Një shembull i një shërbestari të Shqipërisë

816
Nga Enver MEMISHAJ
Bujar Nishani Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Më imponohesh edhe mua një detyrë shoqërore për të shkruar për zotin e nderuar Bujar Nishani ashtu si njoha unë. Le ta vlerësojnë këtë burrë shteti bashkë me mua, çdo njeri që e ka njohur nga afër, që e ka njohur nëpërmjet punës dhe çdo shqiptar që e njohu nga detyrat e larta shtetërore që mbajti në shërbim të popullit të tij duke i kryer ato me patriotizëm të flaktë, dhe mendoj se puna që ai kreu në krye të shtetit do të mbetet një kujtim i pa harruar në analet e historisë sonë. 
Në detyrat e larta që ai ushtroi si ministër dhe si president dha gjithçka nga mëndja dhe nga shpirti tij dhe jo pa sukses e vlerësim, për të mirën e shoqërisë. 
Njohja 
Të nderuarin zoti Bujar Nishani e kam pas njohur që në fillimet e proceseve demokratike, si propagandist të flaktë të ideve demokratike, veprimtari që e kryente me patos kombëtar dhe si një këshillues shpirtëror të zgjimit të popullit nga gjumi letargjik i ideve dhe pushtimit komunist, por vetëm nga larg. 

E kam njoh nga afër kur rrethanat më shpunë të punoja pranë tij si këshilltar dhe aty pashë se ai njeri kishte një moral të lartë, sakrifikonte gjithçka për kryerjen e detyrës me përkushtim dhe me ndërgjegje. 

Ishte njeri i detyrës, ndofta shkolla ushtarake që ndoqi e kishte edukuar që të mos tërhiqej përpara vështirësive dhe pengesave, ai kërkonte gjithmonë fitore. 

Në rrymat e ndryshme politike që përfshinë vendin tonë pas përmbysjes së diktaturës komuniste ai burrë diti të orientohej drejt, falë burrërisë, besës dhe inteligjencës së tij dhe nuk u tërhoq as nga interesat e xhepit dhe as si tregtar flamujsh partish si shumë të tjerë rreth tij. 
Njeri i detyrës 
Z. Bujar është njeri i detyrës, pra, që detyrat e larta shtetërore i ka ushtruar me përkushtim. Për vartësit dinte të krijonte situata që detyra të kryhej me ndërgjegje. Ai i respektonte vartësit si askush tjetër dhe kishte besim në detyrat që u ngarkonte. Dinte të bisedonte bukur dhe shtruar.

Në vitin 2008 ai kaloi një sëmundje. Ende pa u shëruar ai vinte çdo ditë në punë duke u bërë shembull për administratën që drejtonte, shembulli i nëpunësit të ndërgjegjshëm dhe të përkushtuar. 

Ai dinte si me magji te rekrutonte personelin qe do te ishin ndihmesat dhe këshilltarët e tij dhe kështu personaliteti tij merrte më shumë vlera. Për këtë, të gjithë e respektonin dhe e ndienin veten te detyruar para tij, kjo i bënte vartësit e tij ta kryenin detyrën si duhej. 
Një burrë shteti model
Zoti Nishani ka një karrierë të shkëlqyer politike : Anëtar i Partisë Demokratike që në vitin 1991; sekretari i Degës së Partisë Demokratike të Tiranës, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në korrik të vitit 2005, z. Nishani, u zgjodh deputet, në zonën zgjedhore 34, në Tiranë dhe u rizgjodh përsëri në qershor të vitit 2009.

Por edhe një karrierë të shkëlqyer në administratën shtetërore. 
Nga marsi të vitit 2007 z. Nishani shërbeu si Ministër i Brendshëm; më pas ministër i drejtësisë, dhe në prill 2011 rikthehet edhe një herë në Ministrinë e Brendshme. Në këtë detyrë të lartë qëndroi deri në qershor 2012 kur u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës. 

Më 24 korrik 2012, zoti Bujar Nishani u betua si Presidenti i Republikës përpara Kuvendit të Shqipërisë.

I datëlindjes 1966, sot në moshën 51 vjeçare zotësia tij dhe fati i kanë falur pa kursim gjithçka çfarë mund të ëndërrojë e dëshirojë njeriu. 

Ngjitja në shkallët më të larta politike dhe administrative është pasojë e karakterit të tij burrëror, e dashurisë që ka për atdheun dhe popullin e tij, e inteligjencës dhe arsimit që ka marrë me pasion. Ai është oficer, ushtarak i shkëlqyer, një jurist i shkëlqyer, një mësues, një nëpunës i lartë me studime të thelluara pas universitare dhe kualifikime në vendet perëndimore. Ai flet rrjedhshëm anglisht. 
Personaliteti
Z. Bujar Nishani është një nga pionierët e parë që propaganduan idetë demokratike në Shqipëri dhe jo vetëm propaganduan por edhe i zbatuan në praktikë me qeveritë e kohës të z. Aleksandër Meksi dhe të z. Sali Berisha. Ai vetë ishte ministër dhe në krye të shtetit shqiptar si president. 

Bujar Nishani i ka sjellë vendit të tij shërbime të shquara dhe vepra patriotike. 

