Nobelistja gjermane ua thotë troç serbëve në Beograd

670
Nga Frank SHKRELI
Në fillim të tetorit, kam shkruar një artikull modest, ndërsa shpreha disa mendime ndaj mos reagimit zyrtar evropian, me atë rast, për deklaratat lavdëruese të Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë për ish-gjeneralin serb Vladimir Lazareviç, ish-kriminelin e luftës, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë. Duket se lëvdatat e Ministrit serb të Mbrojtjes për kriminelin Lazareviç javën e parë të tetorit, paskan qenë vetëm një njoftim paraprak për të përgatitur opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar për emërimin e të dënuarit për krime lufte, ish-gjeneralit Lazareviç, në Akademinë Ushtarake të Serbisë disa ditë më parë. Më në fund, ndaj këtij emërimi në krye të Akademisë Ushtarake Serbe të një personi të dënuar për krime lufte, reagoi edhe Brukseli zyrtar nëpërmjet zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç. Megjithëse i mirëpritur, reagimi zyrtar evropian, duke kritikuar emërimin e ish-kriminelit serb të luftës në këtë post, ishte i vonuar dhe tepër i butë. Ky emërim tregon se serbët, jo vetëm që nuk janë penduar për krimet e tyre në Kosovë dhe gjetkë, por ata as nuk kanë hequr dorë nga nacionalizmi i egër i personave si ish-gjenerali Lazareviç, të cilët në emër të këtij nacionalizimi të prapambetur, kanë kryer krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit në Evropë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Por, fatbardhësisht, atë që nuk pranojnë serbët dhe që nuk ia tha Serbisë Brukseli zyrtar, me këtë rast as edhe më parë – për rolin e Serbisë në krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë dhe në Bosnje-Hercegovinë – ua tha troç, në surrat serbëve, disa ditë më parë, aty mu në mes të Beogradit, fituesja e Çmimit Nobel në letërsi, shkrimtarja gjermane, me origjinë nga Rumania, Herta Mueller. Mediat serbe dhe ndërkombëtare njoftuan se, një javë më parë, nobelistja Mueller ishte ftuar të merrte pjesë në një ekspozitë ndërkombëtare të librave në kryeqytetin serb, ku shfaqi mendimet e saj mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe mbi rolin e Serbisë si shkaktare e atyre luftërave. Sipas të dhënave në median serbe dhe të huaj, sidomos asaj gjermane, fituesja e Çmimit Nobel për Letërsi, Herta Mueller, shkaktoi kritika të ashpra ndaj saj nga të pranishmit në sallë dhe nga media e Beogradit. Në fjalimin e saj, në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në kryeqytetin serb, shkrimtarja Mueller citohet t’u ketë thënë sy për sy dhe drejtpërdrejt serbëve, se së bashku me Kishën Ortodokse serbe, ata si popull, mbajnë përgjegjësi kolektive për luftërat i viteve ’1990 në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë. Ajo irritoi edhe më shumë serbët në audiencë dhe jashtë takimit me deklaratën e saj me të cilën justifikoi sulmet ajrore të NATO-s kundër objektivave të Serbisë, pranverën e vitit 1999, për të parandaluar shpërnguljen me dhunë dhe masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe kundër popullsisë civile të shqiptarëve autoktonë të Kosovës. “Në qoftë se një vend është shkaktar i katër luftërave në një periudhë prej nëntë vitesh”, ka shkruar më herët shkrimtarja gjermane, “duke shndërruar qytetet në varreza, fjalët nuk mjaftojnë për të ndaluar masakra të tilla”. Se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e justifikuar, është shprehur ajo. Shkrimtarja gjermane tha në Beograd se nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me këtë çështje. Herta Mueller citohet të ketë thënë se, me luftërat e saj në ish-Jugosllavi, “Serbia i ka shkaktuar vetes shumë të këqija dhe se si pasojë, qytetarët e saj duhet të jetojnë me këto të vërteta”, për faktin se serbët i kanë shkaktuar vuajtje dhe mundime, vetes dhe të tjerëve, ka thënë në kryeqytetin serb nobelistja gjermane Mueller. “Shumë të këqija kanë ndodhur në Kosovë dhe në Bosnje, në emër të një nacionalizmi të tmerrshëm” dhe primitiv dhe se ka ardhur koha dhe është e nevojshme që populli serb të përballet me të vërtetën, ka nënvizuar ajo në Ekspozitën Ndërkombëtare të Librit në Beograd, disa ditë më parë. Ndonëse tani ajo jeton në Gjermani, Herta