Një kujtesë Athinës zyrtare mbi masakrat greke në Çamëri

725
Sigal

Historitë e ndodhura në Çamëri pas atij 27 qershori të zi të 1944-ës, janë vetëm tmerre të vepruara nga bandat neofashiste greke dhe që kanë mbetur të pandëshkuara nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, por as nga opinioni demokratik europian që mori vesh se çfarë bënë ushtria greke e drejtuar nga fashisti Napoelon Zerva. Ka pasur edhe një komision miks europian më 1945 që ka dëgjuar rrëfimet e banorëve të Çamërisë që çfarë u kanë punuar grekët shqiptarëve. Ka pasur edhe një Memorandum të Komitetit Antifashist çam më 1946 që iu referua këtyre ngjarjeve të freskëta të ndodhura në territorin e Çamërisë nga pabesia greke që duhet thënë se ishte e firmësuar nga personalitetet çam të luftës antifashiste si Kasem Demi, Rexhep Çami, Vehip, Dervish Dojaka, Teme, Tahir Demi, Hilmi Seiti. Por për fatin e keq të komunitetit çam zëri i tyre, zëri i të mbijetuarve pas rreth 5 mijë vrasjeve dhe vdekjeve të tjera me mijëra më pas, mbeti një zë në shkretëtirë përballë Europës që shpesh e dëgjojmë të bërtasë për të drejtat e njeriut, sidomos edhe të minoritarëve që gërthet Vangjel Dule me omonitarët e vet, kur gjenocidi grek mbi shqiptarët e Çamërisë ka mbetur një “relikë” e para 68 vjetëve, kur ajo ishte në fakt masakra tipike si ajo e nazistëve mbi hebrenjtë. Historiani Rasim Bebo, duke qenë një njeri me një temperament të vërtetë atdhetari, por edhe një studiues i vëmendshëm, ka hulumtuar gjerësisht dhe, pas dëshmive të një gruaje, ai hartoi këtë rrëfim në një artikull që, edhe pse e dha për botim në maj të vitit 1967, por nuk doli në qarkullim. Ai u kritikua rëndë nga sekretari i Komitetit të Partisë së Rrethit Sarandë, Miti Rapi. Ja kjo është dhimbja që të trishton sapo e dëgjon, por më shumë këtë histori do të duhej ta dëgjonte ministri grek dhe ai shqiptare për të mos harruar dhe për të marrë drejtësi, nëse Europa e vlerëson misionin e drejtësisë. Ndoshta ministri ynë i Jashtëm që do të takojë në Athinë ministrin e jashtëm grek, do ta fusë në xhepin e tij këtë rrëfim për të qenë i “armatosur” me argumentet e së drejtës për Çamërinë. Historia e treguar nga Fatime Pronjo, që është regjistruar nga historiani i mirënjohur Rasim Bebo, i cili sot është me banim në Addison të Çikagos në SHBA, do të mbetet njëra nga dëshmitë më tronditëse që ende rënkon gjak.

