Një realitet shoqëror

771
Branko Merxhani 

“Formula të neo-shqiptarismës” 
“Një shoqëri, e cila nuk mbështetet mbi idenë e Religjozitetit, s’e ka bazën e unitetit shpirtëror.
Dhe atje ku mungon uniteti shpirtëror, nuk mund të bëhet fjalë për shoqëri të organizuar, përnacionalismë.” Dr. Paul Natrop
Ata që kënduan sa shkruajta javën e kaluar në këto shtylla mbi fenë dhe qytetërimin, e kuptuan pa fjalë se ideologjia neo-shqiptare, duke pasur për qëllim zhvillimin e një purizmë nacionaliste, nuk interesohet fare për vlerën filozofike-psikologjike të fesë. Për këtë arsye nuk është vendi këtu që t’i jap një interpretim psikologjik fenomenit të zhvillimit historik të dogmave fetare, as që të bëj një studim komparatif (krahasues) dhe analitik midis besimeve fetare të ndryshme, as që prapë të zhvilloj rolin e kredulitetit (besueshmërisë) në histori, sido që është jashtë çdo besimi thjeshte shkencor se kaq dogmat fetare si dhe kreduliteti (besueshmëria) vazhdojnë dhe sot të mbretërojnë mbi shpirtrat e individëve dhe shoqërive; bile jo vetëm në sheshin semplë (thjesht) fetar ose fetar-pasiv, po dhe vetë në jetën politike shkencore . Mendje të mëdha dhe tru shkencor të radhës së parë, si p.sh një Descartes dhe një Descal, patën qenë viktima të kredulitetit (besueshmërisë). Fiziko matematikani anglez i njohur shumë në botën e sotme shkencore, Lody “gjysmë ekzakte”( “demi-exacte”), para pak vjetësh shkroi një libër të tërë në të cilën jep një tok lajmesh në të cilën i dërgon nga bota tjetër djali i Raymond-it, i cili pati fatin e keq të vritet në ballin e luftës. Studimi i feve, si të gjitha gjërat përgjithësisht të historisë njerëzore, përbën një zbulim të përbuzshëm të një melange-i (ligësi) nga marrësi, krim dhe turp. Po vlera e këtij studimi nuk mundet të mohohet. Një Abbe, drejtor i një Seminari, flet në këtë mënyrë në një vepër të bukur të Anatole France-it, të Akademikutt, frëng që vdiq pak vjet më parë:

“Forca e disiplinës teologjike është e tillë që ajo vetëm për vetëm është në gjendje t’i formojë njerëzit pa pikë feje; një njeri, që nuk beson e që nuk shkoi nga duart t’ona mësohet çdo shkencë edhe ajo e sharjeve (blasfemive)”

Po këtu nuk na interesojnë këto gjëra. Fenë nuk e marr si një vlerë filozofike ose psikologjike, por vetëm si një vlerë shoqërore, si një faktor shoqëror. Jam i mendjes se, kur bisedojmë çështje që nuk i përkasin shkencës po jetës dhe të ardhmes së një populli të tërë, s’ka vend për zhvillim e konceptimeve individuale dhe abstrakte, që duhet të ketë çdo mendimtar i lirë (libre penseur). Që të gjithë jemi religjiozë, po me ndryshimin që njëra pjesë është me besim dhe tjetra me mëndje. Domethënë disa besojnë në fe dhe të tjerët e kuptojnë fenë. Po në çastet e bisedimit shoqëror konceptimeve individuale duhet të prapsen që tú lënë vend ideve të nevojave shoqërore dhe të realiteteve shoqërore. Bile një të tillë prapsje e quan si gurin themeltar të çdo aktiviteti nacionalist dhe abecen e një kulture njerëzore të thellë.

Shkenca siç thash edhe një tjetër herë, nuk është për jetën. Dhe e vetmja jetë që ekziston me të vërtetë, të paktën vetëm nga pikëpamja e gjurmimit sociologjik, është vetëm jeta kombëtare për të cilën vlen çdo mundim, çdo sakrifice dhe çdo vetëmohim. Filozofi i madh gjerman Wilhelm von Humboldt shkroi një libër, bile një libër të famshëm që përkrah idenë se: Shteti nuk duhet të trazohet në punët arsimore dhe fetare. Po më vonë, duke hipur në fuqi zbatoi vetë ai të kundërtën. Dhe filozofi i idesë së kufizimit të ndërhyrjes shtetërore e shtetëzoi Arsimin si Ministër i Prusisë. Gjithashtu Qeveritari i sotëm i Italisë e harroi krejt Drejtorin e gazetës socialiste “Avanti!” dhe me nënshkrimin e tij i dha Papatit një fuqi shtetërore të tillë që vepra e tij të quhet nga ana e kundërshtarëve si një krim dhe si një kthim ne kohërat e Mesjetës. Kaq e fort është ideja e Shtetit. Nevoja kombëtare qëndron përmbi të gjitha.

