Nikoleta Piranjani/ Menaxhimi financiar, proces i rëndësishëm për administrimin e fondeve publike

553
Në kuadër të një administrimi efektiv të burimeve financiare buxhetore, njerëzore, materiale dhe pasurisë publike, me qëllim respektimin e parimit të transparencës dhe të ligjshmërisë, si dhe shmangien e shpërdorimit, keqpërdorimit dhe vjedhjes së pasurisë, është miratuar ligji nr. 10296, datë 08.09.2010”Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”. Referuar objektit të ligjit në të cilin përcaktohen parimet, rregullat, procedurat, strukturat administrative dhe metodat për funksionimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit në njësitë e sektorit publik, si dhe përgjegjësitë menaxheriale për planifikim, zbatim, kontrollin dhe raportimin e fondeve buxhetore, nga Ministria e Financave janë miratuar një sërë aktesh nënligjore dhe administrative, detyrim për zbatim nga institucionet zbatuese të ligjit. Kontrolli i Lartë i Shtetit si një institucion i pavaruar auditues dhe me një mision të rëndësishëm në auditimin dhe raportimin mbi përdorimin e fondeve buxhetore, i ka kushtuar një rol të rëndësishëm auditimit për krijimin, në institucionet publike, të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, implementimit të tij në këto institucione, kuptimit dhe zbatimit të këtij sistemi nga menaxherët dhe administrata në tërësi, si dhe përgjegjshmërisë se menaxherëve në zbatimin e sistemit nëpërmjet 5 komponentëve: Mjedisit të kontrollit, menaxhimit të rriskut, veprimtarisë së kontrollit, informacionit dhe komunikimit si dhe monitorimit. 

Objektivat e punës audituese
Një nga objektivat themelore të punës audituese, e sanksionuar kjo në misionin dhe në qëllimin e funksioneve të KLSH, është përdorimi dhe administrimi me efektivitet i fondeve buxhetore dhe aseteve publike. Referuar këtij procesi të rëndësishëm në ligjin nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” në nenin 6 “Fusha e veprimit” pika 2, përcaktohen fushat që mbulon një proces auditimi, ku ndër të tjera citohet se: “Auditimi mbulon fushat e përputhshmërisë, ligjshmërisë, rregullshmërisë, menaxhimit financiar, kontabilitetit, si dhe ekonomicitetin, efiçencën dhe efektivitetin e administrimit të fondeve dhe pronës publike apo shtetërore. Gjithashtu në nenin 12 “ Auditimi i përputhshmërisë” të këtij ligji përcaktohet se: “Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimet e përputhshmërisë duhet të përcaktojë: 
a) nëse të ardhurat dhe shpenzimet kanë qenë në përputhje me ligjin e Buxhetit të Shtetit, me aktet përkatëse ligjore e nënligjore dhe me parimet e ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin; 
b) nëse janë zbatuar parimet e përgjithshme të sistemit të menaxhimit financiar të sektorit publik dhe të sjelljes së zyrtarëve të sektorit publik. 
Mbështetur në aktet e mësipërme audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit domosdoshmërisht bëjnë pjesë të programeve të tyre audituese dhe drejtimin e auditimit: Mbi funksionimin e sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit. 
Me hyrjen në fuqi dhe zbatimin e ligjit nr. 10296, datë 08.09.2010”Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” me funksione të plota, objekt i auditimeve të KLSH kanë qenë zbatimi i neneve të tij duke nisur nga emërimet e nëpunësve autorizues dhe zbatues, konform kërkesave ligjore, përcaktimin e kopetencave të tyre dhe zbatimin e këtyre kopetencave konform ligjit, hartimin e objektivave strategjike të institucionit, konform kërkesave dhe detyrimeve institucionale dhe funksionimit të njësive, hartimi i strategjive të riskut, krijimit të regjistrit të riskut dhe ndjekja e risqeve nga menaxherët dhe kordinatori i saj. Gjithashtu nga grupet e auditimit ndiqet fakti i kryerjes së vlerësimeve të sistemit të kontrollit të brendshëm të njësisë publike, nëpërmjet vetvlerësimeve institucionale. Hartimi i përvitshëm (detyrim ligjor) i vetvlerësimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm si dhe raporti për cilësinë e funksionimit të këtij sistemi, detyrojnë menaxherët të njohin sistemin e menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe hap pas hapi të përmirësojnë këtë sistem sipas kërkesave dhe në përpuethshmëri me kërkesat ligjore.
Referuar punës së Njësisë Qëndrore të Harmonizimit në Ministri të Financave, që menaxhon dhe mbikqyr këtë proces, por dhe auditimit të mbikqyrjes dhe zbatimit të sistemeve të kontrollit të brendshëm nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe rekomandimeve të lëna në këtë drejtim në këto vite, ka rezultuar se përgjithësisht në Administratën dhe Institucionet Qëndrore, kuptohen drejt detyrimet që rjedhin nga zbatimi i Ligjit të MFK, por edhe zbatimi i tij po integrohet dhe përmirësohet dukshëm nga viti në vit, sidomos në drejtim të hartimit të Strategjive të Riskut për arritjen e objektivave Strategjikë të Institucioneve dhe menaxhimit të regjistrit të riskut që ndihmon në realizimin e objektivave dhe produkteve vjetore të miratuar me fondet vjetore buxhetore. Por referuar rezultateve nga auditimet të ushtruara në institucionet vartëse (të nivelit të dytë), ka rezultuar se kjo situatë eshtë e ndryshme nga institucionet qëndrore. Nivelet e njohjes së kërkesave ligjore të ligjit për menaxhimin financiar dhe kontrollin janë të dobëta, ose këto funksione nuk njihen aspak, për rjedhojë dhe përgjegjshmëria e menaxherëve të lartë dhe të tjerë të institucioneve përkatëse, nuk ekziston në drejtim të zbatimit të detyrimeve ligjore. Referuar raporteve të paraqitura nga Ministria e Financave në këtë drejtim në mënyrë të përvitëshme, nuk jepen ndjekja dhe mbikqyrja deri në njësitë buxhetore të të gjitha niveleve, por jepen rezultatet për zbatimin e ligjit për institucionet në nivel qëndror. Detyrim i kësaj mbikqyrje është i institucioneve qëndrore, të cilat në raportet e tyre duhet të japin deklarimet dhe për funksionimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, të institucioneve të tyre vartese deri në nivelin më të ulët të funksionimit të institucionit qëndror. 
Roli i auditimit të KLSH është parësor
Në këtë proces, roli i auditimit të KLSH është parësor, jo vetëm në identifikimin e mangësive në funksionimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, por dhe të ndërgjegjësimit të menaxherëve në drejtim njohjes dhe zbatimit të ligjit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin si dhe akteve në funksion të tij. Referuar punës audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili e shtrin veprimtarinë e tij në të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore e vendore, ku përveç një detyrimi kushtetues në auditimin e administrimit të fondeve buxhetore dhe pasurisë publike, duke raportuar mbi konstatimet dhe lënë rekomandimet për përmirësime të mëtejshme të punës institucionale të subjekteve të audituara, është kthyer njëkohësisht dhe në një vlerë të shtuar, në drejtim të njohjes dhe zbatimit të legjislacionit nga menaxherët publik, për një qeverisje ligjore dhe më të mirë publike. 
Sigal