Një hap i pamatur në marrëdhëniet me Kinën

2561
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.
Në vitin 1978 qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë ndërpreu, ose më saktë prishi, të gjitha marrëdhëniet me qeverinë e Republikës Popullore të Kinës. Kjo i vuri kapakun sagës të disa prishjeve të Shqipërisë me disa shtete të botës. Më 1945 u ndërprenë dhe u prishën marrëdhëniet me ShBA, duke u mbyllur edhe ambasada amerikane në Tiranë. Ky ishte një gabim strategjik, sepse mohonte edhe kontributin e presidentit Udrou Uillson, i cili mbrojti shtetin e ri shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1920) dhe Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Më 1948 u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos dhe më 1961 u prishën dhe u ndërprenë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, duke u mbyllur edhe ambasadat në Tiranë dhe në Moskë. Kjo politikë dritëshkurtër dhe jo realiste e udhëheqjes shqiptare, si dhe marrëdhëniet e pakta e të kufizuara me shtetet fqinje, shpuri në veçimin e plotë politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Kjo politikë antipopullore ra mbi kurrizin e popullit shqiptar dhe shpuri në varfërimin e mëtejshëm të jetesës. Madje, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, me ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve ekonomike-tregtare dhe ushtarake me të, Shqipëria hyri në një krizë dhe vështirësi ekonomike të paparë. Kësaj gjendjeje katastrofike iu shtua edhe marrëzia e kolektivizimit të plotë, që përfshiu gjer edhe oborrin vetjak, bagëtitë, derrat, pulat etj., që solli falimentimin e ekonomisë së dobët shqiptare dhe e çoi popullin shqiptar në prag të urisë. Këtë marrëzi Mehmet Shehu, në raportin e mbajtur në plenumin kushtuar kolektivizimit të plotë të ekonomisë, e cilësonte “si zhvillim krijues marksist-leninist” të Hoxhës. Zemërimi i popullit ishte i papërmbajtur, i thellë dhe i drejtë, kundër kësaj politike të gabuar dhe varfëruese. Ky zemërim shpërtheu në fillim të viteve 1990, që shpuri në rrëzimin e regjimit diktatorial dhe i hapi udhën vendosjes së pluralizmit politik dhe demokratik. Mendimi dhe perceptimi i përgjithshëm është se prishja e marrëdhënieve me Kinën ishte një hap i pamatur, një hap i gabuar. Madje këtë fakt e ka pranuar, në një farë mënyre, edhe pasuesi i Hoxhës, Ramiz Alia, në librin e vet “Jeta ime”. Dëshiroj të ndaj disa mendime me lexuesin për marrëdhëniet me Kinën dhe prishjen e tyre, edhe për faktin e njohjes nga afër të tyre, për dy arsye: E para, në vitin 1961 dhe disa vite kam jetuar e punuar në Kinë si profesor i gjuhës shqipe, që u kurorëzua me themelimin e Katedrës së gjuhës shqipe, e cila sot po bëhet edhe si qendër albanologjike e vetme në kontinentin e Azisë. Vitet 1958-1961 ishin vitet e një thatësire të paparë në Kinë, që rëndoi së tepërmi jetën e popullit kinez. Sakrificat ishin të pamata për të përballuar këtë sfidë të natyrës. Me një punë të madhe, me plane dhe me organizim të mirë-menduar Kina e kapërceu këtë dukuri natyrore dhe hyri në udhën e rindërtimit dhe të përparimit. Jeta dhe puna disa vjet në Kinë më dhanë mundësinë e njohjes nga afër të shoqërisë kineze, madje edhe pas largimit nga Kina vazhdova me një vëmendje të veçantë të ndjek zhvillimet dhe ecjen përpara të viganit kinez. Kam shkruar dhe botuar disa libra dhe mjaft artikuj për këto ndryshime dhe veçanërisht për kulturën dhe letërsinë kineze, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetova rreth dy dhjetëvjeçarë e punova si profesor i shqipes, vazhdova të ndjek me përkushtim zhvillimet dhe ndryshimet në Kinë. Në politikën e jashtme të ShBA marrëdhëniet me Kinën janë një nga shtyllat e politikës botërore amerikane. Aty botohen libra, ka institute studimore për Kinën, rrjetet kryesore televizive si CNN, Fox Njuz, ABC Njuz etj. si dhe organet e njohura të masmedias si “Nju Jork Taims”, “Uashington Post” etj. botojnë shkrime dhe studime të gjera për Kinën dhe politikat e saj ekonomike, politike etj. Madje edhe nga Nju Jorku ndiqja emisionet e redaksisë së gjuhës shqipe në Radion e Jashtme të Kinës dhe dy herë kisha marrë pjesë edhe në konkurset e shpallura nga redaksia dhe kisha fituar madje edhe çmime. Lexuesi i sotëm, veçanërisht brezi i ri, mund të pyesë: 

Po ç’është kjo Kinë? Si lindi krushqia politike midis Shqipërisë së vogël në një cep të Evropës dhe Kinës së madhe në Lindjen e Largët? Pse Hoxha dhe qeveria shqiptare i prishën këto marrëdhënie më 1978-n?

