse probleme me pasoja negative shoqërore.