Një shoqëri që ka nevojë të pastrohet

608
Dr. Vili Minarolli
Disa ditë pasi u zgjodh president i ri, S. B. deklaroi publikisht sloganin: “Të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës!” Mua m’u kujtua menjëherë biseda e disa ditëve më parë me drejtorin ekzekutiv të shoqërisë “Soros” në Shqipëri dhe m’u krijua bindja se, cili mund të ishte këshilluesi i këtij slogani. Kjo shprehje, e thënë prej atij që kishte fituar zgjedhjet politike në vend dhe që ishte votuar nga shumica e shqiptarëve me flamurin e antikomunizmit, dukej paradoksale. Ajo la një shije të hidhur te shqiptarët, duke u bërë objekt i barsoletave a bisedave nga më të zakonshmet, veçanërisht në mjediset e demokratëve dhe në ceremonitë e zhvarrimit të eshtrave të të pushkatuarve nga regjimi komunist, të cilët ishin lënë pa emër në gropën ku i patën futur, ndoshta edhe të varrosur gjallë. Sipas asaj që u tha, këto viktima, të pushkatuara edhe pa gjyq, të lidhura me tela me gjemba para ekzekutimit, ishin po aq fajtore sa ata që i kishin dënuar duke u marrë jetën. Atë kohë patën dalë të burgosurit politikë dhe qenë kthyer shumë familje, të cilat kishin kaluar dhjetëra e dhjetëra vite të internuar në kampet e punës. Që në themelim, këto qindra e mijëra familje e mbështetën fuqishëm PDSH-në, dhe ishin “hambari” i sigurt e i padiskutueshëm i votave të saj. Ata ishin nga të parët që themeluan PD-në nëpër rrethet e tyre, duke sfiduar frikën, si njerëz që s’kishin ç’të humbnin, veç vuajtjeve dhe mjerimit, por edhe si shpërthim i një zemërimi shumëvjeçar, për shkak se u ishte mohuar liria. Megjithatë, ata nuk shprehën e as demonstruan ndonjë shenjë, sado të vogël, për hakmarrje kundrejt atyre që i kishin lyer duart me gjak njerëzish të pafajshëm dhe që kishin ushtruar një gjenocid të vërtetë ndaj popullit të tyre. Vetëm një rast hakmarrje publike dëgjova se kishte ndodhur në Shkodër. Disa persona kishin kapur një kriminel të Sigurimit, i cili para se t’i pushkatonte viktimat me plumb pas koke, thyente arra me çekiç në kokat e tyre. Ata i bënë në shesh atë që ai u bënte viktimave të shumta dhe të gjithë, jo vetëm në Shkodër, por kudo kur u mor vesh kjo ndodhi, në heshtje thanë: “Mirë ia bënë!”. Shoqëria pastrohet duke ndrequr apo duke korrigjuar gabimet e saj. Fajtorët, e pakta që mund të bëjnë, është të pranojnë fajet e tyre dhe të kërkojnë falje. Viktimat të falin. Çdo shoqëri e tregon shkallën e emancipimit dhe të kulturës të saj, nëse di të falë. Shoqëria shqiptare ishte e përgatitur për këtë, por nuk iu dha mundësia ta tregonte, siç bënë shumë shoqëri të tjera në vendet ish-komuniste. Shoqërisë shqiptare nuk iu dha e drejta të mësonte të vërtetën dhe të tregonte sa humane ishte, prandaj, , shoqëria jonë nga shumë antishqiptarë të huaj identifikohet si një shoqëri hakmarrëse, ku sundon ligji i pashkruar dhe primitiv i gjakmarrjes, si karakteristika jonë kombëtare. Shumë prej viktimave të komunizmit i njohin persekutorët e tyre, por këta të fundit gëzojnë po ato të drejta si edhe të tjerët. Madje, këta kriminelë kanë pensione më të larta, për “kontributin” e tyre, mbajnë dekorata në gjoks, si vlera të krimeve që kanë bërë dhe vazhdojnë ende të banojnë në shtëpitë e pronarëve, të cilët i nxorën në rrugë ato ditë të viteve të para ’44-s, kur erdhën nga malet. Më kujtohet një ndodhi, më 10 tetor të vitit 1993, ditën përkujtimore të dënimit të atij që u quajt “Grupi i deputetëve”. Ceremonia u organizua në kinemanë “17 Nëntori”, vendi ku ishte zhvilluar edhe gjyqi 46 vite më parë. Nga protagonistët e atij gjyqi, i gjallë ishte vetëm im atë dhe ata që njihja më thoshin me qesëndi: “A do ta pranojnë edhe ata që u dënuan së bashku me tët atë, se të gjithë janë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës?”