Pas Luftës së Dytë Botërore në rruzullin tokësor ndodhën ndryshime të mëdha. Shtetet e Bashkuara të Amerikës rivalizonin me Bashkimin Sovjetik. Bota ishte ndarë në dy kampe, ose edhe në tre, ajo që quhej “bota e tretë”. Një rivalitet dhe luftë e ashpër zhvillohej edhe në kampin komunist midis Partisë Komuniste të BS të Stalinit me Partinë Komuniste të Kinës me Mao Ce Dunin në krye. Me ardhjen në fuqi në Bashkimin Sovjetik të Hrushovit kjo luftë midis dy partive të mëdha të lëvizjes komuniste u bë edhe më e ashpër. Në një mbledhje të Kongresit të Parisë Komuniste të Rumanisë në Bukuresht, Hrushovi sulmoi Partinë Komuniste të Kinës dhe kërkoi të përjashtohej nga internacionalja komuniste. Pikërisht këtu delegacioni i PPSh u shpreh kundër Hrushovit dhe kërkoi që këto mospajtime në vijë të diskutoheshin në një mbledhje të mirë-organizuar. Në Mbledhjen e Moskës, në nëntor 1961, të 81 Partive Komuniste të botës, Hrushovi sulmoi ashpër Partinë Komuniste të Kinës. Delegacioni i PPSH i kryesuar nga Hoxha mbrojti Partinë Komuniste të Kinës. Enver Hoxha në këtë mbledhje botërore të komunizmit mbajti një fjalim të gjatë kundër Hrushovit dhe shprehu përkrahjen për PK të Kinës. Romani i Kadaresë “Dimri i madh” i pasqyron artistikisht grindjet dhe përçarjet në “Olimpin Komunist”. Ky qëndrim anti-hrushovian i Hoxhës në Moskë i mbylli dhe u dha fund marrëdhënieve të ngushta shumëvjeçare me BS dhe e vuri Shqipërinë e vogël jashtë kampit socialist. Në vitet 20-30 të shekullit të kaluar Kina ishte përfshirë në një luftë të ashpër civile midis forcave revolucionare të udhëhequra nga Partia Komuniste dhe atyre nacionaliste më në krye Çan Kai Shinë. Pas ardhjes të Mao Ce Dunit në krye të PK të Kinës, në plenumin e zhvilluar në “Bazën e Kuqe” në malet Çin Kan Shan, lufta revolucionare mori një hov të vrullshëm. Lëvizja strategjike në atë që njihet si “Marshimi i Madh” nga Jugu në Veri, në Jenan, qendër e shtabit qendror të Ushtrisë Popullore, rriti rezistencën dhe luftën e përgjithshme kundër nacionalistëve dhe veçanërisht kundër pushtuesve japonezë dhe amerikanë. Kam pasur fatin t’i vizitoja, si “Bazën e Kuqe” në malet Çin Kan Shan, 3000 km larg Pekinit, ashtu edhe Jenanin, vendin e guvave, ku strehoheshin udhëheqësit e Kinës. Me luftë dhe sakrifica të pamasë kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, populli kinez fitoi lirinë dhe pavarësinë e plotë. Më 1 tetor 1949 u themelua Republika Popullore e Kinës. Krijimi i shtetit të ri të shoqërisë socialiste në Kinë solli ndryshime historike në raportin e forcave botërore. Kina iu përvesh një pune të madhe ndërtuese për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror. Nisma e Presidentit Ten Hsiao Pin për “4 reformat e modernizmit” solli një transformim të paparë të Kinës. Kina e sotme e udhëhequr nga presidenti-filozof Xi Jinping është një fuqi botërore e zhvilluar, me teknologji moderne dhe partnere kryesore ekonomike e tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Marrëdhëniet e Kinës me ShBA e morën hovin pas vizitës në Kinë të Presidentit Nikson dhe Sekretarit të Shtetit Kisinger. Në marrëveshjen e nënshkruar në mars 1973 në Shangai nga Kryeministri Çu En Lai dhe Kisingeri, Çu En Lai tha se kur të merrej vesh kjo marrëveshje Bota do të tronditej. Vite më vonë, Henri Kisinger në librin “ON CHINA” shkruan: “Bota me të vërtetë u trondit”. Në vitet ’60 të shekullit të kaluar Shqipëria u gjet e vetme, e izoluar dhe e varfër. Siç përmend më lart, pas mbledhjes së Moskës (nëntor 1961) Kina dhe Shqipëria u afruan. Kështu filloi krushqia e re politike. Ky afrim solli marrëveshje të shumta ekonomike-tregtare dhe ushtarake. Kam qenë në Pekin kur studentët shqiptarë të larguar nga universitet sovjetike vinin në Pekin që të vazhdonin studimet e larta. Bashkëpunimi kino-shqiptar pati kulmet e veta edhe me vizitat e krerëve të të dy vendeve në Kinë dhe në Shqipëri. Më kujtohet që në një darkë dhënë nga Kryeministri Çu En Lai, ai foli me entuziazëm për popullin shqiptar, atdhetar dhe trim, si dhe theksoi porosinë e Kryetarit Mao që të ndihmohej populli vëlla shqiptar. Me ndihmën ekonomike-financiare të Kinës u ndërtuan hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Drin; u ndërtuan uzinat e plehrave kimike në Laç e Fier; u ndërtuan fabrika për prodhime ushtarake etj. Marrëdhëniet përfshinë edhe fushën e kulturës. Në korrik 1963 erdhën në Pekin drejtori i të vetmes shtëpi botuese në Shqipëri, Drago Siliqi dhe kritiku i njohur Razi Brahimi që të nënshkruanin një program bashkëpunimi për botimin e librave shqipe në Kinë dhe librave kineze në Shqipëri. Pala kineze madje kujdesej që specialistët kinezë që do të punonin në Shqipëri të dinin edhe ca shqip. Për këtë kërkesë të kinezëve, këshilltari tregtar Kiço Kasapi më kërkoi që bashkëshortja, pedagoge e gjuhës shqipes, të jepte mësim në një kurs 6-mujor për grupin e parë të specialistëve që do të punonin në veprat e mëdha në Shqipëri. Vizita e Presidentit të ShBA, Niksonit, në Kinë dhe afrimi ekonomik-tregtar midis ShBA dhe Kinës, në Tiranë u kuptuan gabim dhe u interpretuan nga Hoxha si grathëti ndaj mësimeve të klasikëve të marksizmit. Filloi të shkruhej dhe të flitej për largim të Kinës nga rruga marksiste-leniniste. Shqipëria po shkonte drejt izolimit të plotë politik, ekonomik, ushtarak etj. “More shqiptarë – i thoshte ambasadorit Xhorxhi Robo zv. presidentja e Kinës – nuk po e kuptoni se në rast agresioni kundër jush ne mund t’ju vijmë në ndihmë vetëm nëpërmjet Detit të Kuq dhe Mesdheut? Sovjetikët e ndaluan fluturimin e avionit me arkivolin e viktimave shqiptarë të incidentit të Irkuskut në 1963. Nëse e shikoni të pamundur marrëdhënien me Jugosllavinë dhe Greqinë lidhni marrëveshje me Italinë. Ne po ju vëmë në dijeni se kemi nënshkruar një marrëveshje me Zelandën e Re për të blerë 10 milionë ton grurë.” (Dëshmi e Halit Q., përkthyes i ambasadorit shqiptar.) Ftohja graduale me Kinën Komuniste shpaloset edhe në 2 librat voluminozë të Hoxhës me titullin “Shënime për Kinën”. Përveç kultit të Hoxhës si klasik i marksizëm-leninizmit dhe mendimit të shprehur se bar hamë, por marksizëm-leninizmin s’e tradhtojmë, në libër pasqyrohen edhe burimet dhe materialet që i viheshin Hoxhës në dispozicion. Ato ishin raporte, mesazhe dhe informata nga ambasadorët tanë në Pekin dhe buletinet e ATSh-së. Ambasadori Reis Malile që kishte krushqi me Ramiz Alinë dhe Nesti Nase, që ishte dogmatik dhe pakulturë, i dërgonin Hoxhës vetëm informata që Hoxha i pëlqente dhe desh të dëgjonte, dhe jo realitetin e jetës politike-shoqërore-ekonomike të Kinës. Ndërsa agjencia ATSh përzgjidhte lajme që t’i pëlqenin Hoxhës. Kështu Hoxha lexonte dhe informohej