Noka – Burgaj dhe militantët e fushatës elektorale

560
Sigal

Kur duhen edhe shtatë muaj që të nisë fushata elektorale e zgjedhjeve të 2013-ës , Ministria e Brendshme nëpërmjet vulës që mban firmën e Hysni Burgajt ka nisur përgatitjet për aksionin e mbledhjes së votave në pranverën e 2013-ës. Emërimet e të besuarve të dyshes Noka-Burgaj (njëri nga Kukësi e tjetri nga Malësia e Madhe) përbejnë një ogur të zi për zgjedhjet që vijnë. Do të ishte mirë që Drejtori i Policisë  së Shtetit të merrej me zbulimin e ngjarjeve që kanë tronditur vendin gjatë kohës që ai është në postin më të lartë të mbrojtësit të rendit dhe qytetarëve, si dhe ato që i kanë lënë pa zbuluar pasardhësit e tij. Vetë zoti Burgaj duhet të ulet këmbëkryq në komisariate dhe të vëzhgojë se si punonjësit e tij nuk marrin kallëzime për ngjarjet, pasi i rritë përqindjen e kriminalitetit në statistikat e tij. Të gjejë dhe zbulojë grabitësit e kambistit, të cilit për pak i morën jetën dhe përfundoi në spital, vetëm para 2 muajsh në mes të Tiranës tek Libri Universitar, 100 metra larg Presidencës së Republikës. Ku janë filmimet që ka marrë policia dhe shenjat e gishtave? Përse mbahen të fshehta dhe kalohet në heshtje ky akt kriminal? Dy janë rrugët ose janë të paaftë ose janë bashkëpunëtorë të krimit dhe ndajnë paratë bashkë. Këtë le të gjejë dhe me këtë të merret z.Burgaj. Ka dhe plot ngjarje skandaloze si ajo e gjyqtarit, aksidenteve në mes të bllokut, ku makina futet në farmaci nga shpejtësia , apo ajo e para dy ditëve kur mori përpara lokalet e ish-Bllokut. Le të zgjohet nga gjumi policia e Drejtorit të Policisë së Shtetit kur sheh se makinat përfundojnë në Lanë, përplasen nga tre a katër para Korpusit të Universitetit si dhe garat me motor nga drejtues të tymosur nga hashashi në lagjen “Ali Demi” dhe Rr. I.Dollaku vetëm 20 metra larg burgut, të cilët fshihen pas ngjarjeve në cepat e pallateve. Krimi s’po pyet dhe po merren zvarrë në bulevardet e Tiranës policët hallexhinj që dalin për të bërë detyrën,  kurse Drejtor Hysniu hesht se kriminelët me makina luksoze, e xhama të zinj mbrohen nga agallarët e policisë. Ka edhe të tjera si këto, por i përmendëm për të treguar se këto janë hallet dhe shqetësimet e vërteta të qytetarëve dhe jo emërimet politike e partiake për votën elektorale që  ju na shpallni në prag të zgjedhjeve të 2013-ës