Mueller ka lindur dhe ka përjetuar përvoja të vështira në Rumaninë komuniste të Çausheskut, ajo u shpreh duke krahasuar gjendjen në Rumani në atë kohë me gjendjen në Serbi nën regjimin e Millosheviçit, se “Do të kishte qenë shumë e lumtur po të kishte ndërhyrë NAT0-ja në Rumani”, për të rrëzuar regjimin e Çausheskut, por nuk ndodhi një gjë e tillë”, tha ajo. Prandaj, si rrjedhim, “Rumunët u detyruan të luftonin njëri tjetrin për t’i dhënë fund njëherë e mirë regjimit komunist të diktatorit Nicolae Çausheskut.” E pyetur, nëse dhuna është një zgjidhje legjitime e konflikteve politike, nobelistja Mueller u përgjegj se, “Fjalët shkaktojnë konflikte. Nuk jam pacifiste. Por besoj se disa situata mund të zgjidhen me marrjen e disa masave të veçanta. Në luftë, njëra palë duhet të mund palën tjetër, kështu që mendoj se ndërhyrja ushtarake është një qëndrim dhe zgjidhje njerëzore dhe morale”, në raste të tilla të nevojshme, duke shtuar gjithashtu se njerëzve që sulmohen u duhet shkuar në ndihmë, sidomos në qoftë se ata nuk mund të mbrojnë vetveten. Serbët nuk janë mësuar të dëgjojnë fjalë të tilla të vërteta mbi të kaluarën e historisë së tyre, sidomos nga të huajt. Prandaj, fjalët e Z-njës Mueller shkaktuan kritika të ashpra nga të pranishmit, madje disa edhe u larguan në protestë nga salla ku po mbahej Ekspozita Ndërkombëtare e librit, ndërkohë që mediat serbe, në përgjithësi, i cilësuan deklaratat e nobelistes gjermane në Beograd si skandaloze. Por gazeta e njohur konservatore gjermane, “Die Welt” duke komentuar deklaratat e Nobelistes gjermane Mueller në kryeqytetin e Serbisë, u shpreh se serbët nuk janë përballur kurrë me të kaluarën e tyre dhe me krimet që janë bërë në emër të tyre. Kryeartikulli i gazetës prestigjioze gjermane “Die Welt”, i titulluar “Askush nuk flet për krimet”, akuzon nacionalistët serbë, se heshtja ndaj krimeve që janë bërë në emër të politikës, është pjesë e sistemit, ndërkohë që bën pyetjen se, si një qëndrim i tillë i Beogradit zyrtar sot mund të jetë në përputhje me drejtimin e ri pro-evropian të qeverisë së Beogradit. Ironia e historisë, theksohet në artikullin e gazetës gjermane “Die Welt”, është se propagandistët e Millosheviqit në Beograd, përfshirë edhe presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq, kishin deklaruar dikur se (me luftërat e saj gjatë viteve ’1990) Serbia po mbronte Evropën e krishterë nga myslimanët, por sot në qendër të Beogradit ndërtohet një projekt i madh urban, me ndihmën e Abu Dabit. Nobelistja gjermane Herta Mueller ka të drejtë dhe duhet të duartrokitet për kurajën e saj prej një intelektuali evropian, se mos përballimi i Serbisë me të vërtetën e së kaluarës së saj të tmerrshme dhe me krimet e luftërave të saj në Kosovë, në Bosnje dhe në territore të tjera të ish-Jugosllavisë, është një problem serioz në çerek shekullin e parë të shekullit 21, jo vetëm për vetë popullin serb, por edhe për mbarë rajonin. Për derisa mos të ketë një përballim të tillë të popullit serb me atë histori të tmerrshme dhe për derisa Serbia nuk kërkon falje për krimet e bëra në Kosovë dhe në mbarë territorin e ish-Jugosllavisë, është e vështirë të merret me mend paqja dhe pajtimi midis popujve të Ballkanit. Pa pendesë dhe pa kërkim faljeje nga Serbia për krimet kundër njerëzimit në Kosovë, nuk do të ketë paqe as siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e ndoshta as në Evropë. Është vlerë evropiane të kërkohet falje për krimet e bëra dhe të ketë një përballim serioz me të kaluarën dhe me të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo. Shembull për këtë është vet Gjermania. Nobelistja gjermane nuk tha asgjë më pak e as më shumë se kaq. Reagimet serbe në sallë dhe jashtë saj kundër fjalëve të vërteta të shkrimtares gjermane Herta Mueller nuk janë shpresëdhënëse për Serbinë as për vendet fqinje të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe as për paqen dhe sigurinë në rajon. Të kërkuarit falje për krimet dhe përballimi me të vërtetën historike, thonë disa, është një proces transformimi që merr kohë, por mendoj se si i tillë, nuk duhet të jetë më pak urgjent, sidomos në rastin e Serbisë. 
*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Sigal