Rrëfimi i tmerrshëm i Fatime Pronjos

Atë ditën e llahtarës së madhe  të 27 qershorit, tellalli, nga lëmi i Gallatait,  flet pa pushuar, thotë Nënë Fatimeja:  “Peshkop Dorotheu dhe zervisti Major Kranai, pasi u morrën vesh me Myftinjtë e Paramithisë, Sali Hafëzin  dhe Myfti  Hasan Abdullanë, urdhërojnë:  “Tërë ata që kanë armë t’i dorëzojnë, qetësinë do ta mbajë ushtria. Askush të mos ketë frikë!  Këdo e quajmë vëlla! Duam të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin”. Rreth mesditës, dëgjuam krisma të  shumta armësh, morëm vesh nga fqinjët  se zervistët dhe civilë grekë të Paramithisë, e thyen besën, vrisnin dhe plaçkitnin. Agakua, burri im, kishte dy javë i sëmurë në dyshek. Dëgjuam zallahi te fqinjët. Në prag u dhanë dy zervistë, dy mjekroshë, njëri më zdap se tjetri, na vështronin, me një vështrim si të qenit  të egërsuar. Shkuli sa kaq kamën (thikën e madhe) nga brezi dhe, ashtu si vëngërosh që ishte, na u kërkonin florinj. Iu hodhën Agakos. Florinjtë se të thera, duke i vënë kamën te gryka, unë dhe nusja ia dhamë ulërimës, ai kapi Agakon nga këmbët dhe e tërhoqi zvarrë deri te dera. Nuk të vras dot, se kam porosi nga komandanti, ai dëshiron të të marrë shpirtin, shqiptar i poshtër. Mjekroshi zbrazi breshëri automatiku tavanit dhe ferrave nga penxherja e kuzhinës. Na vunë  përpara mua me nusen  dhe Agakon e mbanin të dy nga krahët duke e tërhequr zvarrë. Përgjatë kësaj rruge të shkurtër pamë të vrarë dhe të plagosur të qara dhe ulërima. Iu drejtova Zotit. O Zot. Ç’po bëhet kështu! Sa mbërritëm te oborri i shtëpisë Myftiut Sali Afëzi, Agakon e mbërthyen të tjerë mjekroshë dhe aty për aty e therrën në anë të oborrit. Ia dhamë ulërimës me nusen, mua më ra të fikët, pas ca kohe u gjenda në një nga dhomat e shtëpisë me pleq dhe plaka. Kur u përmenda pyes për nusen e djalit, mora vesh se vajzat dhe nuset i veçojnë në dhoma të tjera për qëllime të poshtra. Dhoma e jonë kishte rreth 25 e më shumë njerëz. Një tmerr, na shteruan lotët, pa ujë, pa ushqim. Filloi qelburia dhe morri. Pas 4-5  ditëve Zoti bëri vaki, Llambro Miho (çam ortodoks) po nga Paramithia ishte i vetmi njeri që na ndihmoi për të mbajtur shpirtin gjallë. Ai kishte një furrë dhe gjellëtore. Ai vinte çdo ditë dhe na sillte bukë dhe gjellë. Zervistët vineshin e na kercënonin për flori, vinin  edhe dy të burgosur që merrnin të vdekurin e dhomës dhe e çonin në kopësht në një gropë të bërë apostafat. Në e doni jetën, na jepni flori, përndryshe këtu do të vdisni, si po vdesin ata që keni parë. I thashë mjekroshit që bashkë me nusen e djalit të shkoj në shtëpi, se diçka kam fshehur për ditën e zezë. E sollën nusen dhe bashkë me të dhe dy zervista shoqërues shkuam në shtëpi, kur hyra në oborr më erdhi një erë kërme, në anë të oborrit një kapicë leckash, u futëm në shtëpi, ajo ishte e plaçkitur, mbetur nëpër të, ca leckash dhe qelqurinash të thyera. Thërres: Abedin, Pronjo, ku u ka nana, Agakon e vranë dhe ia plasa të qarit bashkë me nusen. Zervistët më kanoseshin se do u vrasim. Unë u fola me inat, na vrisni gjakatar grek të poshtër e të pabesë. Por ata donin flori prandaj nuk na vrisnin. – Nuse hyp sipër në tavan dhe shiko, – e pashë nuk ishte atje. – Shiko prapa te gëmushat  për Pronjon.  – Dhe atje nuk kishte gjë. – Nusja doli në oborr. Unë,- thotë nusja, u afrova kapicës me zhelet e tronditur i hap leckat, u tmerrova  kur pashë burrin tim të coptuar nga qentë me kokë të therur të Abedinit pa e këputur nga trupi, ulërita  me të madhe se gjeta shenjat bindëse të kostumit  të burrit  tim. Të coptuar, të shqyer, të kafshuar dhe të ngrenë nga qentë duke lënë kockat dhe kostumin të kthyer në zhele. Kur nëna e llahtarisur pa Abedinin  në këtë gjendje tej mjerimi, ulet e i rrëmben kokën e përçudnuar, të kafshuar, të shqyer, pa faqe, hundë, veshë, sy dhe fëlqinja. Po si një kafkë që brenda saj gumëzhinin krimba që hynin e dilinin me një qelburi të madhe. Nëna e puthte dhe e puthte  dhe kur duart e saja prekën një copë lëkure të kokës me lesh e pa këputur nga të shqyerit e qenve, ajo e hoqi me forcë dhe në moment e vuri në gjirin e saj, i merren mend dhe bie pa ndjenja mbi të birin  me kocka dhe zhele.