Në krye të shtetit ai studioi gjithë krahinat e Shqipërisë dhe nxori nga harresa ngjarje të shënuara të cilat ishin mbuluar me harresë dhe falsifikuar me mashtrime nga diktatura komuniste. Ai vlerësoi kryengritjen e Postribës të vitit 1946, dekori udhëheqësit e kësaj kryengritje, vlerësoi e dekoroi Kompaninë 4000, dekori Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare që udhëhoqi Luftën e Vlorës më 1920 dhe rishpalli pavarësinë e Shqipërisë të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore, Betejën e Lopësit të vitit 1914, ansamblet e Vlorës dhe Mirditës. Vlerësoi ngjarje të tjera dhe fshatra të vendit tonë pa bërë dallime nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim. 

Vuri në vend nderi shumë personalitete me kontribute të shoqërisë sonë si desantët që lanë rehatin në perëndim dhe erdhën të vdisnin këtu për lirinë e vendit të tyre, dekoroi 67 ballistë të pushkatuar në një ditë nga krimineli skizofren Mehmet Shehu.

Ai u ngriti monument shumë personaliteteve të historisë sonë që i kishin shërbyer popullit të tyre, por që ishin sharë e mallkuar nga komunistët shqiptarë si Hysni Lepenica , Ymer Dishnica, Safet Butka, Abas Kupi, Mustafa Gjinishi, Uran Kostreci, Bujar Leskaj, Baba Ahmet Turani, Tom Kola, Ded mwhilli, Amik Kasoruho etj.

Ai i pa të gjitha krahinat me syrin e një patrioti vizionar, të gjitha fushat e dijes dhe të jetës dhe diti me mençuri të ngrejë lart personalitete me vlera. Në fushën e artit dhe kulturës përmendim Mihallaq Luarasin, Justina Alia, Visar Zhiti e shumë të tjerë. Portretizimin e këtyre vlerësimeve të Presidentit të Republikës e bëri Justina Alia, e cila tha: 

“Kur isha e vogël merrja distinktivë, ju e dini, ka qenë koha e tyre, dhe ngjitesha me vrap për t’ia çuar nënës e babait. Sot është krejt ndryshe. Atdheu sot më ka vënë një vello mbi krye, të respektit dhe të dashurisë. Këtë titull, unë do të vrapoj si atëherë fëmijë 10- vjeçar, për t’ia çuar fëmijëve të mi. I nderuar qofshi zoti President! Ashtu siç na nderoni, Zoti ju nderoftë edhe më shumë!”.

Zotëria i nderur Bujar Nishani para së gjithash e mbi të gjitha i nënshtrohej detyrës që i impononte ndërgjegjja e tij dhe asnjë interesi. 

Duke e çuar në këtë udhë qytetarie ai pati edhe kundërshtarë dhe kundërshtarët e tij ishin komunistët e djeshëm ose skllevërit e sotëm të cilët nuk kanë mundur të çlirohen nga prangat e Enver Hoxhës. 

Unë jam i bindur se do të vi një ditë kur burra e shërbëtorë të Shqipërisë si z. Bujar Nishani, pionierë të idesë kombëtare demokratike nesër do të nderohen, vlerësohen e mbulohen me lule. 
Bujar Nishani si njeri.
Zotëria i nderuar Bujar Nishani është një qytetar me virtyte të rralla. Ai nuk lodhej e nuk mërzitej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e respektonin vartësit e tij. 

Ai është gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasmë, qoftë edhe në mort, dhe takimet me atë burrë mbahen mend gjatë. 

Edhe Odetën bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i zgjedhur. Odeta me fisnikërinë dhe bujarinë e saji, me hiret e një femre të zgjuar i siguroi atij një jetë të bardhë dhe u bë mbështetja kryesore që ai të ecte në udhën e karrierës si shërbestar i Shqipërisë. 

Ajo i dhuroi dy fëmijë, Ersin që është si i ati dhe Fjona, të bukur dhe të qeshur si e ëma. 

Bujar Nishanin e kam njohur si altruist, të gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit. 

Të dy z. Bujari dhe znj. Odeta hodhën themelet e shtëpisë qytetare në Tiranë, duke e ngritur emrin e familjes dhe fisit më lart. 

Nga bindja z. Bujar është thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte për çdo rast kundër dhunës dhe kërkonte me durim ta bindnin kundërshtarin apo atë që kishte gabuar dhe në çdo rast ta trajtonim me dashuri. Miqve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barrikadës demokratike me sa di unë nuk ua ktheu shpinën. 

Bashkë përshkruam një pjesë të udhës së jetës dhe jam krenar që eca përkrah tij. 

Bujar Nishanin e respektojnë të gjithë ata që e njohën si qytetar, si politikan, si nëpunës të lartë, si ministër, si president por edhe si baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. 
Një patriot si Bujar Nishani
Emrin, jetën, punën, mirësinë, dashurinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, Ersi dhe Fjona dhe të gjithë ata që e kanë njohur e kanë punuar krah tij, sepse ai ka lënë gjurmë si patriot, shembullin e një nëpunësi, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denjë, të një shoku të një miku.
Sigal