Vija qendrore e detyrës historike së brezit të sotëm shqiptar është kombëtarizimi i jetës sonë shoqërore mbi themele të reja e të shëndosha. Kjo frazë përmban gjithë kuptimin dhe gjithë shpirtin e përpjekjes sonë reformuese. Detyra jonë është par exselence (e mrekullueshme) një detyrë kombëtare dhe nacionaliste. Po një aktivitet kombëtar dhe vetëm mbi idetë shoqërore mund të mbështetet dhe të ngrihet. Po brenda në qarkun e ideve shoqërore, feja zë vendin më të shquar, pa fjalë, jo me vlerën e së vërtetës së saj, edhe me përfundimin e anlizës psikologjike, po vetëm si element përparimi dhe rregulli, si element zhvillimi shoqëror, si element qytetërimi.

Roli më i rëndësishëm në jetën e popujve nuk është i “affektif”-it (ndijesor), as roli i “rationeli”-it (arsyetues), po roli i “mystiquet”-ut (mistik). Një dogmë nga pikëpamja racionale (ration kritique), nuk është përveçse një fenomen budallallëku dhe çmendësie. Me gjithë këtë mistikja e një dogme dhe ka dogma, jo vetëm fetare, po dhe politike e shoqërore – është e mjaft për përhapjen e saj si ndonjë vetëtimë, meqenëse krijon me njëherë ndjenjën e vetëmohimit dhe një grup të efeksionuar njerëzish, të cilët mund të sakrifikojnë çdo gjë për besimin e tyre. Nuk është aspak e drejtë, dhe kjo nga pikëpamja thjeshtë shkencore, se feja është pjellë e injorancës. Edhe tek shkencëtarët më të shquar vihet re një dozë e fortë religjioziteti dhe kreduliteti(besimi fetar). Shumë dogma të popujve primitivë si p.sh. magjia dhe primitizma kanë anëtarë të nxehtë edhe midis shumë shkencëtarëve të sotëm. Dogma politike si p.sh. socializmi e komunizmi, u përhapen me kaq shpejtësi, sepse kanë të gjithë elementët karakteristik të dogmave fetare, por edhe sepse ndezin brenda në shpirtrat e njerëzve flakën e Idealizmit dhe heroizmin e vetëmohimit. Nga historia u zhdukën kaq Perëndi dhe vdiqën kaq Idhuj. Po shpirtrat mistik mbetën për jetë. Çdo ide e re, me tú shfaqur, me të përhapur, krijoi dhe një fe të re. Pa fe, pa besë dhe vetëmohim nuk mund të bëhet as ndonjë gjë e madhe historike e gjallë. Dhe aty nuk mungon shpirti mistik, mbretëron edhe sot koncepsionet primitive, traditat nomadike dhe barbarismat. Ky është një realitet shkencor, që t’u mbyllim gojën vetëm atyre që vetëm nga injoranca dhe nga mungimi t’i thellë i kulturës,, ngulin këmbë në zbrazëtirën e tyre ateiste, ja një shembull: Profesori i Vjenës Sigmund Freud, themelonjës i famshëm i Shkollës Psikoanalitike, nuk është vetëm një nga mendjet më të thella të shkencës, po ndofta dhe Ateisti më pozitiv i ditëve tona. Ja, pra se ç’shkruan ky njeri në një nga veprat e tij të fundit:

“…Inventari shpirtëror ndofta më i rëndësishëm janë koncepsionet e saj fetare”.
“…Vetëm me paragjykimin e favorshëm të paragjykimeve teiste u sigurua rregulli moral i botës ”.
“… Shkenca dhe sot akoma nuk mund të përgjigjet në shumë probleme ”.
Dhe:
“… Është jashtë çdo dyshimi se feja i solli shërbime të mëdha kulturës njerëzore dhe kontribuojë në kufizimin e instinkteve antishoqërore e individuale ”. 
Këto shkruan një Frojd. Dhe ai që nuk di se çdo të thotë Frojd gjenden në kornizën e jetës së sotme mendore.
Botuar në Demokatia, 11 Maj1929


Sigal