Ndonëse ky slogan nuk u përmend asnjëherë më pas nga autori i tij, të paktën aq sa mbaj mend, gjyqet qesharake të “kafeve’” ishin ilustrimi më i mirë që e vinte në jetë atë. Nga shoqëria jonë u bënë kërkesa të shumta për të aplikuar po ato standarde që kishin aplikuar edhe vende të tjera ish-komuniste për të pastruar shoqërinë. Modelet për “Ligjin e lustracionit”, që kishin aplikuar këto vende, ishin në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, por këto kërkesa binin në vesh të shurdhër. Asnjëherë nuk u përmend se duheshin hapur dosjet e ish-Sigurimit, ndërkohë që një numër gjithnjë e më i madh ish-sigurimsash apo bashkëpunëtorë të Sigurimit, po mbushnin radhët e administratës publike, që nga kabineti qeveritar, diplomacia e deri te gazetarë a njerëz të tjerë të lidhur me median. Në fund të vitit 1995, kur vendi po hynte në zgjedhjet e përgjithshme, u miratua një ligj “Për pastërtinë e figurave të personave publikë”. U ngrit edhe një komision, i cili mori emrin e kryetarit të tij, M., mbiemri i një ish-zëvendësministri të Rendit, H. M., që vinte edhe vetë nga shtresa e ish të persekutuarve politikë. Por, ligji i miratuar vetëm me votat dhe diktatin e shumicës, ishte jo vetëm gjysmak në qëllimin e tij, por edhe i paragjykuar e selektiv. Ai kërkonte të shmangte nga e drejta e kandidimit të gjithë ata zyrtarë që kishin pasur poste të larta në regjimin komunist. Por edhe këtu bëhej përsëri një zgjedhje tjetër, fare e hapur. Përjashtoheshin politikanët potencialë të opozitës dhe liheshin ata që nuk paraqisnin ndonjë rrezik për pushtetin, ose ishin persona me dosje të Sigurimit, ish-bashkëpunëtorë të fshehtë, që kishin qenë denoncues apo dëshmitarë të rremë në gjyqe, që kishin dënuar shokët e miqtë e tyre apo edhe ish-zyrtarë të lartë që ishin vënë në shërbim të pushtetit të ri. Kishte shumë prej tyre që nuk i preku komisioni, me të vetmen arsye se atë kohë ishin në anën e pushtetit dhe persona të përdorshëm nga kushdo dhe për çdo gjë. Efektet e ligjit u dukën kur erdhi koha e paraqitjes së kandidaturave nga ana e partive politike. Nuk u lejuan të kandidonin disa drejtues të opozitës dhe nga ana e shumicës dërgoheshin për verifikim edhe komisionerët e qendrave të votimit, por jo ndonjë kandidat që duhej të kalonte. E vërteta është se organizmat ndërkombëtare, veçanërisht ato që mbronin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por edhe disa shoqata joqeveritare ose ajo e të përndjekurve politikë, e kërkonin herë pas here miratimin e një ligji në funksion “të pastrimit” të shoqërisë shqiptare, për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike, por gjithnjë ose është bërë “veshi i shurdhër” nga ata që udhëhiqnin shumicën parlamentare, ose bëhej i pjesshëm, për të shmangur ata që prishnin punë. Në analizën time unë gjykoj si më poshtë: në vitin 1992, kur erdhi në pushtet qeveria demokratike, strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit ishin të paprekura. E vërteta është se shumë nga figurat kryesore të tij, por dhe shumë të tjerë të implikuar në krime monstruoze vajtën jashtë shtetit, në SHBA, Greqi, Belgjikë, Holandë, Itali e Kanada. Por ende më e veçantë ishte se pothuaj i gjithë personeli vendës i Ambasadës Amerikane, e rihapur pas gati një gjysmë shekulli, ishin ose ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit ose persona të lidhur me strukturat e tij. Me të drejtë gjithkush pyeste se si ishte e mundur të fitonin statusin e azilit politik në vendet demokratike, persona që kishin bërë krime. Është interesante të thuhet se ata i kishin lidhjet me shërbimet dhe, me sa duket, u dhanë materiale të vlefshme, në këmbim të sigurimit të jetës së tyre. E njëjta gjë që mund të jetë përdorur edhe në mbarim të Luftës së Dytë, kur shumë nga kriminelët e luftës u morën nga amerikanët dhe rusët dhe u përdorën për ato punë që dinin dhe që mund të bënin më mirë. Por nuk ishin të paktë edhe ata që mbetën në vend, të cilët mundën të fshiheshin në qytete të mëdha dhe për shumë kohë nuk u bënë të gjallë. Ata iu shmangën veprimtarisë publike dhe ishin të sigurt se viktimat e tyre nuk do të guxonin t’i denonconin. Viktimat e komunizmit, tashmë të kthyera nga burgjet dhe kampet e punës, e kishin të vështirë të siguronin mbijetesën e tyre dhe e vërteta është se tek asnjëri prej tyre nuk u shfaqën shenja hakmarrjeje. Ata e kërkonin hapjen e dosjeve nga thellësia e shpirtit të tyre, të dërmuar nga torturat dhe vuajtjet, veçanërisht për ata kriminelë që sot kishin marrë në dorë flamurin e disidentit të regjimit komunist dhe i bënin një dëm të pa llogaritur demokracisë së brishtë shqiptare. B. G., kryetari i ri i SHIK-ut, bëri një reformë. Sipas asaj që më ka thënë vetë, zëvendësoi mbi 95 për qind të efektivit, duke sjellë kryesisht njerëz të rinj, të shkolluar, shumë prej të cilëve i kishte pasur studentë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. 

(Vijon) 
Sigal