Nikoleta PIRANJANI/Rritja e cilësisë së auditimeve

570
Sigal

 *Kryeaudituese, KLSH

 Për vitin 2012 dhe në vazhdim auditimet e kryera në institucionet publike si dhe pasqyrimi i dokumentimit të këtyre auditimeve, kanë pësuar ndryshime esenciale strukturore dhe në përmbajtje. Këto ndryshime kanë ardhur si rezultat i ndryshimeve të rregullores së miratuar me Vendim të Kryetarit të KLSH Nr.53 Dt. 16.04.2012, rregullore ku në të cilën janë përfshirë në mënyrë të hollësishme standardet ndërkombëtare të auditimit (të rregullshmërisë përputhshmërisë, ligjshmërisë; të performancës; të auditimit financiar dhe të auditimit të pasqyrave financiare). Në këtë rregullore gjithashtu në mënyrë të konkretizuar janë përfshirë zbatimi i standardit për kontrollin e cilësisë, kodit të etikës dhe konfliktit të interesave, si dhe shumë përmirësime në procedurat, që domosdoshmërish duhet të ndiqen në procesin e kryerjes së të gjithë fazave të një auditimi.

Referuar eksperiencës disa vjeçare në KLSH, eksperiencë e konkretizuar në materialet përkatëse të auditimit, referuar zbatimit të rregullave të vendosura në Rregulloret e Brendshme e Organizimit dhe Funksionimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në gjithë këto vite, konkludojmë se raportimi i auditimeve të kryera si dhe vetë procesi i auditimit ka kaluar në një shkallë më të lartë të zhvillimit të tyre.

Përmirësime të dukshme ka pasur në performancën e raportimit, si të projektraporteve ashtu dhe të raporteve përfundimtare, pasi këto dokumente janë hartuar referuar një standardi të mirë përcaktuar, pra janë unifikuar për mënyrën e pasqyrimit të tyre. Kjo ka çuar në rritjen e cilësisë se raportimit, në rritjen e transparencës së Raportimit dhe për rrjedhojë në rritjen e përshtatshmërisë së përdorimit të raporteve të auditimit nga një publik më i gjerë.

Në lidhje me transparencën e auditimit gjatë kësaj periudhe hop cilësor ka pasur dhe në publikimin e këtyre raporteve në faqen web të KLSH, ku në mënyrë periodike dhe hap pas hapi paraqiten këto raporte me transparencë të plotë, ku një publik i gjerë dhe me interes, në mënyrë të drejtpërdrejtë mund të identifikojë subjektet e audituara, konkluzionet e auditimit si dhe grupin auditues. Ky informacion jepet publik nëpërmjet kësaj faqeje, pavarësisht informacionit të përmbledhur të paraqitur në buletinet 4 mujore të këtij institucioni.

Nga institucioni i KLSH në drejtim të nxitjes për një rritje të integritetit dhe përgjegjshmërisë në punë të menaxherëve të institucioneve publike të audituara dhe për raste flagrante të shkeljeve  të legjislacionit në fuqi njoftohet, Këshilli i Ministrave menjëherë mbas përfundimit të auditimit, për rezultatet e këtij auditimi. Ky proces do të ndihmojë në vijimësi ndërgjegjësimin e qeverisjes në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore  me efektivitet të plotë si dhe identifikon luftën në vazhdimësi të KLSH-së kundër korrupsionit dhe moszbatimit të ligjit.

Gjithashtu dua të theksoj se vetë procedurat e vendosura për çdo fazë të auditimit në subjekt,  si dhe dokumentacioni i domosdoshëm i mbajtur, për të identifikuar procedurën përkatëse, imponojnë  dhe për rrjedhojë  përkthehen në rritje të cilësisë së auditimit. Këtu dua të theksoj domosdoshmërinë e kryerjes dhe dokumentimit të takimeve ballafaquese me subjektin dhe personat përgjegjës, ku këto të fundit në çdo fazë të auditmit janë në korrent të opinioneve të audituesve për shkeljet përkatëse. Kjo në auditimet tona ka rezultuar procedurë efektive , pasi tani më, janë eliminuar në shumicën e rasteve, pretendimet e subjekteve që nuk kanë pasur njohuri për konstatimet nga auditimi.

Dhënia e detyruar e informacionit për ecurinë e punës,  strukturave menaxhuese të auditimit, ka rritur nivelin e programimit të punës audituese për çdo auditues, pasi referuar këtyre informacioneve, secili pasqyron në mënyrë periodike punën audituese të kryer. Gjithashtu në këtë mënyrë drejtuesi direkt i grupit të auditimit, monitoron punën në terren.

Hap cilësor mendoj se ka qenë dhe vendosja e rekomandimeve për subjektin auditues, që në projekt raportin e auditimit dhe marrja paraprakisht e mendimit të subjektit për rekomandimet e lëna. Kjo ka çuar në faktin se nga ana e audituesve dhe për rrjedhojë dhe e institucionit të KLSH, lihen rekomandime më të qenësishme, reale dhe jo formale dhe plotësisht të realizueshme.

Kjo me siguri do të përkthehet hap pas hapi me rritje të % të realizimit të rekomandimeve të lëna dhe me rritje të përgjegjshmërisë së realizimit të këtyre rekomandimeve nga subjektet përkatëse .

Mendoj se ka shumë për të bërë nga audituesit për të ardhmen në disa drejtime, duke qenë se vetë profesioni i audituesit kërkon njohuri të vazhdueshme në drejtim të legjislacionit dhe standardeve:

Së pari, mendoj se duhet shumë punë në drejtim të përvetësimit maksimal të standardeve aktuale  dhe njohjen e vazhdueshme me  standardet e reja. Këtë fakt e ndihmon shumë organizimi i trajnimeve të brendshme e të jashtme të realizuara nga institucioni si dhe testimi i dijeve të mara.

 Në drejtim të përmirësimit të komunikimit dhe informimit brenda grupit referuar arritjes së objektivave të auditimit, duke e përkthyer këtë si bashkëpunim për çështje të përbashkëta të auditimit krahas përgjegjësive personale të auditimit, referuar fushave ku ne auditojmë.

Së dyti, përmirësime duhet të ketë dhe në programimet e auditimeve si në drejtim të përcaktimit të  grupeve të auditimit, ashtu dhe afatit optimal të kryerjes së gjitha fazave të tij. Përcaktimi me objektivitet i këtyre afateve sigurisht shoqërohet me punë audituese korrekte dhe me cilësi auditimi.

Megjithatë pavarësisht arritjeve në auditim, procesi i integritetit dhe rritjes së vazhdueshme profesionale është një proces që duhet të jetë  i vazhdueshëm më shumë se kudo tjetër, në institucionet audituese. Prandaj audituesit, pavarësisht përvojës shumë vjeçare të tyre, janë njëkohësisht profesionist dhe nxënës të përjetshëm.