kryesisht nga “FAKE NEWS”, siç thuhet sot në fjalorin bashkëkohor të masmedias. Në vitet 70 të shekullit të kaluar politikat e gabuara ekonomike dhe vazhdimi i politikës së vetizolimit të plotë të Shqipërisë u shoqëruan dhe me një sërë plenumesh, si në fushën e ideologjisë, ekonomisë dhe ushtrisë, që sollën dënimin dhe vrasjen e disa figurave kryesore të Luftës Nacional-çlirimtare e të ndërtimit socialist. Në këto rrethana të rënda politike, ekonomike dhe diplomatike, Hoxha vendosi prishjen e një-anshme të të gjitha marrëveshjeve me Republikën Popullore të Kinës. Ne, të cilëve kinezët na i kishin hapur derën, ua mbyllëm me kokëfortësi dhe me injorancë. Është një fakt historik që Shqipëria luajti rol parësor në pranimin e Kinës në OKB dhe populli e qeveria kineze e kanë shprehur publikisht mirënjohjen. Në vitin 1993 Ministri i Jashtëm i Kinës erdhi për vizitë në Shqipëri dhe si anëtar e përkthyes i këtij delegacioni ishte një nga studentët e mi më të mirë, Van Hu Çin, përfaqësuesi i agjencisë telegrafike kineze “Hsinua”. Në takimet e zhvilluara midis dy delegacioneve, Sereqi, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, shtroi çështjen e përmirësimit të marrëdhënieve midis dy shteteve. Ministri i jashtëm kinez iu përgjigj se: “Kemi qenë dhe jemi për këto marrëdhënie, por tash duhet të bëhen mbi një bazë të re. Qeveria juaj, zoti ministër, ka në arkivin e vet disa akte anti-kineze, siç është protesta dhe demonstrata pa arsye para ambasadës sonë në Tiranë. Opinioni kinez dhe qeveria kineze kanë marrë shënim për to dhe kërkojnë që qeveria juaj të reflektojë mbi këto akte, dhe pastaj të ulemi dhe t’i shikojmë këto marrëdhënie. (Agron F. Fico: “Profesor në tre kontinente”, Nju Jork, 2004, f. 123-124.) Në vitet 1990 në Shqipëri ndodhën ndryshimet historike të vendosjes së pluralizmit politik dhe demokratik. Në këta 27 vite Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha dhe po përpiqet që të hyjë në Bashkimin Evropian. Kur flitet sot për Kinën të del parasysh një vend tepër i zhvilluar, me ekonomi moderne, me teknologji digjitale. Këtë ndryshim dhe vizion të Kinës së sotme e shpreh qartë dhe bukur edhe Presidenti Xi Jinping, kur shkruan: “Ëndrra kineze” është dëshira e çdo kinezi për një jetë sa më të mirë, janë malet me pyje dhe ujë të kthjellët, është harmonia kombëtare dhe ajo e natyrës me njeriun, është paqja në botë. Kjo është ëndrra dhe mendimi unanim i të gjithë popullit kinez, është edhe e drejta e gjithë kinezëve.” (“Urtësia shekullore dhe qeverisja” – Citimi i veprave klasike kineze nga presidenti Xi Jinping, Onufri, Tiranë, 2015, f. 68.) Për ata që ende kanë një përfytyrim jo të drejtë dhe të paplotë për shoqërinë e sotme kineze, Xi Jinping shton: “Ëndrra kineze është shprehje e figurshme, është një emërues i përbashkët… “Ëndrra kineze” nuk është shprehje e fryrë që bie ndesh me interesat vetjake, si në të kaluarën kur kërkohej përkushtim ose sakrifikim i individit, por është një ndërthurje e pasur e çdo ëndrre të vogël dhe konkrete.” (F. 69.) Shqipëria jonë, në këto vite të regjimit demokratik, të sfidave të zhvillimit ekonomik dhe ngritjes së nivelit të mirëqenies së popullit, duke ruajtur prioritetet gjeostrategjike, duhet t’i kushtojë një vëmendje të veçantë gjallërimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me Kinën moderne.
Sigal